Në Shqipëri, Shërbimi social shtetëror u paraqit sot në mjediset e “Prestigj Resort”, për të marrë në administrim dy godina hoteliere të këtij kompleksi, të cilat rezultojnë të jenë konfiskuar me një vendim të Këshillit kombëtar të territorit. Kompleksi turistik është në pronësi të grupit Hysenbelliu, i cili zotëron gjithashtu dhe disa media të rëndësishme në vend. Përfaqësuesit ligjorë të kompanisë deklaruan se çështja është në proces gjyqësor, dhe për pasojë marrja në administrim e dy godinave është sipas tyre e paligjshme. Vendimi i sotëm pason ndërhyrje të mëparshme në këtë kompleks, ku më dhjetor u shemb godina qendrore disa katëshe. Sipas Hysenbelliu Group, qeveria kërkon të ndikojë në linjën editorial të mediave që kompania ka në kontroll.
Edhe pse një ditë pushimi zyrtar, përfaqësuesit e Shërbimit social shtetëror, të shoqëruar dhe nga forca policie shkuan sot në kompleksin turistik Prestigj Resort në Golem me në duar një vendim të qeverisë “i cili i kalon në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë, për Shërbimin social shtetëror të godinave nr. 1 dhe nr. 3”, njoftoi përfaqësuesja e ministrisë së Shëndetësisë.
Vendimi pason një akt konfiskimi të dy godinave nga ana e Këshillit Kombëtar të territorit, si pjesë e masave kundër ndërtimeve pa leje apo në shkelje të tyre. Për përfaqësuesit e Hysenbelliu Group, veprimet e sot konsiderohen të paligjshme. “Nuk e di kush ja kaluar minisrisë së Shëndetësisë, apo Ministrisë së Financave, posedimin e sendit. Ne nuk e kemi humbur ndonjëherë. Që do të thotë se procedura e konfiskimit është kontestuar në gjykatë, dhe është duke vijuar procesi gjyqësor. Si rrjedhim, nëse ju pretendoni se jeni pronarë, se ne vlerësojmë se nuk jeni, sipas ligjit për pronat e paluajtshme të shtetit, normalisht ato trajtohen në barazi me pronat private, që do të thotë se duhet t’i drejtoheni gjykatës, sipas Kodit civil, dhe të paraqisni pretendimet tuaja. Veprimi juaj, duke kërkuar sot që të lirohet godina dhe të na nxirrni jashtë, vlerësohet nga ne, si i paligjshëm, i parregullt dhe si pasojë nuk e zbatojmë”, deklaroi avokati i kompanisë, Erion Kanxheri
Ato pretenduan gjithashtu se nuk kishin marrë asnjë njoftim paraprak, ndonëse se përfaqësuesja e Shërbimit social pretendoi të kundërtën duke kërkuar mbështetjen e policisë për të hyrë në mjediset e kopleksit dhe marrjen në administrim të dy godinave, të cilat u gjetën të mbyllura. Për të hyrë brenda u gjetën më pas mënyra të tjera nga ana e policisë. Sipas avokatit të kompanisë edhe përfshirja e policisë është e paligjshme pasi ajo mund të ndërhyjë në mjedise private vetëm me urdhër gjykate apo prokurorie, ose në zbatim të vendimeve përmbarimore.
Në Shtator të vitit të kaluar Inspektoriati i Mbrojtjes së territorit, ndërhyri duke prishur pishinat e jashtme të kompleksit turistik, ndërsa në muajin dhjetor hodhi në erë godinën qendrore disa katëshe. Rasti u përfshi dhe raportin vjetor të Departametit amerikan të shtetit për të Drejtat e Njeriut të publikuar dy ditë më parë.
Sipas “Hysebelliu Group” veprimet e qeverisë synojnë të diktojnë linjën editorial të mediave që kompania zotëron; televizione, gazeta e portale informative. Vetë televizionit NEWS 24, i është njoftuar një gjobë prej afro 200 mijë dollarësh nga ana e tatimeve, të cilën drejtuesit e televizionit, e kanë konsideruar të padrejtë. Po ashtu dhe biznese të tjera të grupit Hysenbelliu, janë përballur kohët e fundit me gjoba disa miliona eurosh.