Unë nuk besoj se ishte një ngjarje e rastit që dita e fitores së demokracisë në vendin tonë përkon me 22 Marsin, ditën e ekuinoksit pranveror, të barazisë së ditës me natën, ditën e ringjalljes e përtëritjes së natyrës. Më pëlqen të besoj se ishte dora e bekuar e Zotit, që e zgjodhi këtë ditë të shenjuar prej Atij vetë, për të kurorëzuar fitoren e madhe të një populli të munduar e të vuajtur edhe prej mungesave të tij prej disa dekadash. Pasi e vëzhgoi gjatë lojën e egër të pasioneve kanibaleske të diktaturës së proletariarit me proletarët, të persekutorëve me të persekutuarit, të mëkatarëve me viktimat e tyre, të pafeve me besimtarët, të errësirës me dritën, të skllavërinë me lirinë, pas luftës së egër klasore midis vëllezërve të magjepsur nga ideologjia marroshe e shpronësimit total, Zoti tha: Mjaft. Le të vijë mendimi universal i jetës reale, i aktualitetit historik, i progresit demokratik, i shenjtërimit të individit, i lirisë dhe paqes së amëshuar në këtë truall të përkëdhelur nga dielli, deti dhe blerimi. Por po aq ma thotë mëndja dhe ma do zemra se shënimi i 22 Marsit, si dita e vendosjes së fateve historike për përmbushjen e ëndërrës, nuk ishte vetëm gishti i fatit, por edhe dora e zgjatur e shpresës së një populli, që nuk ishte hiçmosgjëja, siç konsiderohej nga pushteti apsolut i partishtetit të gjithëfuqishëm Por asgjë nga këto nuk do të jepte rezultat pa largpamësinë e elitës intelektuale, jashtë skemave të ngurtësuara në superstrukturat e parti-shtetit, pa entusiazmin e vrullin rinor të studentëve, pa mbështetjen e popullit opozitar në fitoren e demokracisë. Ata kishin fuqi absolute në atë kohë, kur regjimit i dridheshin gjunjët, të vendosnin çdo datë që dëshironin. Dhe, me kreativitetin e tyre, ata vendosën ta puthitin ditën e fitores së demokracisë me ditën e ripërtëritjes së natyrës.
Shëmbja e Murit të Berlinit është metaforë e shpirtit të popujve. Bashkë me të tingëlloi edhe ora e çastit të madh për të ardhmen e popullit shqiptar dhe mbarë kombit tonë. Por shembja e murit tonë të izolimit e ngujimit fatal ishte më e madhërishme se sa shëmbja e mureve të Jenikosë nga trumbetat biblike. Ishte një rrëzim nga brenda, nga furia e uraganit të energjive të ndrydhura për 45 vjet. Në një vend ku të vetmet ëndërra të lejuara ishin ato të kultit të Udhëheqësit, ku lumturia ishte shndërruar në tipar të zellit për ta identifikuar vetveten si njeri “i ri” brenda karakteristikave të pasaportizimit partiak, ku mençuria evidentohej me përpjekjet ekzistenciale mbinjerëzore për të evidentuar vetveten, pasi ka ekzistuar përherë kriza e identitetit, kishte vetëm dy rrugë shpëtimi: E para qëndronte mbrapshtësisht te dorëzimi dhe nënshtrimi total, të realizoheshe duke u përshtatur, duke përmbushur dhe kopjuar gjestet e të tjerëve, pa pyetur asnjë herë dhe askënd. Pra realizoheshe, duke mos u realizuar, sepse shoqëria nuk të lejonte mënyrë tjetër. Kështu gjithkush ndihej i përjashtuar. Ndjesia më e madhe tek individi ishte frika. Frikë për t’u rritur, frikë për t’u hapur ndaj emocioneve, frikë nga vetvetja. Frikë për të zbuluar se tej telave me gjëmba nuk kishte asnjë kafaz hekurash, por vetëm ajër dhe liri. Frikë për të shtrirë pak vështrimin, për të vëzhguar botën që të rrethonte dhe për të kuptuar se gjithçka fliste për brishtësinë dhe bukurinë e formave jetësore. Frikë për të ngritur fare pak kokën, për të parë hapësirën e pafund të qiellit. Por pak po të zgjateshe, të shkurtonin këmbët. Zaten shqiptarët rriteshin këmbëshkurtër, krahëshkurtër, trupshkurtër, vullnetshkurtër nga sforcimi për të jetuar si në kanaçe të mbyllura në boshllëk, pavarësisht se misteri shndriste jashtë tyre dhe tregonte rrugën që duhej të merrnin. Në këto rrethana mediokriteti dhe zymtësie të shkonte mëndja te një rrugë e dytë, dmth një ëndërr: të të dilnin papritur flatra dhe të fluturoje mbi telat me gjëmba, mbi muret e larta e të trasha të izolimit…
Por dielli lind andej nga perëndon , do të thoshte një shekull e gjysmë më parë rilindasi i madh, Naim Frashëri. Diktaturën e rrëzoi dhe e skërmoqi fryma dhe fuqia e demokracisë, ku pjesëmarrës ishte shumica dhe fitmtarë jemi të gjithë. Studentët, intelektualët mëndjeçelur, të cilët shihnin atje ku nuk shikonin dot të gjithë, të përndjekurit politikë, të cilët i kishin mbrojtur me jetën e tyre principet demokratike, minatorët, gratë, gjithë shqiptarët e thjeshtë, u bënë karburanti i asaj lëvizjeje të madhe çliruese dhe ndërtuese. Sepse në thellësi të çdo zemre shqiptari, edhe pse groposur mes rrënojash, regëtinte gjithmonë, e mekur dhe e dridhëshme, flaka e së vërtetës. Nuk kanë rëndësi nismëtarët, inspiruesit e frymëzuesit, udhëheqësit e realizuesit, askush nuk kërkoi monopolin e demokracisë, përveç atyre që iu kundërvunë. Ata janë përpjekur t’i impononin historisë versionin e tyre, se ata janë ideatorët, nismëtarët dhe realizuesit, gjeneralët dhe ushtarët. Me një akord të fuqishëm me disa media, bunker të frymës së vjetër, rreken t’i transformojnë ngjarjet, t’i fshijnë personazhet, ta trukojnë e retushojnë memorjen historike, për të ngritur në histori të tjerë protagonisë, ata vetë. Në këto zhvillime, shqiptarët, që ua besuan 31 vjet më parë lëvizjes studentore dhe intelektuale, ishin pasivisht faktor të përcaktuar të një ndryshimi epokal, por vendosën besimin e tyre te forcat e reja. Fakti që ky 31 vjetor e gjen Shqipërinë në gërç politik dhe kolaps ligjor flet për atë se demokracia vepron, pushteti ndryshon , liria ekziston dhe asgjë nuk është e përhershme.
22 MARSI-ADRENALINA QE NDIKOI NE ESENCAT TONA
Kjo ditë e shënuar në kalendarin e natyrës, dita e përtëritjes dhe ringjalljes, provë e ligjësisë koherente të soliditetit të universit dhe njëkohësisht dëshmi e sigurisë që vjen nga zbatimi konsekuent i ligjeve të natyrës, u përket të gjithëve, gjithë banorëve të rruzullit. Na përket edhe neve, shqiptarëve. Por, me bekimin e Zotit dhe vullnetin tonë, kjo ditë përbën edhe festën e shenjtëruar të fitores së madhe të demokracisë, që deri sot përbën sistemin universal të lirisë dhe të drejtave të individit, të prosperitetit ekonomik dhe shpirtëror të njerëzimit. Me zë të fortë mund të themi: me privilegj nga Zoti, në kalendarin historik, 22 Marsi është dita e shqiptarëve. Në se shqiptarët nuk i bashkon dhe kjo ditë me funksione të shumëfishta vëllazërimi, atëherë ne duhet ta kemi në gen ndarjen ose jemi të mallkuar për të mbetur të ndarë. Eshtë e pakuptueshme që përballë virtytit të besës, përballë shpirtit fisnik, që i ka mahnitur të tjerët, përballë zemrës së hapur ndaj dijes, së bukurës dhe së mirës, ne të vëmë egon, idetë, ambicien apo zilinë dhe demonë të tjerë, të cilët na kthejnë në qënie që nuk veprojmë, por lëmë të veprohet mbi ne. Eshtë koha të hedhim pas krahëve mantelin e çoroditur të cmirës, urrejtjes dhe vullneteve të imponuara, të falim e jo të fyejmë, të dhurojmë e jo të grabisim, të kapërcejmë atë që dihet e të rrisim atë që ishte e panjohur deri sot. Demokracia ka sharmin, eleksirin dhe adrenalinën të ndikojë në esencat tona më të thella.
Tani jo vetëm shqiptarët brenda kufijve shtetërorë, por kombi shqiptar ka demokracinë dhe nuk lejon që kjo demokraci të përdhoset nga askush. Demokracia buron nga populli. Demokracinë e imponoi dhe urdhëroi koha, e stimuloi zhvillimi dhe përparimi i vendeve të zhvilluar demokratike, e imponoi dhunumi demoniak i të drejtave dhe lirive, shpërfillja e predispozitave të shqiptarëve për liri dhe përparim nga diktatura më e egër në Europë. Demokracinë e solli populli opozitar me diktaturën, mendimi intelektual dhe entusiazmi hyjnor i rinisë studentore. Ama, pas luftës, pushkët janë të kota; pas dasmës sazet janë të panevojshme, pas kuvendit fjalët janë të padobishme. Çdo event ka nismëtarët, projektuesit dhe realizuesit. Në se duam që nesër, pasnesër të mos na tallë historia, duhet t’u varim medaljet heronjve, të ngjisim në podium proptagonistët dhe kush nuk e pati shansin apo e pati dhe nuk dinte ta përdorte, mos t’ua ketë inatin të tjerëve. Askush nuk e mohon dot, nuk e fshin dot dhe nuk përdhos dot romantikën e të parëve. E të parët janë studentët e Dhjetorit, intelektualët përparimtarë e mëndjeçelur dhe lidershipi I kësaj lëvizjeje të madhe të mendimit dhe vullnetit shqiptar. Historia dhe faktet janë kokëforta. Pas tyre vjen populli opozitar, i cili e vulosi fitoren historike me votimin e lirë e plebishitar më 22 Mars 1992.
Demokracia është vetë populli. Demokracia je vetë ti. Ajo është e pamposhtur, në qoftë se nuk mposhtesh ti, socialisti i thjeshtë e i ndershëm, demokrati i pakompromentueshëm, lësëisti, socialdemokrati, republikani apo ballisti i anatemuar e i portretizuar nga teatri i kukullave në kohën e diktaturës e propagandës mashtruese e dhunuese të partishtetit. Sentenca e lashtë “Për aspera ad astra”(“Në rrugën plot driza drejt yjeve”) ishte dhe është prova ku ne do të kalojmë të gjithë. Nuk kemi si të bëjmë ndryshe, veçse ta hapim veten ndaj dritës, ndaj së vërtetës, ndaj gëzimit të festës, ndaj së ardhmes në familjen europiane. Kthimi prapa është më i keq se çdo vdekje.
Hamit TAKA