Amerikania Cindy McCain do të marrë detyrën e drejtores ekzekutive të Programit Botëror të Ushqimit, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pas largimit nga ky funksion të drejtorit aktual, David Beasley, i cili pritet të japë dorëheqjen muajin e ardhshëm.
“Zonja McCain, një kampione e të drejtave të njeriut, u ka dhënë për një kohë të gjatë zë, të pazëve, përmes punës së saj humanitare dhe filantropike“, thuhet në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) Qu Dongyu, teksa njoftojnë vendimin.
Zonja McCain është një anëtare e shquar e Partisë Republikane, i cila aktualisht shërben si ambasadore e SHBA-ve në agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Romë, të cilat përfshijnë Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë, Programit Botëror të Ushqimit dhe Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë.
Prej dekadash ajo ka qenë aktive në politikën amerikane si bashkëshortja e senatorit të Arizonës John McCain, i cili vdiq nga kanceri ne tru në gusht të vitit 2018. Që atëherë, ajo ka krijuar profilin e saj politik, duke mbështetur gjithashtu demokratin Joe Biden në garën presidenciale në vitin 2020, kundër kandidatit republikan, Presidentit Donald Trump.
Presidenti Biden emëroi zonjën McCain në postin që mban aktualisht në Romë në nëntor 2021. Zakonisht Shtëpia e Bardhë është e përfshirë në emërimin e kandidatit të SHBA-ve për të kryesuar Programit Botëror të Ushqimit.
Zonja McCain është marrë me filantropi. Në vitin 1988 ajo themeloi Ekipin e Mjekëve Vullnetarë Amerikanë, i cili ofron kujdes urgjent mjekësor dhe kirurgjikal, për fëmijët e varfër anembanë botës. Ajo ka udhëtuar gjithashtu në emër të Programit Botëror të Ushqimit, duke vizituar programet e ushqimit në ndihmë të nënave e fëmijëve në Kamboxhia, Sierra Leone, Çad dhe në Republikën Demokratike të Kongos.
Sfida gjigante
Zonja McCain, 68 vjeç, merr përsipër agjencinë në një kohë nevojash të pashembullta globale. Drejtuesit e Programit Botëror të Ushqimit (WFP) thotë se 349 milionë njerëz në 79 vende të botës vuajnë nga një pasiguri ekstreme ushqimore. Këtë vit agjencia po përpiqet të mbledhë 23 miliardë dollarë për të ndihmuar rreth 150 milionë njerëz në mbarë botën. Në vitin 2022, programi arriti të mbështesë me ndihmë humanitare 160 milionë njerëz.
“Zonja McCain merr detyrën e kreut të Programit Botëror të Ushqimit në një moment kur bota përballet me krizën më serioze të sigurisë ushqimore në historinë moderne të saj dhe ky rol udhëheqës nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm“, tha presidenti i bordit ekzekutiv të agjencisë, ambasadori polak, Artur Andrzej Pollok. Ai e garantoi zonjën McCain për mbështetjen e plotë të bordit ekzekutiv.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ofroi urimet e tij dhe tha se Uashingtoni është investuar thellësisht në suksesin e vazhdueshëm të programit.
“Kam besim se ajo do të sjellë energji të përtërirë, optimizëm dhe sukses në Programin Botëror të Ushqimit“, shkruante zotit Blinken për zonjën McCain.
Kryetari republikan i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Michael McCaul dhe demokrati i rangut më të lartë në komision Gregory Meeks, përshëndetën emërimin e zonjës McCain duke thënë se ajo është jashtëzakonisht e kualifikuar për këtë detyrë.
“Në një kohë kur pasiguria ushqimore dhe kostot e karburantit janë në nivelet më të larta të të gjitha kohërave e kur uria në botë po rritet, detyra për të udhëhequr Programin Botëror të Ushqimit është më domethënëse dhe më e rëndësishme se kurrë”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët.
Shtetet e Bashkuara janë kontribuesi më i madh i programit, duke siguruar rreth 40% të buxhetit, ose 7 miliardë dollarë në vitin 2022. Ndikimi politik i zonjës McCain do të shërbejë gjithashtu për sigurimin e fondeve.
Ish-ambasadorja e SHBA-ve, Ertharin Cousin, e cila drejtoi Programin Botëror të Ushqimit nga vitit 2012 deri në 2017 dhe tani është drejtore ekzekutive e Sistemeve Ushqimore për të Ardhmen, një kompani me bazë në Çikago, tha se zonja McCain po shërben si një nëpunëse civile ndërkombëtare dhe jo si anëtare e Partisë Republikane.
“Ajo duhet të shërbejë mbi baza jopartiake në mënyrë që të mbështesë në mënyrë efektive punën e agjencisë”, tha zonja Cousin për Zërin e Amerikës. “Por natyrisht nuk mund mos të them se ajo do të duhet të vazhdojë të punojë me të dyja krahët, në mënyrë që të sigurojë angazhimin e SHBA-ve për nivelin e kontributit që kërkohet për të plotësuar nevojat që lidhen me pasigurinë ushqimore globale”.
Zonja Cousin tha gjithashtu se do të jetë e rëndësishme për zonjën McCain që ta mbajë organizatën në nivelet që i përshtaten misionit të saj.
“Kushdo që është në krye të agjencisë është kujdestar i parave të taksapaguesve nga e gjithë bota dhe si rezultat ka përgjegjësinë të sigurohet që organizata të mbetet gjiganti efikas që i duhet botës”, tha zonja Cousin.
Shefi në largim i Programi Botëror i Ushqimit David Beasley ofroi urimet e tij në Twitter të mërkurën, një ditë përpara njoftimit zyrtar.
Zoti Beasley bëri të ditut në mes të dhjetorit të vitit të kaluar se do të largohej nga agjencia në prill. Ai ka shërbyer si shef i agjencisë që nga viti 2017. Në vitin 2020, Programi Botëror i Ushqimit u nderua me Çmimin Nobel për Paqen lidhur me përpjekjet për të luftuar urinë, për kontributin në përmirësimin e kushteve për paqen në zonat e prekura nga konfliktet dhe se ka vepruar si një forcë shtytëse në përpjekjet për të parandaluar përdorimin e urisë, si një armë lufte. Zoti Guterres dhe Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s shprehën vlerësimin e tyre të thellë për rolin udhëheqës të zotit Beasley.
Mandati i Davit Beasley-it ka përkuar me pandeminë e COVID-19, me një periudhë thatësirash dhe përmbytjesh të pashembullta në disa vende në zhvillim, si dhe një sërë konfliktesh të vazhdueshme, përfshirë sulmin rus në Ukrainë.
Pavarësisht niveleve të jashtëzakonshme të mbledhjes së fondeve, një numër programesh të agjencisë, kanë nevojë për para të thata dhe po përballen me shkurtime, ndërsa nevojat vazhdojnë të jenë në rritje.