Ndërsa kryeministri Edi Rama i bën thirrje biznesit që të rrisë pagat, ai bën mirë të mos harrojë se oqeani i parave të drogës në ekonominë e vendit është faktori që po gërryen aftësinë e vendit për të prodhuar mallra dhe shërbime për eksport.
Nga Gjergj Erebara, BIRN
Në vitin 2016, një fabrikë veshjesh apo këpucësh në Shqipëri, e cila shet për eksport, i bënte llogaritë me kursin e këmbimit 1 euro = 140 lekë. Në mënyrë tipike, nëse një fabrikë prodhon këpucë, fitimi i saj bruto është rreth 2 euro për palë. Këto 2 euro, apo 280 lekë, shërbenin për të paguar rrogën e punonjësve, qiranë, sigurimet shoqërore, taksa të tjera apo fitimet e pronarit, që të gjitha këto shpenzime në lekë.
Gjashtë vjet më vonë, 1 euro kushton 113 lekë, 24% më lirë se sa atëherë. Në mënyrë që fabrika e veshjeve apo këpucëve të paguajë të njëjtat rroga si atëherë, asaj i duhet të rrisë të ardhurat nga shitja e punës së vet me 24%. Kjo, vetëm për të mbuluar humbjet nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit. Por nëse fabrika do të duhet të rrisë pagat, atëherë ose eficienca e saj në punë duhet të rritet më shumë se sa 24%, ose çmimi i shitjes duhet të rritet me norma të jashtëzakonshme.
Gjatë kësaj periudhe kostot e tjera të të bërit biznes janë rritur. Taksat që qeveria kërkon nga të punësuarit, dhe që në mënyrë të rrejshme i parashtron si “pagë minimale”, janë rritur. Kostot e transportit dhe të karburantit janë rritur si pasojë e taksave të qeverisë “Rama”. Dhe kostoja e jetesës së punonjësve, fjala vjen, fatura e tyre e energjisë elektrike apo e ujit, është rritur, gjë që kërkon të ardhura më të larta për të jetuar.
Por problemi më i madh nga të gjitha duket se është kursi i këmbimit.
Leku filloi të forcohej rreth vitit 2016, kohë që përkon ne valën e parë të kultivimit masiv të marijuanës, ndërsa nga viti 2018, Banka e Shqipërisë u detyrua të ndërhyjë në treg për të blerë euro me qëllim që të shmangë forcimin e mëtejshëm. Që nga ajo kohë, vendi është goditur nga një tërmet, është goditur nga pandemia e COVID-19 si dhe nga kriza e çmimeve të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë, tre tronditje këto të cilat normalisht do të kishin shkaktuar shqetësim serioz për stabilitetin makroekonomik të vendit.
Me pak fjalë, kur vendi u godit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, logjika ta do që shpenzimet e qeverisë në ndihmë të të goditurve do të sillte importe të larta dhe presion nënçmues kundrejt lekut në kursin e këmbimit valutor. E po kështu, ndërsa COVID-19 detyroi shqiptarët të zhysnin dorën thellë në kursimet e veta për të paguar kujdes mjekësor, ajo që logjikisht pritet është që leku të nënçmohet. Por as këto dhe as kriza e çmimeve të vitit 2022, me shpenzimin e qindramilionë eurove për import të energjisë elektrike apo për karburant, jo vetëm që nuk i dëmtuan shanset e lekut për sukses, por leku as nuk denjoi të bezdiset nga këto kriza. Në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa tanket ruse po sulmonin Ukrainën, euro kushtonte 122 lekë. Deficiti tregtar i vendit arriti gjatë vitit 2022 në mbi 4.1 miliardë euro, me një rritje prej 280 milionë eurosh në krahasim me vitin 2021. E megjithatë, leku fitoi 8% të tjera dhe sot euro kushton 112 lekë.
Forcimi i lekut është një faktor madhor që po gërryen aftësinë e vendit për të prodhuar mallra dhe për të eksportuar mallra apo shërbime. Industria fason është shembulli më i dukshëm sepse është një ekonomi e varfër, ku luhatjet në kursin e këmbimit ndjehen më shumë. Por çdo gjë tjetër ecën në këtë drejtim. Qumështi pluhur i importit konkurron me çmim më të ulët qumështin e fermerit të vogël, pushimet që një shqiptar mund të kalojë në Greqi kushtojnë krahasimisht më lirë se sa më parë. Pushimet që një kosovar kalon në Shqipëri kushtojnë krahasimisht më shtrenjtë. Në çastin që kosovarëve u liberalizohen vizat, siç shpresohet të ndodhë së shpejti, i ashtuquajturi turizmi patriotik fillon të konkurrohet nga turizmi ekonomik. Distanca Prishtinë-Selanik është fare pak më e madhe se sa distanca Prishtinë-Durrës.
Natyrisht që forcimi i kursit të këmbimit është vetëm një nga problemet ekonomike të vendit. Korrupsioni është problemi tjetër madhor, i cili e bën të pamundur që vendi të ketë infrastrukturën e nevojshme bazë për zhvillim. Numri i qyteteve që kanë ujë të pijshëm dhe furnizim të rregullt numërohet me gishtat e njërës dorë. Rrugët prishen menjëherë sapo u hidhet një dorë asfalt elektoral. Vendi harxhon qindramilionë euro për rrugë që nuk përfundojnë kurrë. Në fund të fundit, rritja ekonomike është asgjë më shumë se sa një përmirësim gradual. Një rrugë e re sjell kursim në kosto, karburant, pjesë këmbimi, kohë. Por në rast se paratë e rrugës vidhen, atëherë nuk ka rritje ekonomike e nuk ka se si të ketë rritje pagash.
Sa i përket kursit të këmbimit, logjika ekonomike sugjeron se e kundërta duhej të kishte ndodhur. Një vend i varfër mban një tolerancë më të lartë ndaj inflacionit se sa një vend i pasur. P.sh., objektivi i Bankës Qendrore Evropiane për normën e inflacionit në Eurozonë është “pranë por poshtë 2%” në vit. Objektivi i Bankës së Shqipërisë është 3% në vit me luhatshmëri nga 2 deri në 4%. Këto janë themele të vendosura me supozimin që, përgjatë tre dekadave të ardhshme, ekonomia e Shqipërisë do të rritet për t’u afruar me mesataren e Bashkimit Evropian. Do të thotë që ekonomia shqiptare do të rritet me ritëm më të shpejtë rritjeje se sa ekonomia e BE-së dhe ritmi më i shpejtë i rritjes nënkupton nevojën për shkallë më të lartë inflacioni. Dhe kjo nënkupton një nënçmim gradual të lekut kundrejt euros, por jo forcim të tij.
Kjo gjë nuk ka ndodhur, së paku që nga viti 2016 e më pas, për shkakun e dukshëm se paratë e drogës janë sheshit dhe ato po forcojnë lekun dhe po vrasin prodhimin vendës. Është një fenomen i vjetër ky i njohur nëpër botë. Quhet sëmundja holandeze. Normalisht që pagat nuk mund të rriten për sa kohë prodhimi i veshjeve dhe këpucëve konkurrohet në mënyrë indirekte nga suksesi i trafikantëve shqiptarë të drogës në Mbretërinë e Bashkuar. Normalisht që punëtorët, duke mos pasur mundësi që të sigurojnë të ardhura normale me punë në Shqipëri, do të shkojnë të sigurojnë këto të ardhura në emigrim, kryesisht në punë të vështirë dhe të ndershme, e me raste, me krim dhe drogë.
Zgjidhja për këtë problem nuk konsiston te negociatat për të rritur rrogat me punëdhënës që llogarisin se sa mall shesin e sa të ardhura kanë. Zgjidhja fillon me sekuestrimin e parave të krimit.