Bjanka Sijami është një emër i panjohur për lexuesin, por me romanin e saj të parë, “Pritja” ajo shfaqet befasuese duke bërë që ky libër të lexohet me ëndje. Romani është një rrëfim i bukur, por edhe një ndërthurje e shkëlqyer e linjave dhe personazheve që janë vendosur në harmoni.
Në këtë roman autorja ka trjtuar një nga plagët më të dhimbshme të shoqërisë, atë të emigracionit. Shqiptarët largohen nga vendi për një jetë më të mirë, por në dhe të huaj ata përballen me shumë dilema, sakrifica dhe të papritura, të cilat autorja i ka trajtuar me mjeshtëri në romanin “Pritja”.
Në qendër të romanit janë dy të rinj të dashuruar, Nexhadi dhe Egzona. Egzona, një gjimnaziste që përjeton dashurinë e saj, një dashuri sa magjepsëse, po aq edhe e trishtë. E trishtë sepse papritur i dashuri i saj, Nexhadi lë shkollën dhe vendos të largohet drejt Gjermanisë për të siguruar para që të blejë një shtëpi ku ata të jetonin të lumtur.
Ai i kërkon të dashurës ta presë dhe i premton se do të kthehet për të ndërtuar jetën e tyre në lumturi. Por ende pa mbërritur në Gjermani ai përballet me shumë të papritura dhe pabesi. Sapo mbërrin në Gjermani ai futet në kurth nga njëri nga të rinjtë me të cilët po udhëtonte dhe pëson aksident me vdekjen e një fëmije. Futet në burg dhe qëndron gjatë, ndërsa Egzona kishte humbur çdo kontakt dhe nuk dinte asgjë për të.
Egzona pas ndarjes me Nexhadin, sapo ai hipën në furgonin e kurbetit, përjeton një dhembje të tmerrshme dhe përfundon në spital. Aty kalon ditët më të errëta të jetës së saj, por një ditë ajo mëson nga mjeku se ishte shtatzënë dhe jeta e saj tashmë kishte një tjetër diemension…
Vetëm ardhja në jetë e djalit të saj, Anuarit, e bën Egzonën që ta dojë jetën dhe të shpresojë se një ditë babai i fëmijës së tyre do të kthehej.
Vitet kalonin ndërsa Egzona vazhdonte të priste në ankth dhe vuajtje pafund, pa marrë asnjë lajm nga i dashuri i saj. Megjithatë, ajo shpresonte se Nexhadi do të kthehej një ditë.
Egzona tashmë në një moshë të madhe u rrëfen historinë e dashurisë dy mikeshave të saj, Erandës dhe Mirës. Një ditë, papritur Mira mëson se bashkëshorti i saj, Drini e tradhëtonte dhe ajo tronditet aq shumë sa kur del nga shhtëpia e përplas një makinë dhe përfundon në spital. Egzona dhe Eranda qëndrojnë gjatë në spital tek mikja e saj dhe aty ndodh edhe e papritura për Egzonën.
Aty vjen nga Gjermani Nexhadi me shokun e tij, i cili kishte lidhje familjare me Mirën që ndodhej e shtruar në spital. Takimi i papritur i Nexhadit me Egzonën dhe djalin, Anuarin që tashmë ishte bërë burrë ishte tronditës dhe emocionues…
Romani “Pritja” i Bjanka Siajmit të mban mbërthyer teksa e lexon. Njëkohësisht ky libër përcjell edhe një mesazh të bukur për të rinjtë, por sidomos për vajzat dhe gratë. Dashuria kapërxen çdo pengesë dhe vështirësi. Ndërtimi i një familjeje të shëndoshë bëhet vetëm nëpërjet dashurisë dhe sakrificave.