Kur dëgjon zërin e ëmbël të Tefta Tashko Koços përmes disqeve muzikore që ajo ka lënë, dëgjon fërshëllimën që lënë pishat e Bredhit të Hotovës, gurgëllimën e tingujve të valëve të Vjosës, cicërimën magjike të këngëve të bilbilave.
Të duket sikur nga busti i saj në Parkun Qëndror të Përmetit, ajo këndon përjetësisht!
E LINDUR NË EGJIPT
Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Athanas Tashko nga Frashëri i Përmetit dhe i Elena Zografit nga Korça, të cilët prej vitit 1910 ishin vendosur familjarisht në Egjipt.
Tefta u lind, në Egjipt, më 2 nëntor 1910, në qytetin e Failum, një nga qytetet më të vjetër egjiptiane dhe rreth 100 km larg kryeqytetit, Kajros, dhe që shtrihej përgjarë Liqenit Moeris.
Me vdekjen e Thanas Tashkos, më 1915 – asokohe kur Tefta ishte vetëm pesë vjeç – pas gjashtë vitesh në mërgim, familja e tij kthehet në Korçë në vitin 1921, në qytetin e konsideruar si “Parisi i Vogël” i Shqipërisë.
Në Korçë, zëri i Teftës iu la një përshtypje të veçantë, dhe ajo aktivizohet si këngëtare. Në moshën 16-vjeçare, në 1926, ajo mban koncertin e saj të parë në publik.
STUDIMET NË FRANCË
Në Shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato më pas në Konservatorin Superior të Parisit me rezultate shumë premtuese.
Në vitin 1930, Tefta bën incizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe”-Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të iso-polifonisë labe-Neço Mukon.
REPERTORI I ARIEVE LIRIKE
Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në Shqipëri ku më 26 Nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare.
Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj, dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare.
89 KËNGË POPULLORE
Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.
Ndër to po përmend: “Zare trëndafile”, Të dua, moj goc’ e vogël”, Bilbil çapkëni”, Qante lulja lulen”, “Kenke nur i bukurisë”,”As aman, moj lule” etj.
Tefta diti të nxirrte nga kënga popullore ndjenjën e thellë që populli kishte shkrirë në të.
Njihet tanimë faktet se Tefta Tashko i ka mbledhur një shumicë këngësh direkt nga goja e muziktarëve të shquar popullore të vendit tonë.
Një gjë të tillë e provon edhe pjesëmarrja e Teftës së bashku me këngëtaren tjetër të shquar Marie Kraja në festivalin e folklorit të mbajtur në Firence, Itali më 30 Maj 1939 krahas këngëtarëve dhe muziktarëve të shquar popullorë të atyre viteve si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali etj.
“KUR MË VJEN BURRI NGA STANI”
Në listën e gjatë të këngëve popullore të kënduara nga Tefta do të bashkangjisnim edhe këngët popullore të përpunura nga kompozitori Kristo Kono me poezi të Lasgush Poradecit si p.sh “Kroi i fshatit tonë”, apo “Kur më vjen burri nga stani”. Disa nga këngët: “Fryn veriu” (Teksti: L. Poradeci), “Kur më vjen burri nga stani”, “Ishin dy kunata”, “Kroi i fshatit tonë” (Teksti: L. Poradeci), “Të dua, moj goc e vogël”, “Dolla në penxhere”, “ As aman, moj lule”, “As u gremis, moj lajthatë”, “Moj hyrije, bukurie”, “Kur më shkon sokakut”, etj.
Krahas Teftës, do të përmendim edhe dy këngëtare të tjera të shquara në interpretimin e këngës popullore qytetare: Jorgjia Filçe Truja dhe Maria Paluca (Kraja).
NË OPERËN E BEOGRADIT
Në vitin 1945, Tefta këndon në operën e Beogradit me shumë sukses rolin e Mimisë nga opera “Bohemë” e Puçinit dhe atë të Rozinës nga opera “Berberi i Seviljes” e Rosinit.
Në vitin e fundit të jetës ka qenë vazhdimisht e sëmurë. Vdiq në moshën 37-vjeçare, në vitin 1947.
Nga martesa me Kristaq Koço, u lind dirigjenti i njohur, Eno Koço, është djali i Teftës. Një nga dirigjentët më të mirë shqiptarë, i cili përcjell më së miri botën muzikore të trashëguar nga nëna e tij
BUSTI NË QYTETIN E PËRMETIT
Ajo mori titullin “Artiste e Popullit”. Më 2 mars 2004 Këshilli i Bashkisë së Përmetit i dha titullin “Qytetare Nderi e Përmetit”, Përmeti i ka kushtuar një bust këngëtares frashëlleshë.
Një bust, i punuar me shumë dashuri nga Anesti Shuraja, është vendosur së fundi në Parkun Qendror të qytetit, atje ku edhe është projektuar të ngrihet Panteoni i Përmetarëve të Shquar.
PËRMETARËT E SHQUAR PËR TEFTËN
Në Akademinë e Shkencave u promovua libri “Tefta Tashko Koço”, me autor Pandi Bello. Në këtë promovim merrnin pjesë Eno Koço, i biri i Tefta Koços, të afërm, muzikantë, këngëtarë, artistë, njerëz të artit dhe të kulturës. Ky botim monografik është një kontribut me shumë në studimet muzikologjike shqiptare, që me siguri do të pasohet edhe nga të tjera prurje po kaq cilësore të këtij studiuesi në të ardhmen.
VASIL TOLE, Akademik
E lindur në vitin 1910, në prag të Pavarësisë së Shqipërisë, jeta dhe vepra e saj e shkurtër fizike, por shumë e gjatë artistike për nga rëndësia, u lidh pazgjidhshmërisht me pavarësinë dhe shtetin e ri shqiptar, me hedhjen e themeleve të arteve tona, e posaçërisht të muzikës profesioniste shqiptare. Si një pioniere e interpretimit muzikor në Shqipëri, si iniciuese e procesit të këndimit të muzikës sonë popullore dhe asaj të kultivuar përmes programeve të koncerteve publike përpos atyre popullarizues të realizuar përmes disqeve dhe valëve të radios, Tefta Tashko Koço modeloi një realitet evropian në Shqipëri, në vendin ku sipas Faik Konicës:… ungjilli i Muzikës nuk qe predikuar dhe ku njerëzit qenë stërvitur ligsht me trallallata vulgare.
Doc. HOLTA SINA (KILICA), Muzikologe, pedagoge në UA
Një meritë e veçantë e autorit është kapja e thelbit të shpirtit artistik të Teftës (siç e thërret autori me një ajër gati familjar) si dhe nxjerrja në pah e aspektit më të rëndësishëm të karrierës së saj në lidhje me kulturën muzikore kombëtare – regjistrimin (incizimin në pllaka gramafoni) në Paris (me N. Mukon dhe grupin) si dhe në Milano, të këngëve shqiptare. Pikërisht këto këngë, si dhe pjesët klasike që sopranoja i kishte në repertor, fituan prej saj një zë dhe individualitet të papërsëritshëm, gjë që çmohet dhe vlerësohet si arritje e madhe për kohën dhe në kohë.