Nuk do të kisha pasur kurrë dëshirë të shkruaja në një moment të tillë, por me gjithë pikëllimin tim, ndjehem i nderuar t’i them fjalët e lamtumirës në emër të gazetës letrare Nacional dhe Botimeve Nacional, këtij kryepoeti shqiptar !
Vdekja e poetit të famshëm Hamit Ailiaj lë një vend bosh në frymën e kombit shqiptar, në shpirtin e tij të mbijtetesës dhe frymëzimit që Hamit Aliaj e ushqeu me poezinë e tij dhe me shembullin e tij.
Poeti i famshëm Hamit Aliaj, ka një vend të artë në poezinë shqipe.
Hamit Aliaj ishte një poet i madh shqiptar që sot e përjetë po i kthehet vendit të tij të lindjes që e deshi aq shumë, Bjeshkëve të Namuna që i pati dhe do t’i ketë përjetë mbiemer e që Hamiti i bëri të famshme në vend dhe botë.
Arti i tij dhe jeta e tij, përmblodhën cilësitë thelbësore të kombit shqiptar, krenarinë, besën dhe nderin.
Hamit Aliaj me dinjitetin e një malsori dhe poeti të madh refuzoi hipokrizinë, servilizmin, kacavarjen pas pushteteve për të siguruar privilegje dhe karrierë politike, siç kanë bërë shumë të tjerë. Biles edhe me vdekjen e tij ai i përbuz dhe shpërfill këto monstra hipokrite që po i marrin frymën kombit, letërsisë dhe njerëzve të saj.
Kur pushteti korrupton, poezia pastron. Sepse arti vendos të vërtetën si bazë njerëzore, e cila duhet të shërbejë si gur prove i gjykimit tone.
Hamiti bëri jetë të thjeshtë prej poeti, pa patur kujdesin shendetësor të këtij shteti, shpesh u gjend i pa punë gjatë viteve të fundit dhe pa një pension të veçantë, siç e patën shumë shkrimtarë dhe artistë mediokër, edhe pse i kishte dedikuar këtij kombi jetën, krijimtarinë dhe frymëzimin e larte.
Pas Gjergj Fishtës askush nuk i ka kënduar më shumë shpirtit kombëtar se sa Hamit Aliaj.
Aparatçikët do të harrohen sa çel e mbyll sytë, por poezia e tij, tekstet fantastike të këngëve të tij do të rrojnë përjetë, do të frymëzojnë këtë komb sot dhe për brezat që do të vijnë.
Poezia e tij prej fillimit të viteve 1970 e deri në frymën e fundit solli modernitetin, origjinalitetin dhe freskinë e papërseritshme, pastërtinë e fjalës, mençurinë e mendimit dhe depërtimin e thellë në shpirtin njerëzor, mistikën e bjeshkëve të Namuna, pra një poezi unike në literaturën shqiptare dhe botërore.
Vdekja e tij e parakoshme na varfëron të gjithëve, e varfëron letërsinë shqipe; e varfëron Malsinë e Gjakovës dhe Daradaninë, por Hamit Aliaj i ka lënë trashëgim Kombit shqiptar poezitë që e ngritën letërsinë shqipe në një nivel ndërkombëtar, i ka lënë trashegim vargjet e këngëve epike që fryëzuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe Pavarësi dhe gjithë kombin drejt ëndërrës së bashkimit kombëtar.
Në këto momente të përzishme mik i shquar, të afrojmë simpatinë, respektin dhe dhembjen e një kombi të pikëlluar për ndarjen tënde të parakoshme nga jeta, aq sa asnjë fjalë nuk mund ta përshkruajë.
Jam i bindur se kombi ynë do të jetë përgjithmonë mirënjohës për shërbimin tuaj ndaj tij, sot dhe në të ardhmen.
Ne do ta nderojmë përjetë kujtimin tënd!
Shumë njerëz kur vjen ora e gjykimit janë të përhumbur nga frika e vdekjes dhe zemërimi i Zotit. Në thelb njeriu është një grusht pluhuri që ka frikë nga vdekja.
Por ti nuk pate kurrë frikë nga vdekja, me trimëri dhe guxim u ballafaqove më të deri në frymën e fundit.
Të nderuar familjarë të poetit Hamit Aliaj,
Lutemi që hiri i Perëndisë t’ju japë ngushëllim ndërsa jeni të pikëlluar nga kjo humbje e madhe.
Njeriu juaj dhe miku ynë Hamit Aliaj ishte një shembull i ndritshëm i gjithçkaje që është më e mira në tokën tonë. Ishte një mik i shquar i familjes Buçpapaj dhe i botimeve Nacional dhe i tillë do të jetë gjithmonë.
Le të lutemi bashkë që shpirti i tij të gjejë prehjen në paqen e perjetshme!
Lamtumirë poeti i etnisë! Lamtumirë poeti i kombit Hamit Aliaj!