Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë duhet të zbatohet e tëra dhe jo vetëm pjesët e preferuara nga palët, duke vënë theksin te Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Plani evropian për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel ndërsa me 18 mars në Ohër për zbatimin e tij, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.
Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Marrëveshja duhet të zbatohet e tëra, nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet ashtu qysh nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes, prandaj marrëveshjen nuk duhet ta copëtojmë duke marrë pjesët e preferuara”, tha kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri Kurti tha se urgjencë e zbatimit sipas marrëveshjes është vetëm çështja e personave të zhdukur me forcë.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë ftuar për datën 4 prill një takim ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Mosnënshkrimi i dokumentit në takimin e Ohrit ka nxitur mëdyshje nëse palët do t’i përmbahen zbatimit të marrëveshjes, e cila nga faktori ndërkombëtarë po trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.
Kryeministri Albin Kurti tha se me 4 prill në Bruksel do të diskutohet zbatimi i marrëveshjes për të cilën ka pajtim të të dyja palëve.
“Pra ka marrëveshja, ekziston marrëveshja, ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë dhe kemi nevojë për zbatim të saktë dhe të shpejtë të saj, prandaj edhe do të organizohet edhe një takim ndërmjet kryenegociatorëve”, tha ai.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, thotë Serbia do të zbatojë marrëveshjen e arritur në Ohër por jo edhe pjesët e saj që kanë të bëjnë me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Diplomatët perëndimorë u kanë bërë thirrje të Kosovës dhe Serbisë që të fillojnë sa më shpejt zbatimin e marrëveshjes, që do të jetë pjesë e rrugëtimit të të dyja vendeve drejt integrimit evropian.