Për të shkruar këto radhë, mora shkas nga një emision i mbrëmshëm për vrasjen e një gruaje dhe plagosjen e disa të tjerëve në një lokal në rrugën “Don Bosko”.
Një gazetar i ftuar bëri një deklaratë të tmerrshme: 90 përqind e lokaleve tona janë pronë e trafikantëve dhe keqbërësve. Dhe, kur moderatorja e pyeti e habitur “90 përqind?”, ai u përgjigj “mos u çudisni se janë edhe më shumë se kaq”.
Ndjeva një pështjellim të madh dhe më erdhi mendja vërdallë. Teksa gazetari vazhdoi të fliste me një duf dhe zell të madh dhe kjo më bëri të përfytyroja rrezikun që na pret në çdo çast, teksa gjerbim kafenë e përditshme nganjëherë me shije, por shpesh për forcë zakoni, më bëri të përfytyroja fëmijët që si flutura vijnë rrotull tryezave ku janë prindërit e tyre.
Dhe për mua mjafton kjo të mos rri e qetë, por të shoh me dyshim përreth, se, ku i dihet, ndoshta ndonjë kriminel mund të gjendet në tryezën pranë meje dhe mund të bëjë hatanë sa hap e mbyll sytë. Emisionet tona televizive që përcjellin këto ngjarje makabre janë shqetësuese.
Të gjitha kanalet bëjnë një zhurmë të madhe mediatike, krijohet një kakofoni e paparë dhe, po ta kalosh pultin nga një kanal te tjetri, dëgjon shungullimën e fjalëve, opinionistët që ia presin fjalën njëri-tjetrit për të treguar se sa shumë dinë, sa epërsi kanë mbi njëri-tjetrin dhe çfarë çudira na thonë.
Por, në fund të fundit, çfarë të mbetet kur bën parakalimin e kanaleve?
Të mbetet një shije e hidhur në gojë. Dhe vëren se ata opinionistë që zhurmojnë, japin opinione pa menduar efektin që mund të shkaktojnë tek ata që i dëgjojnë. Dhe pastaj çuditemi pse Big Brother ka një audiencë aq të madhe, sa i mbulon me krater hiri të gjitha emisionet tona me tematikë politike, sociale, apo të kronikës së zezë.
Kjo besoj se s’ka nevojë të shtjellohet; ajo çka mund të thuhet me keqardhje është që këto emisione e “gërricin plagën, në vend që ta mjekojnë”, përcjellin informacione nganjëherë alarmuese, që krijojnë një psikozë frike tek ata që i shohin.