Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka pasur një “takim të vështirë” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Bruksel.
“Besoj se do të kemi shumë takime në periudhën e arshshme”, tha ai.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan takimin e radhës me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Në tryezën e diskutimeve ishte propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Vuçiq tha se në takim nuk u fol për miratimin ose mosmiratimin e këtij propozimi, por “për krijimin e planit të zbatimit”.
“Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, tha ai, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyes.
Sipas informacioneve që ka siguruar REL-i, propozimi i BE-së përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Vuçiq la të kuptohet se më 18 mars do të ketë një takim tjetër me Kurtin në Maqedoninë e Veriut. Në atë kohë, tha ai, rajonin do ta vizitojë Borrell.
“Mendoj se është e rëndësishme që deklarata e BE-së të përfshijë domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht, insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, tha Vuçiq.
“Mendoj se zoti Kurti nuk ka qenë i gatshëm ta pranojë tani. Do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, shtoi ai.
Paraprakisht, Kurti dhe Vuçiq u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.
Borrell, i cili para takimit tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj propozimit të BE-së, paralajmëroi se teksti i këtij propozimi do të publikohet.
“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime të tjera për propozimin e BE-së, që e ka titullin Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi të dy liderët u pajtuan se nuk ka nevojë për më shumë diskutime, teksti i marrëveshjes do të publikohet”, tha Borell pas takimit.
Kurti dhe Vuçiq takuan edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përpara takimit të përbashkët.
Blloku evropian e ka parë takimin e sotëm mes tyre – të gjashtin me radhë – si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk ka pasur diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili u është dorëzuar palëve qysh në fund të verës, është përkrahur edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të takimit se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin pa diskutime të mëtejme.
Sipas tyre, përmbajtja e propozimit është e njohur për palët nga muaji shtator i vitit 2022 dhe nuk ka më nevojë të flitet për të.
Një version të përditësuar të propozimit, palët besohet se e kanë marrë në dhjetor.
Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por, sipas një drafti që ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh, mes tjerash, të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Propozimi nuk përfshin njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë.
Një zyrtar i lartë i BE-së ka thënë të premten se e kupton që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq nuk e kanë të lehtë ta arsyetojnë në vendet e tyre pranimin e këtij propozimi, por, sipas tij, nuk kanë zgjidhje më të mirë.
Për Vuçiqin konsiderohet problem fakti se me këtë propozim – sipas interpretimeve të BE-së – Serbia de facto e njeh Kosovën.
Për më tepër, Vuçiq besohet se përballet edhe me presionin e Rusisë që të mos e pranojë atë.
Në anën tjetër, për Kurtin sfida më e madhe peshon te krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për këtë asociacion në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Kurti thotë se Kosova nuk mund të themelojë asociacion njëetnik; Vuçiq insiston në themelimin e tij.
Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin.