HAMIT ALIAJ
1.
Një vend po u braktis nga poetët e lartësive poetike rrgallet disi nëpër shkretani jo të vogla. Kjo ka fektue kaherë edhe në qytetin tim alpin, në krahina të rrethit tim në brigje të Valbonës e të Drinit. Eksodi i poetëve të lindur në truallin e Eposit të Kreshnikëve, në Eposin sa epik dhe lirik të Malësisë së Gjakovës (Tropojës) nisi herët. U ba masiv dekadat e fundit. Një qytet pa poetë është si një shtëpi që nuk përkund djepe.
Brezi i poetëve të viteve “70 ishin e mbeten një brez i madhërishëm Ishin e mbeten vargmale poetike. Asokohe banë atë që ndodh rrallë: Tropoja ““ sa për luftërat e mëdha e bukuritë e rralla përmendej edhe për poetët e saj të mirë, të cilët themeluan, promovuan e lartësuan “Shkollën poetike tropojane”. Shqipëria asokohe kishte vetëm dy shembuj të tillë të përngjashëm: Lezhën dhe Tepelenën.
Ma i pari me botime poetike dritnoi Mehmet Elezi me vëllimin poetik “œZhurmojnë ujvarat” (1970). Mbas tij, Ndoc (Anton) Papleka me “œZëri im” (1971), “Ecim” (1974) e “Njatjeta, diell” (1976). Skënder Buçpapaj me “Zogu i bjeshkës” (1973). Avni R. Mulaj me “Valbona e kaltër”(1974), “Orët e mia”(1976) e “Currila”(1977). Hamit Aliaj me “Bjeshkët janë mbiemri im” (1974). Halil Buçpapaj me “Gurrat e rudinave” (1974). Feride (Mahmudaj) Papleka me “Ëndrra dhe fishekzjarre” (1974). Selim Aliaj me “Njerëzit e dritës” (1977). Besnik Mustafaj me “Motive të gëzuara” (1978). Katër poetë: Ndoc Papleka, Xhevahir Spahiu nga Skrapari, Hamit Aliaj e Skënder Buçpapaj me përmbledhjen poetike “Epikë” (Rilindja, Prishtinë-Kosovë, 1979).
Këto yje poetike të viteve “70, ndër kohna, ikën te-tanë nga Tropoja. Selim Aliaj nga Kasajt, “poeti i dritës”, mbeti i parafundit, të cilit kur ishte “œLufta e Kosovës” (1999) s”di se kah plumba vrastarë aksidental ia këputën jetën e fjalën në mes, po mbeti flakadan i ndezur emri dhe poetika e tij. Në një vend ku vriten poetët nuk mund të jetojnë as ujqërit.
Ma i fundit qëndrestar i mos ikjes, nga poetët e Brezit “70, ishte poeti emblematik, Hamit Aliaj. Nuk e di se cila/t e martë ia dha rrugën e ikjes nga bjeshkët e veta, nga qyteti alpin, nga bajraku i Kasajt. Po të tilla të marta kemi secili prej nesh. Vektorë, motive e aktorë të të martave të mëdha e të vogla, disa sish, që e shtynë në kapërcyell të shekullit të ri edhe poetin Hamit Aliaj me u çvendos nga Lugu i Malësisë me qytetërime antike e mesjetare dhe me ra në metropolin e çakorduar të Tiranës kanë nxanë vend edhe tek ma i fundit vëllim i tij poetik “Njëqind vjet e Martë” me plot 90 poezi, botue tek “œKristalina KH” e Kadri Hykajt në Tiranë. Shpeshtas. ritualisht, Hamit Aliaj rikthehet në vendlindjen e vet si tek poezia “œMall” (fq. 9): Në këtë qytet prej të cilit ika / (Po ai s”po ikën kurrë prej meje) / I mallkuar endet të ritë tim / Si lis i harruar vrarëreje / Në këtë qytet ku shkrova lirika / Të cilat s”i shkruaj kurrë më, dot / Kurrkush s”më njeh dhe nëpër këngë / Në vend të rimave dalin lotë /.
2.
Hamit Aliaj, magji e madhështi e fjalës poetike, kurrë/sesi nuk e deshti ikjen nga vendlindja e vet. Përkundrazi: edhe në vitin e egër “97 rrugëtoi paqësor nga Alpet ku edhe Orët e Malit kishin marrë arrati, eci mbi gëzhojat e plumbave e erën e minave drejt metropolit busullhumbur të Tiranës për me e botue të pestin vëllim poetik “œMungon Viti Një” tek enti botues “œAlbin” i mikut të tij e të Tropojës, Spiro Dede. Asokohe kur edhe buka gatuhej me lotë e barut, shumkush shprehte habi e entuziazëm të shumëfishtë për misionin fisnik e optimist të poetit Hamit Aliaj, teksa me veprimin e vargjet e tij jepte mesazhe engjëllore paqeje për t”iu ul grykat armëve të dreqnive, marrive e kotësive.
Në mesnatën e 31 tetorit 2001 të qytetit alpin, lugatë vampir të politikës çikllope të hakmarrjes bio-politike, me 5 kg tritol C4, e hodhën në erë pallatin ku shënjestrohej deputeti e kryetari i degës PD të Tropojës, Azgan Haklaj, e nga ky eksplozivim politik terrorist e humbi jetën aksidentalisht gazetarja e re, martirja Shotë Haklaj. Aty, ndër 19 familjet që iu shkatërruan shtëpitë ishte edhe ajo e poetit qëndrestar Hamit Aliaj (Azgan Haklaj. Vepra “œPër Kombin, Për Demokracinë”. Tiranë, 2011, fq. 168). Ai pallat, përndryshe, ishte edhe “œpallat i njerëzve të letrave”, ku pesha e librave të bibliotekave vetjake në shtëpiat e tyre ishte ma e madhe se e tullave të tij. Vetëm pesë librat margaritar poetik të Hamit Aliaj ishin pesë milionë herë ma të randë në vlera visarore, në tokaqiell e breza, sesa ky pallat pesëkatësh. Një pyetje i pati shtrue në vitin 2001 poeti e analisti Preç Zogaj kohës e politikës: “œSa kushton mospërkulja?”. As vetë nuk po di çka me iu thanë: ndoshta ka çmimin e vdekjes së parakohshme e të pafajshme si gazetarja Shotë Haklaj; ndoshta ka çmimin e burgosjes politike si politikanin e analistin Azgan Haklaj, tashti edhe me katër libra suksesor; ndoshta ka çmimin e çojes çvendostare engjëlltare nga vendlindja si poeti epik e lirik, Hamit Aliaj.
Dhe erdhi një ditë, jo si gjithë të tjerat, dhe emblema e gjallë e qytetit e rrethit tim/tonë të mrekullive alpine e njerëzore, dhe “œHomeri malësor”, Hamit Aliaj, iku andej ku s”ndejt as në të ritë e vet: erdhi, si edhe ne të tjerët, në Tiranë. Poetë të lartësive poetike si Hamit Aliaj janë “œqytetar të botës”, piedestale të gjalla të kohës, lartësi të së ardhmes, edhe kur ka pasë “Mur Berlini” apo “œMur Lane”. Poeti Hamit Aliaj, si të gjithë poetët që jetojnë me poezinë e për poezinë, është jashtë politikës së ditës, brenda kohës, në genet e së djeshmes, në farën e së ardhmes, ndaj kërkon t”i kapërcejnë të martat, me i lanë në plakaninë e vet, në ferrin e vet, ashtu sikurse tek poezia “œNjëqind vjet e martë”(fq. 50): “œM”u plak e marta, njëqint vjeçe m”u bë / Një e djelë më duhet / Për meshë a për dasma…”.
Poetin Hamit Aliaj, tashma i larguar nga vendlindja, e merr malli për Itakën e tij, Kasajt, ndaj në poezinë “œPorosi në ikje” amaneton: “œShtëpinë e vjetër ua lashë /Veç një dritare mos ma mbyllni kurrë / Se vjen ndonjë natë shpirti i babës / Dhe këqyr a ka hi në votër / Manin mos ma prisni, as qershinë / Janë drurët më fisnikë të jetës: / Prej manit bëhet çiftelia / Prej lëvores së qershisë, tezgjahu i saj / Kthehet ndonjë ditë një këngëtar i gjakut tim, bre!”/(fq. 27).
3.
Hamit Aliaj ka kodet e veta poetike. Është poet i mesazheve të mëdha. Priti 12 vite mos me i djeg poezitë e tij në furrën e kohës, nga “œtë martat” e kohës. Më 1986 doli me vëllimin e dytë poetik “œE ruaj një fjalë për ty”. Kisha me thanë se si rrallkush, bash në kryetitull më duket se e kishte parandjerë vrelltë të nesërmen ngadhnjuese të Demokracisë në Shqipërinë Londineze, të Lirisë e Pavarësisë së Kosovës euro-atlantike, etj.
Vite ma vonë, më 1991, dukej se me kryetitull të librit të tretë: “œLotin nuk ta fal” i paralajmëronte të gjithë: intelektualët, trimat e batakçinjtë e Demokracisë së re e të brishtë. I donte, këta të gjithë, pa të “œMarta” ndaj kombit, të ardhmes së tij.
E sëvonit, ndoshta, disi i pakënaqun e i papajtueshëm me “œtë martat” e Çështjes Kombëtare Shqiptare, me “œtë martat” e Tranzicionit të vështirë e të tejzgjatur në Shqipëri etj., do të vinte me vëllimin e pestë poetik, emblematik, domethanës: “œNjëqind vjet e Martë”.
Në jetën e poetit misionar, në jetën e kombit, ka edhe ditë pa të marte, të cilat ka njëqind vjet që i pret siç është Pavarësia e Kosovës,, që e ban të lumtur për njëmijë vjet, si tek poezia “œNata e parë në Gjakovë”: Njëqind vjet për të mbërritur tek ti… / Jam më i pasuri mbi dhe: / Kam timen këtë natë / Që ndan mijëvjeçarë. / (1999, Gjakovë).
Sot kanë ndryshue kohnat. Njerëzit kërkojnë mbiemra në kohë e prej kohës, etj. Kjo shprehimohet me art e simbolikë nga poeti Hamit Aliaj tek poezia “œGjergj Elez Alia i ri” (fq. 81):
Gjergji shkon të dielave në kishë,
Elezi ““ të premteve në xhami,
Alia ““ në diskotekë.
E secili kërkon të bëhet mbiemër.
Gjergji im i ndarë në tre pjesë…
4.
Athina u ngrit lart në antikitetin e saj helen, pasi i deshi poetët e vet, filozofët e saj poetë. Ndoshta, Tropojës time i keq erdhi viti i mbrapshtë “97 edhe për faktin se i ikën poetët, lisnaja poetike. I ikën poetët e Brezit “70 e, pas tyre, edhe ata të Brezit “80, të Brezit “˜90, të cilët ia çuan emrin Tropojës në kupë të qiellit edhe në ndonjë rast kur vendlindja iu dha kupa mërzitije e malli. Ndodhi ajo që s”duhej të ndodhte:
Tropoja, kjo Malësi e Gjakovës, mbeti pa lisnajën e vet poetike dhe vendin e rendin e fjalëve e kangëve poetike e mori pushka e mbrapshtive gjithfarësh. Pushka e zezë me flakë të kuqe. Pushka vrastare e vitit të zi “97 që solli gjakderdhje e gjakmarrje. Poeti i lartësive poetike Hamit Aliaj tek vepra ma e fundit “œNjëqind vjet e Martë” kushtimon një poezi për 150 “œtë vrarët e Hiçit” të vitit “97 në Tropojë, të cilët e prekin deri n”atë cak saqë edhe “œfjalën e harroj” tek poezia e arrirë “œDitëlindjet e të Vdekurëve” (fq. 53-54), të cilën po ua përcjell nji cope pa i hjek astenji germë dhimbjeje të pamatë, tragjedi të thellë:
Në qytetin ku u vura emrat fëmijëve
Në çdo pëllëmbë ka një përmendore të pabërë:
150 janë të vrarët e Hiçit.
Tash kur shkoj një herë në stinë,
Njëherë në stinë se kështu më thotë”Pse”-ja,
Të 150 i shoh me sy
Në qytetin e vogël dalin si dikur,
Kanë vrarë njëri-tjetrin, po bashkë rrijnë
Dhe mua ma ruajnë një gotë në tavolinë,
Qyteti bën festë dhe dritat si shkimë,
Ata, si dikur, qeshin me shoshojnë
Dhe njëri-tjetrit i japin dhuratë
Plagët e veta për ditëlindjet që zezojnë
Ditëlindje
Të vdekurish a keni parë?
Dhe unë fjalën harroj,
Duke parë vajzat që ata patën dashur,
Që falin lulezeza e kërkojnë lulehëne.
Dhe ikin të tmerruar se tuten prej fantazmash…
E gjithçka mbaron sa këndon gjeli i parë…
Vendlindja ime, Malësi e Gjakovës, ruaj ma shumë e ma mirë se deri më sot, poetët e tu të lartësive kombëtare të viteve “70. Ose, të paktën, ata poetë të kahershëm e të rinj që kanë mbetë trojenik në Tropojën tonë, si Lulzim Logu, Gjon Neçaj, Haki Zllami, Asllan Osmani, Gjon Markokaj, Jonida Osmanaj ““ Saka, Hasan Buçpapaj, e dhjetra të tjerë. Mirënjohje ndaj tyre që po botojnë libra poetik, antologji poetike (si kjo e fundit me poetë nga Malësia e Gjakovës dhe nga Gjakova), kanë një klub të shkrimtarëve aktiv si rrallëkund në Shqipëri me disa veprimtari në Tropojë, Gjakovë, Pejë, Deçan, Junik, etj.
Duhen poetët e poeteshat të këndojnë qoftë edhe për ditët e zeza, për të vrarët e varret. Mbi të gjitha duhen me t”i hyjnue tokat, njerëzit, malet, se kështu preken lartësitë, ujëvaron jeta, tuten dreqnitë e shekullit të vjetër e të ri.
Tropoja (Malësia e Gjakovës, Malësia e Mirë) nga “œprodhimet” ma të mira ndër shekuj i ka veprat e poetëve të saj të të gjithë brezave, të publicistëve e historianëve të saj. Autorët, në çdo vepër, në CV e tyre shënojnë: vendlindja Tropojë. Pra, ata kudo që ndodhen, në vendlindje e kudo në Shqipëri e në diasporat shqiptare në botë, krijimtaria e tyre ka emërtesën “œTropoja” dhe mbijeton në dekada e shekuj ma shumë se çdo prodhimtari tjetër nga duart e mendja e njerëzve të saj të mrekullueshëm.
5.
Shpesh bijtë e shpërngulur me çoje e harrojnë tokën e vet. Po ata që e kryejnë një akt të tillë nuk janë poetët tropojas të Brezit “70. Nuk është Hamit Aliaj. Nuk janë as Mehmet Elezi, as Ndoc Papleka, as Skënder Buçpapaj, as Avni Mulaj, as Halil Buçpapaj, as Besnik Mustafaj.
Nuk janë as poetët e tjerë tropojas të lartësive të ndryshme, të cilët janë larguar nga vendlindja përgjatë dekadave poetike të mapasme, që po i rendis si më vijnë në mbajamendje të çastit: Jahë Margjeka, Mujë Buçpapaj, Skënder Sherifi, Shkëlzen Zalli, Ukzenel Buçpapaj, Arbër e Bislim Ahmetaj, Alfons Zeneli, Zeqir Lushaj, Zef Mulaj, Fran Ukcama, Sami Neza, Jak Përpali, Marash Mëhilli, Guxim Alimani, Elona Zhana, Zog Hysenaj, Azem Baliaj, Manjola Brahaj, Almona Bajrami, Nikollë Ulndreu, Dritan Niklekaj, Gjin Gjonpali, Mehmet Berisha, Skënder Haklaj, Gjin Progni, Osmanie Çakraj, Valbona Hykaj, Riza Haklaj, Hydajet Bajri, e dhjetra të tjerë.
Java ka shtatë ditë. Poetët , në një kuptim të caktuar, janë dita e tetë e javës.
Poetët kujtohen në vendlindje në çdo ditë të javës, kanë minutat e orët e veta në kujtesën e bashkëvendasve, me vargjet e tyre poetike. Njejtësisht e njëherash edhe poetët e kujtojnë në memorie e vargje vendlindjen e tyre. Me i mbledhë te-tana këto minutazhe vargevijë e fjongojnë tufalajkë një “œditë të poetëve”, ditën e tetë të javës. Është një ditë shpirtërore, jetësore.
Tek “œNjëqind vjet e Martë” poeti Hamit Aliaj e ka “œditën e tetë të javës” për vendlindjen e vet të bekuar, aty “œku bëjnë be në qiell edhe në gurë / E thonë: na lind djalin shqipja në flamur”/(fq. 74).
Diku tjetër (fq. 87) Hamit Aliaj artnon me vargjet: “œKulla breg Shën Drinit / Kush ua ngatërroi emrin e ndërtimtarit? / Babiloni udhëton…/ Prej manushaqes së Drinit / Lindet njeriu / Edhe pse qielli ende mbahet / Në brirët e dhisë së egër: / Shën Drini…/”.
Si rrallkund tek poetët jeton vendlindja me gjithçka të sajën. Si rrallkush poetët i ngrejnë vendlindjes “œmalet e dyta” me poezi e kangë nga ma të bukurat. Në mes tyre, me ta, edhe poeti Hamit Aliaj.
Në poetiken e tij Hamit Aliaj kushtimon poezi për vendlindjen e tij, Tropojën (fq. 69): “œ…/ (Qiteni pëllembën e dorës t”u a gjej në hartë) / Sipas Kalendarit të Noes, prapë shkoj atje / Kam lënë hijen time…/”.
Poeti bohemik Hamit Aliaj është qytetar i Malësisë së Gjakovës, i Shqipërisë Londineze, i Kosovës euro-atlantike, i Maqedonisë që po e dështon Marrëveshjen e lindur e të lidhur të Ohrit, të trevave shqiptare nën Mal të Zi që po kthehen në një “œÇamëri të dytë”, të Luginës së Preshevës që Serbia po e kthen në një gollo-nacionale raciste për shqiptarët trojenik, i Çamërisë me rrethina që ndahet në Qafë Botë, etj. Njëherash është edhe qytetar i Ballkanit dhe i Europës, qytetar i botës. Bohema e tij poetike, njerëzore, kombëtare dritëron reale e shumëdimensionale tek poezia e bukur e mjaft domethanëse, tek poezia “œUdhëtim” (fq. 6):
Nisem për në Krujë, mbërrij 500 vjeç,
Nisem tek e dashura, arrij 20 vjeç,
Në shtëpinë ku linda, mbërrij njëvjeçar.
Poeti Hamit Aliaj, ashtu sikurse edhe Skënder Buçpapaj, Anton (Ndoc) Papleka, Avni R. Mulaj, Mehmet Elezi, Besnik Mustafaj, është një mal poetik në vendlindjen e tij, në “œShën Tropojë”, një nga vargmalet poetike të saj, dhe pa mëdyshje: është një lartësi poetike e viteve “70 dhe një lartësi poetike në rritje në shekullin e ri, është një nga lartësitë e poezisë së sotme shqipe.
Tiranë, dhjetor 2013