Nga Staffan Heimerson-Aftonbladet
Shqiptarët janë në qendër të vëmendjes teksa Britania miraton ligje për t’u mohuar atyre azilin prej se kontrabandistët i çuan ata përmes Kanalit Anglez me gomone.
Pse duan të largohen nga një vend që po përjeton kohën më të mirë ndonjëherë në histori dhe të shkojnë me vuajtje në një vend që është në një spirale në rënie dhe nuk do t´ia di për ta?
Pyetjet i shtrova gabimisht. Shqipëria është vetëm një detaj në një foto më të madhe dhe shqetësuese:
Të gjitha vendet e Ballkanit janë duke u zbrazur nga njerëzit. Askush nuk dëshiron të qëndrojë. Edhe pse regjimet e tyre të vjetra komuniste janë shembur dhe njerëzit janë të lirë.
‘Shkon një, shkojnë më shumë, shkojnë të gjithë ‘
Por pse po largohen kaq shumë shqiptarë, dhe pse konkretisht në Britani, e cila ka miratuar një ligj që synon t’i trajtojë ata keq?
Një suedez me njohuri për stilin e jetës shqiptare më shpjegoi: ‘Shkon një, shkojnë më shumë, shkojnë të gjithë ‘. Ka të bëjë me të qenurit bashkë. E shikojnë këtë si një formë bashkimi familjar.’
Një sondazh i Gallup-it, katër vjet më parë, zbuloi se 60 për qind e popullsisë së rritur të vendit donte të largohej nga vendi i tyre. Si arsye ata deklaruan ‘korrupsionin, pagat e ulëta, kushtet e këqija të punës dhe cilësinë e dobët të jetesës’.
Atyre s´u bëjnë përshtypje frazat hipokrite britanike – ‘ne po luftojmë kontrabandën e qenieve njerëzore … nuk duam t’i shohim njerëzit të mbyten gjatë udhëtimit të tyre të rrezikshëm nëpër kanal…’
Vitin e kaluar 12301 shqiptarë kaluan Kanalin Anglez. Distanca është e shkurtër, moti shpesh i mirë. Vetëm pak veta u mbytën. Në Tiktok atyre u ishte ofruar ndihmë për të hyrë në Britaninë e Madhe me kamion nga Belgjika ose me varka nga Franca. Çmimi për person ishin nga 2000 deri në 5000 pund.
Roja bregdetare britanike thotë se ‘bandat kriminale shqiptare kanë zënë vend në brigjet e Francës veriore’. Ndaj, kryeministri britanik Sunak premtoi para pak ditësh se do t’i japë presidentit francez Macron 500 milionë euro që francezë të godasin ’kontrabandistët e njerëzve’.
85 për qind e shqiptarëve që zbarkojnë kërkojnë azil. Pranohen afër 53 për qind e aplikimeve dhe janë kryesisht gra dhe fëmijë; shumë gra pohojnë se janë viktima të trafikimit. 13 për qind i referohen një organizmi që merret me skllavërinë moderne; Të gjitha këto të dhëna janë më të larta se për çdo vend tjetër.
Autoritetet britanike flasin pa turp për bandat shqiptare që ‘në një shkallë industriale rritin ose importojnë kanabis dhe janë gjithashtu lojtarë kryesorë në tregun e kokainës’. Përqindja e shqiptarëve në burgjet britanike është në mënyrë disproporcionale e madhe.
Përshtatur nga origjinali syri.net