I akuzuari për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, kushëriri i saj, Naseri, është liruar të enjten nga burgu.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL), avokati i të akuzuarit, Ahmet Tahiri.
“Naser Pajazitaj sot është liruar nga paraburgimi dhe është liruar nga akuzat të cilat e ngarkonin për vrasje. Vendimi është marrë nga Gjykata Supreme. Është miratuar kërkesa jonë si mbrojtje. Supremja ka vendosur, dhe na ka dhënë të drejtë neve si mbrojtje. Nuk ka prova të cilat e përfshinin Naserin në këtë vepër penale. E kemi thënë që nga fillimi”, ka thënë Tahiri.
Donjeta është vrarë më 2015.
Gjykata Themelore në Pejë, fillimisht, e pati liruar të pandehurin nga aktakuza.
Pas dërgimit të rastit në rigjykim, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Por, pas shqyrtimit të ankesës nga pala mbrojtëse, Gjykata e Apelit pati marrë vendim që ta ulë dënimin në 35 vjet burgim.
Lajmin për lirimin e Pajazitajt e ka konfirmuar për REL-in edhe Antigona Uka – Lutfiu, zyrtare për informim në Gjykatën Supreme të Kosovës.
“Kolegji penal i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më 6 prill, e ka liruar N.P., nga aktakuza për vrasje”, ka thënë ajo me shkrim.
Vëllai i Donjetës, Shkëlqimi, është shprehur i mllefosur për vendimin e Supremes.
“Drejtësia e Kosovës edhe njëherë vërtetoi se sa e fëlliqur është, edhe një herë vërtetoi se njërzillëku nuk ekziston”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.
Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.