Një grup i grave dhe nënave të ushtarëve rusë, i kanë bërë thirrje presidentit Vladimir Putin që të ndalojë dërgimin e burrave dhe djemve të tyre “në thertore”, duke i detyruar ata të bashkohen në luftë pa trajnime apo furnizime të duhura. Videoja u publikua në kanalin e pavarur rus Telegram SOTA.
Gratë në video thonë se më të dashurit e tyre “u detyruan t’i bashkohen grupeve të sulmit” në fillim të marsit, pavarësisht se kishin marrë vetëm katër ditë trajnim që nga momenti i mobilizimit. Dy gra mbajnë së bashku një tabelë në rusisht, shkruan CNN.
“Të mobilizuarit (burrat) tanë dërgohen si qengja në thertore për të sulmuar zonat e fortifikuara – pesë nga pesë, kundër 100 armiqve të armatosur deri në dhëmbë. Ata janë gati t’i shërbejnë atdheut, por sipas specializimit për të cilin janë përgatitur. Ju lutemi, tërhiqni djemtë tanë nga linja e frontit dhe t’u jepni gjuajtësve artileri dhe municion”, thotë një nga gratë.
CNN nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur pretendimet e bëra nga grupi i grave në video. Dërgimi i qindra mijëra qytetarëve nga Rusia për të luftuar në fushëbetejë në Ukrainë, ka ngjallur mosmarrëveshje dhe protesta dhe ka bërë që shumë rusë, veçanërisht të rinjtë, të largohen nga vendi.
“Ne u larguam nga Rusia sepse duam të jetojmë. Kemi frikë se mund të na dërgojnë në Ukrainë”, i tha CNN-it një burrë, i cili kërkoi anonimitetin për të mbrojtur të dashurit që kanë mbetur në Rusi.
Familjet e rekrutëve rusë kanë kritikuar mobilizimin, duke thënë se është rrënuar nga probleme të tilla si mungesa e udhëheqjes nga oficerët e rangut të mesëm, trajnimi joekzistent, problemet e disiplinës, si dhe vështirësitë logjistike si uniformat e pamjaftueshme, ushqimi i dobët dhe mungesa me furnizime mjekësore. syri.net