Në shumë ura të rrjetit rrugor kombëtar të Shqipërisë është bërë e domosdoshme ndërhyrja prej vjetërsisë së tyre dhe problemeve të erozionit.
Një program i qeverisë shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore synon të përmirësojë infrastrukturën e 30 urave të para që shfaqin nevojat më urgjente.
Projekti pritet të nisë me një urë në Qarkun e Gjirokastrës, një prej zonave me probleme të mëdha në këtë sektor.
Në Shqipëri një numër i lartë urash në rrjetin kombëtar rrrugor të vendit kanë nevojë për ndërhyrje, jo vetëm prej vjetërsisë, por edhe prej problemeve të erozionit.
Qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore do të fillojë këtë vit një program të sigurisë së urave i cili parashikon financimin me rreth 55 milionë dollarë për 30 urat e para që kanë nevoja të menjëhershme për ndërhyrje.
Sipas Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri nga programi kanë një përfitim të drejtëpërdrejtë rreth 800 mijë banorë.
Inxhinieri i Autoritetit rrugor shqiptar në Gjirokastër, Aristotel Noni flet për këtë program dhe për fillimin e investimit me një nga urat në këtë qark.
Programi i Bankës Botërore paarshikon rehabilitimin e disa prej urave më problematike në gjtihë territorin e Shqipërisë. Nga urat e para që u përfshi në këtë projekt është Ura e Viroit që ndodhet në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, ku punimet pritet të nisin këtë vit.
Zoti Noni thotë më tej se projekti i urës së Viroit sjell zgjidhje për problematikat e shfaqura gjatë këtyre viteve si me sigurinë e këtij segmenti, përmbytjet apo pamundësisë për këmbësorët për të përshkuar pjesën natyrore të liqenit.
“Me ndërhyrjen zgjidhen tre objektiva shumë të rëndësishëm në këtë segment rrugor. E para zgjidhet siguria rrugore pasi parametrat gjeometrikë do të jenë bashkëkohorë, së dyti zgjidhet problemi i përmbytjeve pasi rruga e re dhe ura do të ketë një mbingritje rreth një metër nga rruga aktuale dhe së treti zgjidhet edhe qasja e vizitorëvë nga njëra anë e liqenit tek tjetra pasi do të ketë një trotuar për këmbësorët.”
Çdo gjashtë muaj Autoriteti Rrugor monitoron urat kryesore dhe problemet janë të shumta thotë inxhinieri Noni.
“Urat monitorohen nga ana jonë një herë në 6 muaj përmes një inspektimi të specializuar. Problem është amortizimi, sidomos i urave të vjetra metalike. Këto ura janë 100 vjeçare dhe ne kemi në inventarin tonë urën e Dragotit dhe urën e Leklit. Janë bërë disa ndërhyrje gjatë viteve të fundit por përsëri amortizimi i tyre ngelet problem dhe duhet menduar në të ardhmen ndërtimi i urave të tjera apo ndërtimi i aksit të ri rrugor Tepelenë – Dragot.”
Specialistët shohin problematikë si për urën e Dragotit edhe urën e Leklit kalimin e mjeteve me tonazhe të rënda mbi kapacitetin që lejojnë të dy urat.
Rrjeti rrugor kombëtar me rreth 4mijë km në Shqipëri përfshin 803 ura dhe struktura të tjera të lidhura, disa prej te cilave ende të painventarizuara plotësisht. Ndërtimi i shumë prej urave dhe strukturave të tjera të rrjetit rrugor të Shqipërisë daton në vitin 1930 me standarde të ndryshme projektimi.
Sipas raportit të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Bankës Botërore “gjatë nëntë dekadave të fundit këto struktura u ndërtuan në faza të ndryshme të zhvillimit bazuar në standarde të ndryshme të projektimit dhe vitet e fundit gradualisht standardet e projektimit dhe ndërtimit të rrugëve përfshirë urat po përafrojnë me standardet evropiane të Eurokodeve”.
Krahas autoritetit rrugor edhe qeveritë vendore kanë përgjegjësitë e tyre në mirëmbajtjen e urave, sidomos atyre rurale. Por shumë prej bashkive thonë se kanë pamundësi fianciare për të mbuluar ndërhyrjet .
Në hyrje të qytetit të Këlcyrës dimri i këtii viti ka shkëputur njërën pjesë të rrugës ndërsa probleme janë paraqitur edhe në disa prej urave. “Përjekjet e bashkisë janë për të frenuar dëmtimet që më pas do të sillnin pasoja më të mëdha”, thotë nënkryetari i bashkisë së Këlcyrës, Riza Allamani.
“Ne në territorin e bashkisë kemi 12 ura në rrugët rurale dhe 5 ura që përshkojnë aksin kombëtar. Urat fillojnë që në hyrje të grykës së Këlcyrës, në dalje të saj dhe në drejtim të zonës së Dishnicës. Urat e rrugëve rurale janë të mirëmbajtura, konsoliduara, me përjashtim të shirave të fundit që u dëmtua pjesa anësore e urës në hyrje të qytetit të Këlcyrës e cila u riparua nga autoriteti rrugor shqiptar”.
Zoti Allamani thotë se qeveritë vendore duhet të kenë më shumë foncde për inevstimet në infrastrukturën rrugore dhe sidomos urat.
Institucionet e larta të shtetit shqiptar, ministritë përkatëse duhet të alokojnë patjetër fonde, thotë zoti Allamani.
Krahas urave të rrjetit kombëtar dhe atij rural problematika edhe më të forta shfaqen në urat monumentale të ndërtuara kryesisht në shekullin e XVIII-te dhe që përbëjnë një pasuri të rrallë të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Vaso Polo, specialist në drejtorinë e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër thotë se programet e mirëmbajtjes kombinohen edhe me projekte ndërhyrëse për urat e vjetra, në bashkëpunim me Instititutin e Trashëgimisë Kulturore.
Drejtoria Rajonale e Monumenteve, thotë zoti Polo ndërmerr veprime herë pas here në terren për pastrimin e bimësisë në disa nga këto ura dhe ndërhyrje mirëmbajtëse. Këto ura janë një potencial i madh për turizmin, thotë zoti Polo.
“Pjesa dërmuese e këtyre urave aksesohen nga vizitorët dhe janë me të vërtetë një nga tërheqjet më të mëdha për turistët që duan të shohin këto ura të vjetra, stilin e ndërtimit të tyre dhe të marrin informacion për mjeshtërit që i ndërtuan”.
Pak kohë më parë ndërhyrje shpëtuese përfshinë Urën e Kordhocës në Gjirokastër, por nevoja për mirëmbajtje dhe ndërhyrje paraqiten në mjaft ura të tjera monumentale.