Ministria e Mbrojtjes së Britanisë së Madhe thotë se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave të armatosura ruse kishte dështuar të realizonte një ofensivë të gjerë në Ukrainë gjatë dimrit, me synimin për të shtrirë kontrollin e Moskës në të gjithë rajonin e Donbasit.
Sipas raportit, zoti Gerasimov u emërua komandanti i forcave ruse në Ukrainë për të udhëhequr atë që Moska e quan operacion special ushtarak. Por 80 ditë pas marrjes së detyrës është e qartë se projekti i tij ka dështuar. Sipas raportit të ministrisë britanike, Kremlini ka shënuar përparime të vogla në terren, por njëkohësisht ka humbur dhjetëra mijëra ushtarë.
Shefja e OKB-së për çështjet e çarmatimit paralajmëroi të premten se rreziku i përdorimit të një arme bërthamore tani është më i lartë se në çdo kohë që nga Lufta e Ftohtë.
“Lufta në Ukrainë përfaqëson shembullin më të fortë të këtij rreziku”, tha përfaqësuesja e lartë e OKB-së për çështjet e çarmatimit, Izumi Nakamitsu.
Deklaratat e zonjës Nakamitsu në takimin e Këshillit të Sigurimit erdhën pas njoftimit javën e klaluar nga Presidenti Vladimir Putin, për arritjen e marrëveshjes për të dislokuar armë bërthamore taktike në Bjellorusi.
Bjellorusia është fqinje dhe aleate e Rusisë në agresionin ndaj Ukrainës.
Zonja Nakamitsu tha se mungesa e dialogut dhe reduktimi i marrëveshjeve të çarmatimit dhe kontrollit të armëve, të ndërthurura me retorikën e rrezikshme dhe kërcënimet jo të drejpërdrejta, mund të çonin në përshkallëzim të rrezikut nga armët bërthamore.
Zonja Nakamitsu u bëri thirrje veçanërisht Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që të kthehen tek zbatimi i plotë i traktatit të kontrollit të armëve midis dy fuqive.
Rusia tha muajin e kaluar tha se nuk do ta zbatonte më traktatin dhe njoftoi këtë javë se nuk do të ndante më informacione lidhur me armët e saj bërthamore, që zakonisht bëhet dy herë në vit.
Ndërkohë, të premten, Presidenti bjellorus Aleksander Lukashenko kërcënoi se vendi i tij mund të pranojë edhe vendsosjen e raketave bërthamore ndërkontinentale, përveç armëve bërthamore taktike që Rusia ka vendosur të dislokojë në Bjellorusi. Raketat balistike bërthamore të vëndosura në territorin bjellorus mund të shkatërrojnë qytetet të tëra në një distancë shumë të largët.