Nga Gjet Kadeli
Pjesa e pestë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit dhe ajo hetimore e gjyqësore ) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj. Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri-dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 27 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati e më pas në vitin 1951, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe 35 vjeçare, që Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çezma e Trojës”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Çezma e Trojës”
Raport i datës 25.9.1968
Me datën 19.9.1968, ai është takuar me Gjet Kadelin dhe gjatë bisedës, Gjeta i tha atij se; ku ke punuar, se nuk të kam parë, ai thotë: në Frutikulturë, mbas kësaj, bie fjala e lejes së çiftes së atij, në këtë kohë, Gjeta i thotë atij, se; ty ta kanë hequr çiften, për arsye se ti edhe unë, jemi llumi i proletariatit, mbas kësaj, ra muhabeti lidhur me Çekosllovakinë.
Gjeta thotë; lëre atë, por këta i kanë punët keq, ishallah po u plas nga brenda dhe shkatërrohen dhe atëhere, neve do të shpëtojmë njëherë e mirë, kështu kjo gjendje, nuk do të qëndrojë, kjo është shumë e shpejtë, kur isha një ditë në Tiranë, nuk shihje asnjë polic në rrugë, por në vend të tyre, kishin vendosur nga këta të çetave vullnetare. Më gjatë, nuk vazhdoi biseda.
“Çezma e Trojës”
Detyra:
1.Të gjeni mundësinë dhe të takoheni përsëri me Gjet Kadelin dhe në bisedat me të, t’i thoni; unë me ty Gjetë, po çuditem, se si flet nga njëherë, shumë gjëra më thatë radhën e parë, por mua nuk më mbushet mëndja, sepse Shqipërisë, gjithkush ja ka parë sherrin, deri më sot, prandaj, ajo që thua ti, edhe unë, kurrë nuk bëhet, kjo me qëllim, që çfarë do të thotë ai.
Sqarimi i të dhënës:
E dhëna e B.p., duhet besuar, kjo për vetë faktin, sepse, për Gjetën, kemi edhe të dhëna nga B.p. “Mbrehija”, i cili, ka filluar të flas. Gjeta, kohët e fundit, la filluar të afrohet me organet tona, për të bashkëpunuar me këto organe, por një i afrim i tillë, është vetëm sa për të humbur gjurmët dhe në drejtim të tij, ne të mos kemi asnjë dyshim.
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Mbrehija”
Raporti i datës 22.10.1058
Burimi njofton se, më datën 15.10.1068, është takuar me Gjet Kadelin nga Mamurrasi, takimin e kanë bërë në shtëpinë e Gjetës, në bisedë midis tyre, ra muhabeti i atyre që kanë shkuar në zbor dhe nuk janë, e në këtë kohë, Gjeta tha se; me sa kam mësuar unë, ata i kanë çuar në Durrës, sepse në afërsi të kufirit tonë, ka ardhur Flota Sovjetike dhe ajo Amerikane dhe kanë frikë prej tyre, se mos i sulmojnë, por ata tha Gjeta, po të duan, e marrin Shqipërinë brenda një ore, se ata, nga ana luftarake janë shumë më të fortë se neve, ushtarët tanë dhe ato pak që dinë, nga ata i kanë mësuar, ata tha Gjeta, do ta sulmojnë Shqipërinë, por nuk duan të dëmtojnë popullin, sepse populli, nuk ka faj, por udhëheqja, sepse ata po e gënjejnë popullin, dhe i kanë bërë të pakënaqur, më andej, vazhdoi Gjeta, se unë kam pasur një motër në Tiranë, të martuar tek Luigj Frroku, por kjo, meqenëse ishte me qëndrim të keq politik, e kanë largue prej këndej dhe e kanë internuar në Elbasan, në një fshat, kështu që populli, nuk është me këta, në këtë kohë, u pre biseda midis tyre, pasi erdhi Preng Bardhi, i kunati i Gjetës.
“Mbrehija”
Detyra:
- Të takoheni përsëri me Gjet Kadelin dhe në bisedë me të, t’i thoni: Në bisedën e parë, juve Gjetë, më thanë se në kufirin tonë, ka ardhur Flota Sovjetike dhe Amerikane dhe me të vërtetë, unë jam çuditur. Nga e ke marrë vesh një gjë të tillë, kanë dalë në shtyp, apo e ke dëgjuar gjëkundi në radio, apo ndonjë shok, se ti ke shok shumë sa dreqi, nga të gjitha anët dhe për këtë të përgëzoj. Duke vazhduar këtë bisedë, mëso se çfarë pakënaqësish do të flas ai.
Sqarimi i të dhënës:
E dhëna për Gjetën, është e rëndësishme, për vetë faktin sepse ky, duke u afruar me organet tona, është hedhur në aktivitet armiqësor. Afrimi që bën ky me këto organe, është sa për të na hedhur hi syve dhe të mbulojë gjurmët e tij prej armiku. Gjithashtu kjo e dhënë, prej këtij B.p., vërtetohet edhe nga B.p., “Çezma e Trojës”,
Masat Operative:
E dhëna për Gjet Kadelin, të shtypet në një kopje dhe të vendoset në dosjen e tij, në drejtim të këtij përpunimi, të punohet për të mbledhur materiale me forcë ligjore, për ta goditur.
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çezma e Trojës”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Çezma e Trojës”
Raport i datës 24.1.1969
Burimi njofton se ai u takua me Gjet Kadelin, ndër të tjera, ai i thotë, se; a të ka çuar ndonjë letër baba, ose vëllai, që ke të arratisur në Amerikë. Po, tha Gjeta, kam tre javë që kam marrë një letër, dhe më thoshte se, jam mirë dhe shumë rehat, po kështu, ata më kanë dërguar edhe lek, por m’i kanë kthyer mbrapsht, e deri tani, më kanë kthyer mbi 300 dollarë, po kështu, baba më shkruan që, të rregullojmë një palë shtëpi, me shtatë dhoma, me gjeometër.
Së shpejti, do të bashkohemi, thotë baba, në bisedë, Gjeta thotë, se; bisedën me babën, nuk kam pse e ndërpres, sepse kam për t’u bërë burrë i mirë, me Partinë dhe me Enver Hoxhën, ai në këtë kohë, thotë se; Pjetri nuk ka sesi të vijë e të bashkohet, sa të jetë kjo parti, që është e pabesë.
Më andej, Gjeta tha se; kjo parti, nuk e ka të gjatë, ai thotë, a din gjë, apo flet kot, se edhe mua, kjo qeveri më ka pushkatuar axhën. Gjeta tha; me siguri, nuk di gjë, por, të gjitha këto përgatitje ushtarake, nuk i bëjnë kot, por shohin ndonjë gjë dhe i bëjnë, këta i rrejnë mëndja se, do të fitojnë, por nuk fitojnë kurrë.
Një ditë Gjeta, ka qenë në shtëpi të Dod Pjetrit, në katundin Delbnisht, bashkë me atë, në mur, Doda kishte një fotografi të shokut Enver, që përqafonte një fëmijë. Dod Frrok Prenga, nga ky katund, tha: “Shumë po i don fëmijët”. Gjeta tha se; këta fëmijë, ky i merr, për formë, që të duket si udhëheqës, më gjatë nuk vazhdoi biseda, u bënë vetëm biseda familjare.
“Çezma e Trojës”
Detyra:
Takohu me Gjet Kadelin dhe në biseda, t’i thoni, se; po më çudit me këto biseda që po më thua, se shumë kemi thënë neve, kështu që neve, edhe të tjerë, por ndonjë gjë deri më sot, nuk është realizuar, këta kanë fituar dhe po fitojnë, sado të themi që këta s’janë mirë, këta mirë dhe po forcohen çdo ditë, veç këtyre, në biseda, përsërit, pyetje rreth babës dhe vëllait të tij që ka të arratisur, çfarë thotë për ta, e të tjera.
Sqarimi i të dhënës:
Gjeta është në pozita armiqësore, ky megjithëse është afruar me organet tona për të bashkëpunuar, por këtë e bën për të humbur gjurmët. E dhëna e këtij B.p., është e vërtetë dhe duhet besuar.
Masat Operative:
Në drejtim të Gjetës, të vendoset kontroll i rreptë, për të mësuar veprimtarinë e tij dhe të shikohet se, këtu nuk e zhvillon vetëm, por ka edhe të tjerë bashkëpunëtorë, si Nik Deda dhe Kristaq Lena, që të gjithë, ndiqen nga organet tona.
Të mbahet në lidhje formale, por detyra të mos i jepen, sepse, edhe ato të dhëna që ka dhënë, janë vetëm histori. B.p., që veprojnë në drejtim të tij, janë të mirë, por të drejtohen me kujdes që të mos digjen, se Gjeta, është i rafinuar, për këta, të hartohet vijë-sjellje.
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Mbrehija”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Mbrehija”
Raport i datës 10.2.1969
Burimi njofton se me datën 3.1.1969, është takuar me Gjetën, takimin e kanë bërë në shtëpinë e tij, në biseda ai dëgjoj ku Gjeta tha: Jemi tuj vujt shumë, s’kemi me se të mbajmë fëmijët, me 5 lekë, të reja, që marrim në kooperativë, nuk jetohet, as bukë e kripë, nuk na dalin, populli është duke vuajtur shumë dhe prej kësaj qeverie, janë bërë të pakënaqur, në qoftë se, ndodh ajo që ndodhi në Çekosllovaki nga populli, as edhe një nuk është më nga këta.
Më andej, Gjeta tha se; në Shqipëri, vetëm Byroja Politike jeton mirë, kurse populli, vuan, ata hanë në kurriz të popullit, më andej vazhdoi, duke thënë se, vendi jonë, i ka keq punën me vendet e Evropës dhe Ballkanin, se nuk e përkrah njeri, neve kemi ngelur vetëm me Kinën, me 700.000 ushtarë që kemi, Shqipëria nuk mbahet, Jugosllavija dhe Greqia, kanë nga 1.000.500 ushtarë, që po të sulmojnë vendin tonë, menjëherë e zaptojnë, neve vetëm llafe kemi, se asgjë nuk bëjmë, dhe nuk kemi asgjë në dorë.
Mbasi mbaroi këtë bisedë, Gjeta tha, se; kjo rrojtje që bëjmë neve, në vendin tonë, është shumë e vështirë, kurse jashtë shtetit, siç më ka thënë edhe Nik Deda, i cili ka qenë i arratisur dhe ka ardhur në Shqipëri e, tani është në Mamurras, se jashtë shtetit jetohet mirë, me ushqime dhe luks, ka boll. Nika me Gjetën, kanë shoqëri dhe vazhdimisht takohen me njëri-tjetrin.
Duke vazhduar bisedën, Gjeta i tha atij, se; po të duash, po të gjej një pushkë e ta mbash me leje, dhe këtë po ta gjej unë, se unë jam i lidhur me Sigurimin, me Gjolek Alinë, në Tiranë, unë kam qejf që të dal jashtë shtetit, për të punuar dhe sa të dal unë, do të bëj punën time, prandaj, po të gjej dhe ty armë, hajde me mua, të punojmë bashkë me Sigurimin, ai në këtë kohë, ju përgjigj, se këto që po më thua more Gjetë, unë nuk dua t’i dëgjoj më, se m’i ke thënë edhe njëherë tjetër, se ti e di mirë, që nga ky pushtet, më janë vrarë dhe pushkatuar tre vëllezër, e si të bëhem me këta. Gjeta i tha këtij, se; unë kam besim tek ty, pa t’i them, se po qe ashtu, nuk takohesha fare.
Duke vazhduar bisedën, Gjeta tha, se; para ca kohe, më erdhi Gjon Buna, në shtëpi, dhe në biseda më pyeti, se si ndodhet X situata dhe a thua se do të kemi ndonjë gjë në ndryshimin e situatës, unë tha Gjeta, ju përgjigja, duke i thënë, se; ata që të kanë çuar për të mësuar nga unë, shkoni dhe mësoni nga ndonjë tjetër, prandaj, nga keni ardhur, shkoni, Gjonin, unë e kam pasur shok, por tani nuk e dua. Gjithashtu, Gjeta tha se; me Sigurimin, punojnë Pjetër Bardhoku, dhe Asllan Milla dhe për këta, flet keq si njerëz, që kanë tradhtuar shoqërinë, duan të marrin njerëz me llafe të kota e gënjeshtra, në qafë.
Më andej, Gjeta vazhdoi, se nga ana e ekonomisë, jam keq, por para disa ditëve, i kam marrë një shoku, lekë borxh 5000 dhe këtij do t’ja laj, për 5 vjet, me fitim, se ndryshe, nuk kam si të mbaj familjen. Ai thotë se, Gjeta në shtëpi, bën punë private, bën korniza dhe i shet, këto i bën me materialin e kooperativës, të cilët i kanë thënë, mere materialin e puno në shtëpi, Gjeta në kooperativë, punon 10 ditë dhe pjesën tjetër, e bën, poshtë e lart.
“Mbrehija”
Detyra:
Takohu me Gjet Kadelin dhe në biseda që do të bëni me të, thoni; Gjet, unë po çuditem me juve, se nga i dini të gjitha këto gjëra, që po më thoni mua, këto i thoni nga vetja, se ju pëlqen, apo jua ka thënë ndonjë tjetër, se unë more vëlla, nuk marr vesh nga këto punë, vetëm çfarë po më thua ti, unë mor Gjetë, nga ky pushtet, jam i vrarë, por, ato që do ti, edhe unë, kurrë nuk do të na plotësohen. Në qoftë se, do të bjerë fjala, që të thotë se, unë punoj me Sigurimin, thuaj, se këto punë nuk më duhen mua, këto i din ti, dhe mos na shit mënd, se ti, vetëm llafe kem dhe asgjë tjetër, prandaj rri urtë në shtëpinë tënde, se ti nga këto, u dogje njëherë.
Sqarimi i të dhënës:
E dhëna është e rëndësishme dhe me vlerë operative, për çfarë shkruhet në informata, duhet besuar dhe është e vërtetë, se Gjeta kohët e fundit, është afruar me organet tona, për këtë afrim Gjeta, përveç B.p., i ka thënë edhe një personi tjetër, Pjetër Lugjës, këtë afrim, Gjeta, e ka vetëm për formë, për të na hequr vëmendjen.
Masat Operative:
Në drejtim të tij, të merren masa që ky të përpunohet mirë dhe të mbahet nën kontroll të plotë, sepse ka mundësi, që edhe të arratiset, këtë mund ta bëjë, duke humbur gjurmët me afrimin me organet tona.
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Raporti sekret i Punëtorit Operativ, Thanas Toto, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çezma e Trojës”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij, me persona të ndryshëm
Marrë: P.Op. Thanas Toto
Dhënë: B.p. “Çezma e Trojës”
Raport i datës 21.2.1969
Burimi njofton se, me datën 11.2.1969, Gjet Kadeli i tha atij, duke shkuar nga Kooperativa Bujqësore për në Mamurras, se njerëzit sot, janë bërë pehlivanë, shkojnë për fije te telit, prandaj duhet me pas kujdes, të njohësh mirë tjetrin, pastaj të lidhesh, se ka pas qenë një njeri, tek Kisha e Shëna Ndojt, që quhej Zef, dhe ky njeri fliste, por unë kam bindjen, se ka qenë i lidhur me Sigurimin, po kështu, me Sigurimin është dhe Ali Zenel Dervishi, nga Bushneshi, që ky dogji dhe xhaminë e Shpërdhetit, këtë duhet ta ketë djegur, sipas porosive të tyre.
Në bisedë, Gjeta ai tha atij, se; tani jam duke u munduar, për t’i rregulluar një nuse Gjon Vat Hotit, nga Mamurrasi, i cili ka qenë në burg dhe kohët e fundit, është liruar, këtij unë do t’i jap motrën e një miku tim, i cili ka qenë në Tiranë dhe tani e kanë internuar në Berat. Gjon Vata, është burrë i mirë, por qysh kur ka qenë në burg dhe tani, është akoma më i mirë, ai thotë se Gjeta me Gjonin, takohen njëherë në çdo dy ditë.
“Çezma e Trojës”
Detyra:
Takohu me Gjetën dhe në biseda, thojini, ti Gjetë më porosit mua që, të mos lidhem me persona pa i njohtë, por unë do të them ty tani, se, ti me shumë veta po lidhesh, si, Gjon Vatën, Nik Dedën, që është nga Shkodra, me sa kam dëgjuar, ka qenë edhe në arrati, me Kristaq Lenën dhe ma mere mëndja, se çfarë flet me mua, flet dhe me ata, por unë të them, mos u hap shumë, se do digjesh, megjithatë, ti ke mendjen tënde dhe bën si do ti. Gjithashtu, në biseda me Gjetën, për të gjithë këta që thamë më lart, bisedoni për secilin, se çfarë do të thotë Gjeta për ta. Me Gjetën, bisedoni përse e hoqën motrën e tij nga Tirana dhe e internuan në Berat, si e shpjegon këtë.
Sqarimi i të dhënës:
E dhëna e B.p. është e vërtetë, kjo vërtetohet edhe nga burime të tjera. Gjeta njihet me shumë persona që janë të dyshimtë dhe kanë qenë nëpër burgje, me ta së bashku, zhvillon aktivitet armiqësor. Interesimi i tij, për të martuar Gjon Vatën, është i veçantë dhe kjo duhet parë mirë. Memorie.al
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Vijon