Në foto poeti, shkrimtari, përkthyesi, publicisti Mustafa Greblleshi
Mustafa Greblleshi, shkrimtar, gazetar dhe përkthyes përballet me dy diktatura që mbërthyen Shqipërinë njëra pas tjetrës: diktatura e qeverive të krijuara gjatë pushtimit të nazistëve gjermanë të Shqipërisë dhe diktaturës komuniste. Mustafa Greblleshi na paraqet detaje nga jeta e përditshme e Tiranës, Selanikut dhe Athinës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
I biri i Hamid Greblleshit, ekzekutuar pa gjyq nga komunistët, që edhe vetë do të provonte burgun e diktaturës.
U lind në Tiranë, më 15 dhjetor të vitit 1922.
Mësimet fillore i kreu në Vlorë, ndërsa të mesmet në Liceun e Tiranës. U regjistrua në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Letërsisë, por u detyrua t’i ndërpresë studimet.
Me pseudonimin Liu i Cakut zhvilloi një veprimtari të gjerë letrare e publicistike në revistat «Tomori», «Njeriu», «Bleta», «Kultura Islame», «Vatra», «Drini», «Revista Letrare» etj.. Pas luftës, punoi si redaktor i gazetës «Bashkimi» nga dita e parë e botimit të saj deri në vitin 1947, kur u arrestua si “armik i popullit”.
Pas lirimit nga burgu, punoi për disa vjet si mësues gjuhe në disa qytete, por shumë shpejt u quajt i padenjë për të ushtruar një profesion të tillë, ndaj u hoq nga arsimi dhe u detyrua të punojë si bojaxhi dhe punëtor krahu deri në vitin 1974.
Vepra: «Albumi i një bojaxhiu» (tregime, Tiranë, 1960; Prishtinë, 1971), «Shalli i kuq», «Gremina e dashunis» (Prishtinë, 1968), «Muhabet tirançe me Liun e Cakut» (Tiranë, 1997). Përkthime: «Një mijë e një net» (në tre vëllime, Tiranë 1998), Pirandelo «Jeta lakuriq» (novela), Eduardo de Filipo, «Filumena Marturano» (drama).
Fragment nga parathënia e Ismail Kadaresë
Për t’u kthyer te letërsia e viteve ’30: nëpërmjet këtij libri të Mustafa Greblleshit, për lexuesin e sotëm bëhet e qartë se përse kjo periudhë kaq pasionante e letërsisë shqipe ka qenë jo vetëm e padashur për regjimin që shkoi, por mbetet ende sot në gjysmëhije.
Mustafa Greblleshi nuk renditet ndër kolosët e kësaj periudhe: Poradeci, Migjeni, Noli, Pasko. Por ai është një shkrimtar tipik, nga ata që edhe duke qenë vazhdimisht në hije, kujtesa i kërkon dhe më në fund i gjen.
Shkurt, ashtu siç ndodh në disa letërsi europiane, edhe duke mos u renditur tek shkrimtarët më të rëndësishëm, ai pa droje mund të përmendet tek të paharrueshmit, një cilësim që letërsisë si shumëçka tjetër i lejohet.
Regjimi komunist nuk e ka patur lehtë me letërsinë e viteve ’30. Ai i provoi gjithë egërsitë dhe dinakëritë e tij për ta nxjerrë jashtë jetës shqiptare, duke nisur nga kërcënimet e rrallëherë marrjet me të mirë, gjer tek torturat mizore si ato kundër Qemal Draçinit (për të përmendur vetëm një shembull), një talent i pazakonshëm, që preu damarët në 10 tetor 1947.
Të tjerë, si Gjergj Bubani, do të mbyteshin barbarisht në kënetat e Maliqit, tharja e të cilave himnizohej kudo si një nga mrekullitë e socializmit në Shqipëri, e që në të vërtetë ishin pjesë e hartës së terrorit.
E kështu vinin drama të tjera, si ajo e Musine Kokalarit, që nuk e kishte shoqen si dëshmi për mizorinë e një tiranie që nuk ngopej me kundërshtarët e vet, qoftë kur ato ishin zonjusha të brishta me mendje të ndritur e bukuri të rrallë si ajo.