Hamit Aliaj, padyshim është një zë i veçantë në poezinë bashkëkohore shqipe, për poezinë e të cilit, mund të thuhet se nuk është shkruar aq sa duhet, përkundër vlerës së vërtetë letrare. Vepra e këtij poeti, duhet të kishte zgjuar vëmendje më të madhe dhe trajtim më të duhur te studiuesit dhe kritikët letrarë gjithandej. “Është një ndër poetët më interesantë të sotëm, me botën e profilin e tij”, do të shkruante kështu kaherë, Moikom Zeqo.
Vendlindja e poetit Tropoja, është një vend me një të kaluar historike të bujshme, sa të lavdishme aq edhe tragjike. Gjithashtu është vend që ka trashëguar një traditë shumë të pasur: me këngë e valle, rite, doke e zakone, mite e legjenda, balada e gojëdhëna interesante, një leksik burimor të pasur dhe interesant. Nga kjo trevë, pos shumë figurave të shquara që ndikuan në rrjedhën dhe bërjen e lavdishme të historisë kombëtare, vijnë edhe figura të shquara në një rrafsh tjetër, të kulturës dhe artit. Prej poetëve, shkrimtarëve studiuesve, etj., pos Aliajt, duhet përmendur: Mehmet Elezi, Ndoc Paplekaj, Skender Buçpapaj, Avni Mulaj, Elez Biberaj, Besnik Mustafaj, Arbër Ahmetaj, Brunilda Zllami, Mujo Buçpapaj, Lulzim Logu, e shumë të tjerë.
Hamit Aliaj i përket brezit të mesëm të poetëve bashkëkohorë që zënë vend në shkallinën e një vije poetike, zëri i të cilëve po sillte në të njëjtën kohë një frymë të re në poezinë shqipe. Në mesin e këtyre poetëve ai, spikat për konceptimin unik krijues dhe tematikën pak më ndryshe në të trajtuar. Pra, reflekton portretin kompleks të një autori me një qëndrim të përmbajtur e stabil, me etikë burrërore, me krenarinë veçuese vertikale të malësorit tropojan, pa vetinë e imponimit dhe të ekspozimit bezdisës. Nuk është poet që ka dëshirë apo qëllim t’i përmbushë normat krijuese shkel e shko, prandaj zëri i tij poetik nuk del i shurdhët, po as shurdhues, i mërzitshëm apo aritmik. Ky zë reflekton jehun që vjen me një kolorit poetik i cili përmban karakteristika të veçanta: të një intonacioni të fortë shkrirë me butësinë fine, madhështinë e revoltës, muzikalitetin harmonik, qartësi e kthjelltësi, kompleks ngjyrash ylberore dhe gërshetim veçorish tjera artistike.
Stili i tij i shkathët e elastik rezulton me një metaforizim të përzgjedhur që mund të haset rrallë, dhe gjithashtu reflekton shkrirjen e natyrshme dhe elegante të eposit popullor me normat bashkëkohore. Njohja e mirë dhe shfrytëzimi mjeshtëror i mitologjisë shqiptare, ballkanike dhe më gjerë, janë disa tipare që e dallojnë poezinë e tij nga ajo e autorëve të tjerë.
Vëllimet poetike
Me veprën poetike “Bjeshkët janë mbiemri im” (1974), kur ishte njëzet vjeç, vërehet talenti i tij që me ngrohtësinë e fjalës artistike sjell atmosferën e vendlindjes dhe historinë e saj, me bjeshkët e larta, me ujëvarat, gurrat e krojet, me rudinat e lumin e Valbonës, duke dhënë poezi të kthjellët e të pastër mbase për brezin e tij edhe të veçantë: /Në shkumën e bardhë të Valbonës/ që gjinjtë e bardhë të borës pi, /këngës sime ia lava sytë/…dhe kështu poezia e tij do të vijë përherë e kthjellët.
Është këngëtimi intim i poetit ku spikaten poezi me epizëm të fortë, e të tjerat me një lirizëm të hollë. Pra, ndërthuret lidhja e pandashme në mes të poetit me kulturën historike, materiale e shpirtërore të vendlindjes, që është një nga motivet kryesore në poezinë e tij, siç shprehet: Sikur njëqind vjet të këndoja për ty,/ vargjet nuk do të shterronin/. Dhe këto lidhje sikur shprehen këtu më fort përmes epikës, përkatësisht përmes monumenteve të kujtesës së shpirtit kombëtar me figurat e shquara të historisë që ndërlidhen përjetësisht a përgjithësisht edhe me vendlindjen e tij, Malësinë e Gjakovës.
“E ruaj një fjalë për ty” (1986), vazhdon të shfaqet shqetësimi i poetit për fatin e njeriut në rrjedhën e historisë, qëndresa stoike, shpresa si dhe vizioni i një të ardhmeje të lumtur: “Në këtë rrafshgjak të Ballkanit,/ ka mbirë lisi im./ Shqipja e ka mbjellë me sqep nëpër gurë”. Këtu shohim hollësira, simbole, legjenda të bjeshkëve, fëmijë në lojë, dashuri, udhëtime në viset e poetizuara, toponime interesante të vendlindjes, ndërsa lumi i saj Valbona ujëkthjellët si loti, është eliksiri që përtërinë e rinon çdo gjë dhe poetin gjithashtu: Tetëmbëdhjetëvjeçar njeriu është veç një herë,/ në brigjet e tua Valbonë,/ këtë moshë e kam çdo verë.
Në poezi, heronjtë e poetit, që të gjithë kanë në trup plagën e atdheut, ndërsa Gjergj Elez Alia me nëntë plagë, në këtë shekull ka marrë plagën e dhjetë. Dhe kjo ka qenë më e rënda: Ajo synon fjalët, gjuhën, artin. Rrënim të përgjithshëm trojesh.
Me gjithë këto plagë të rënda, poeti nuk kridhet në përsiatje e pesimizëm, por shpreh vullnetin dhe vendosmërinë: …harrim s’do të ketë./ Kujtesa e kombit rri mbi plagën tënde të dhjetë.
“Lotin nuk ta fal” (1990), me këtë vëllim poetik Hamit Aliaj sjell diçka të re në krijimtarinë e tij. Është libër shumëdimensional, përmes të cilit synon të nënvizojë të vërtetat e mëdha jetësore të njeriut shqiptar, shpirtin e tij në mes të etnitetit, marrjet dhe dhëniet me këtë mes “prej qysh se s’mbahet mend”, i mbështjellë nëpër kohë me mjegullat e mbarsura të tragjedive ballkanike, të cilit i ka takuar mbase risku më i madh flijimit, murosur në ura e mure, ka mbetur kohë të gjatë në“kështjella” që të tjerët të ndërtojnë “qytete”.
Dhembja e poetit është e madhe dhe ua sheh për të madhe të gjithë atyre që se ndiejnë këtë dhembje. /Shtëpinë e mbështjellë me një re të bardhë,/ në veri e kam pesëqind metra larg dhembjes…/ Është shtëpia e poetit në Kasaj të Tropojës, pesëqind metra “larg dhembjes”, përkatësisht larg kufirit me Kosovën.
“Mungon viti një” (1997), derisa tek vëllimi poetik “Lotin nuk ta fal”, konsideron se loti, (kuptohet loti i sinqertë), është gjeja më e pastër dhe më e shtrenjtë e qenies njerëzore, prandaj poeti lotin nuk falet kurrqysh. Në vëllimin “Mungon viti një” ironizon tendencën e mbrapshtë të rifillimit të historisë pas përmbysjeve shoqërore në botën shqiptare. Edhe pse në përgjithësi është poet i urtësisë herë-herë di ta përdorë edhe ironinë dhe sarkazmën rrënuese (si te vjersha satirike “Qyteti i pordhacëve”).
Ndonëse e shkruan mjaft mirë edhe poezinë me varg të lidhur e të rimuar, natyrës së tij krijuese sikur i përgjigjet më tepër vargu i lirë, i shpenguar, që anon pak a shumë kah ligjërimi që zhduk kufirin midis poezisë dhe prozës, që haset te shumë poezi.
Si përfundim, mund të shohim tri plane: plani i parë është arti, plani i dytë filozofia, plani i tretë (butaforia) kumti dhe mesazhi i fortë!
Te “Njëqind vjet e Martë” (2006) Aliaj, vazhdon trajtimin poetik me elementet e tematikës së mëparshme, por duke e zgjeruar gamen dhe harkun e përfshirjes. Poeti edhe tani s’e bën pa bjeshkët, Valbonën, Drinin, Kosovën dhe bashkë me to e bart vazhdimisht edhe plagën e dhjetë që si shqytet dot. Butaforia poetike mbizotërohet me po ato elemente përbërëse ku poeti me aq dashuri ua gjen vendin dhe ndërtimin artistik, duke bartur herë-herë edhe transcendentalen. Loti i pikon përherë, rreth shtëpisë së mbështellur nga reja e bardhë, kah poeti kërkon lotin e kaprolles, sytë e pëllumbave të egër, ku edhe Gjergj-Elez-Alia “rinohet” këtu. Ai shfaqet tredimensional, për t’u shfaqur nga një gjendje, në tri gjendje, në kishë, xhami e diskotekë. Edhe Tanusha me paradokset që në dukje s’përputhen me kohën, por duke i shfaqur në mënyrë brilante me lojën artistike, dalin gjetje origjinale me mesazhe të qarta. Gjithë këto poezi të thella e filozofike, kërkojnë përqendrim për të hy në botën e pasur të poetit dhe vullkanin tij të brendshëm, ku ziejnë edhe të pathënat e tij.
Pas shumë përsiatjeve, jeta e hedhë: “Krah për krah me vdekjen në Janinë” dhe në aktin tjetër të dramës detyrohet ta lëshojë vendlindjen për të ikur në Qytetin e madh. Ai, nuk mund të ndahet pa bërë porositë për shtëpinë të cilën po e linte me dhimbje, dhe shpirtin që nuk po e merrte dot të tërin.
“E hëna e përtejbotës” (2017) është një vëllim poetik i një natyre tjetër. Poezia që sjell këtu, gjithsej 365, është haiku që e plotëson tablonë e motmotit 365 ditësh.
Është pena e poetit tropojan që herë sjell erë nga kohët e largëta me mesazhe për kohën tonë, e herë me revoltë parashtron kohën tonë që përditë e thyejmë dhe e bëjmë copë e grimë. Libri ka një qasje poetike me “bubrrime”, pra haiku i Aliajt, që në dukje të parë paraqet diçka të vockël e të thjeshtë, po në vështrimin më të gjerë shpërfaq jo vetëm ndjeshmëri artistike, por edhe kompleksitet shumëdimensional. Poeti shijehollë, me logjikën dhe filozofinë, me artin e tij krijues na e thjeshtëzon perceptimin duke na ofruar të bukurën, të madhërishmen me gjithë kompleksitetin e gjerave, dukurive, apo fenomeneve të ndryshme.
Si përfundim për poezinë e Hamit Aliajt, do ta përmbyllja me një mendim të Rexhep Qosjes në librin e tij “Ligjërime paravajtëse” ku shprehet: “…Kam parë se sa shumë jam vonuar të pasurohem: me një thesar idesh, mendimesh, ndjenjash, me një pasuri të madhe shpirtërore. Hamit Aliaj: poet i mendimit aq ylberor, i pamjeve aq krijuese, i figurave aq befasuese. Poet që të bën mik të përjetshëm shpirtëror. Poet që do ta nderonte çdo letërsi evropiane…”.
(Një nga perlat poetike të H. Aliajt)
SYTË E UDHËS
Pemët në oborrin e shtëpive të braktisura
Në shkretnajën e vetmisë, me sy nga udhët që ngjajnë
Me plaka që i ka lënë kujtesa,
Çmezi presin ndonjë udhëtar,
Të lidhura për toke ruajnë shtëpitë që moçmohen
E ora e vdekjes
I gjen në këmbë
Gjithë jetën përjashta,
Gjithë jetën pa fjetur
S’ka lule më të trishta
Se lulet e përvitshme të pemëve
Në oborrin e shtëpive të lëna shkret.
(7 mars 2023)