Kryeministri britanik, Rishi Sunak insistoi dje se ai do i japë fund krizës së krijuar në kufijtë e vendit. Sunak u angazhua se do i japë fund vërshimit të gomoneve drejt vendit të tij.
Sipas Daily Mail, ai kishte një mesazh për shqiptarët që mbërrijnë në Angli përmes Francës.
Ai u kërkoi që të mos paguajnë mijëra sterlina për trafikantët. “Në këtë vend është qeveria ajo që e vendos se kush duhet të vijë dhe jo grupet kriminale,” tha ai, duke shtuar se ka në plan të sfidojë çdo grup të të drejtave të njeriut që sfidon iniciativën e tij.
Plani i Sunak parashikon që t’i ndalohet hyrja përgjithmonë në vend atyre që futen në mënyrë të paligjshme. Po ashtu do lejohet qëndrimi vetëm për të moshuarit dhe të sëmurët e fëmijët.
Pavarësisht qëndrimit të Sunak, ministrja e Brendshme, Suella Braverman tha të mërkurën se presin që 80 mijë persona të mbërrijnë në Angli me gomone. Ky do ishte një numër i jashtëzakonshëm.
Kujtojmë se shumica e atyre që mbërrijnë me gomone në Angli janë shqiptarë. Vitin e kaluar, shqiptarët përbënin numrin më të madh të azilkërkuesve në Britani, me një total prej 14 mijë personash. Prej tyre, rreth 10 mijë deklarojnë se kanë mbërritur në Britani me gomone. syri.net