Agim Vinca (1947, Strugë). Botoi librat me poezi: Feniksi( 1972), Buzëdrinas (1981), Arna dhe ëndrra (1987), Kohë e keqe për lirikën (1997). Ka fituar çmimin poezia më e mirë e mbrëmjes qendrore në Mitingun e vitit 2018.
Ka shkruar studime sidomos për poezinë shqipe bashkëkohore, konsiderohet njohësi ndër më të mirët e saj dhe ka disa libra me kritika letrare.
Je tepër i bukur
për të qenë i vërtetë
.
E tepër mëkatar
për të qenë i shenjtë
.
Një mallkim i kaltër
Ç‘po të fle në sy
Ç’ KA QË VAJTON KJO ERË E MARRË?
.
Ç’ka që vrapon kjo erë e marrë
Rrafshit të gjerë pa gjeth e fletë;
Kërkon të thotë një lajm, një fjalë
E s’e thotë dot, haj, medet?!
.
Ç’ka që vajton kjo erë e marrë
Krejt ë shushatur si plaka Nicë?
Hidhet përpjetë e përmbi varr
Thërret çapraz: Drenicë, Drenicë!
.
Ç’ka që gjëmon kjo erë e marrë
Në ketë natë pa gjumë në sy
Kërkon të tundë viganin mal
Apo vajton fatin e zi?
.
Ç’ka që rënkon kjo erë e marrë?!
.
Së pari kafshojnë
Pastaj lehin
Qentë e Sodomës
racë e çuditshme
.
Dhe ec e dije
kur luajnë bishtin
në shenjë miqësie;
kur skërmitin dhëmbët
në shenjë kërcënimi
.
Së pari kafshojnë
Pastaj lehin
(Kafshojnë natën,
lehin ditën)-
Shprehi e lashtë
E pedigresë së tyre.
.
Njësoj i trajtojnë
të gjallët dhe të vdekurit:
gërmojnë eshtrat,
gërryejnë zorrët.
.
Qentë e Sodomës
racë fisnike!
.
Më shumë se i Babait dhe i Nënës
Jam bir i Diellit dhe i Hënës
.
Altar kam tokën, kur bie e ngrihem përditë
Unë, pagan i vogël, që përbuz Perënditë.
.
Më fort se sa i Nënës dhe i Babait
Jam fryt i Dheut, Ujit, Ajrit.
.
Të falem, o Tokë, ty nënëmirë ime
Me grimca statujash e tumash ilirie.
.
Më shumë se Babait dhe i Nënës
Jam bir i Diellit dhe i hënës.
.
Altar kam Tokën, ku bie e ngrihem përditë
Unë, pagan i vogël, që përbuz Perënditë