Ministria e Jashtme e Turqisë, e ka mirëpritur ujdinë midis dy vendeve duke shtuar se pret që të dy palët të respektojnë plotësisht dispozitat e marrëveshjes në fjalë dhe të arrijnë rezultate konkrete në periudhën e ardhshme.
Ministria e Jashtme e Turqisë, e ka cilësuar të rëndësishme pajtueshmërinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Përmes një komunikate për media, ky dikaster e ka mirëpritur ujdinë midis dy vendeve duke shtuar se pret që të dy palët të respektojnë plotësisht dispozitat e marrëveshjes në fjalë dhe të arrijnë rezultate konkrete në periudhën e ardhshme.
“Mirëpresim që në prag të arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 27 shkurt 2023, në kuadër të udhërrëfyesit të Bashkimit Evropian, liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin e zbatimit të marrëveshjes në fjalë në Ohër. Shpresojmë që palët të respektojnë plotësisht dispozitat e marrëveshjes në fjalë dhe të arrijnë rezultate konkrete në periudhën e ardhshme”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, në këtë njoftim theksohet se Turqia do të vazhdojë të mbështesë të gjitha iniciativat që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vendi ynë ka kontribuar në këtë proces, veçanërisht në çështjen e shpërndarjes së energjisë elektrike. Presidenti ynë së fundmi pati takime të ndara si me presidentin serb Vuçiq ashtu edhe me kryeministrin e Kosovës Kurti”, vijon njoftimi.
Ndryshe, të shtunën shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.
Duke iu adresuar gazetarëve, ai tha se kjo është një “arritje e rëndësishme”.
“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”. syri.net