KRIJUESI QË MJESHTËRISHT E FUT FJALËN E TIJ TË BUKUR NË NJË KONFLIKT FILOZOFIK TË JETËS, SI PROVOKIM TË NATYRSHËM E TË MIRËNDJESHËM PËR LEXUESIN
Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA ka bërë udhën e vetë poetike, krijuese, publicistike, dhe kjo është vënë në dukje me dhjetëra herë nga kritika në të gjithë mjedisin krijues shqiptar e më gjerë, ku ky shkrimtar është përkthyer edhe në disa gjuhë të huaja. Por në fushën shumëplanëshe të fjalës krijuese që përshtat dhe emeton diskursin e konfliktit të personit kundër vetes, Sejdi BERISHA shkon në një labirint, që duket më pak i zhbirueshëm se sa të gjithë krijimet e tij në fusha shumëplanëshe. Ai, thuajse e fut fjalën e tij të bukur diskursive në një konflikt filozofik, të natyrshëm e të mirëndjeshëm për lexuesit e tij. Në një konflikt person kundër vetes. Në këtë konflikt, një personazh i tij, mund të jetë në konflikt me ndjenjat e tij, ose edhe të ketë dy qëllime të kundërta. Një autor si Sejdi BERISHA, ka provuar jo pak herë të mund ta tregojë këtë si një luftë midis së drejtës dhe të gabuarës, ose një luftë midis dëshirave, nevojave po aq edhe pritjeve të kundërta. Për shembull, një personazhi që i qepet dhe turret pena e shkrimtarit BERISHA, mund të duhet të zgjedhë midis dy interesave të dashurisë.
Kështu është në fakt kryeradha e fjalës së bukur të penës së Sejdi BERISHËS tek libri „Konflikti me Vetveten“ (2016), një libër voluminoz që përmbledh ese dhe shkrime të tjera, në një gjeografi të lëvizshme e gjithëdiskursive në territorin e bukur shqipfolës.
Konflikti kundër vetvetes, është një konflikt që përfshin luftën e brendshme kundër vetvetes mbase edhe shumë më gjerë
Duke lexuar këtë libër të Sejdi BERISHËS, natyrshëm të kujtohet thënia e Niçes (Nietzsche), kur u shpreh se „Armiku më i keq që mund të takosh do të jetë gjithmonë vetvetja“! Atëherë, duke shkuar më tej mes leximit dhe mes thënies së Niçes, nënkuptojmë atë që ndodh kur një personazh imagjinar është armiku i tyre më i keq, pra, i personit dhe vetvetes, ku lind ky konflikt. Kjo është kur konsiderohet konflikti kundër vetvetes, pra, që është një konflikt që përfshin luftën e brendshme të një personazhi kundër vetvetes dhe më gjerë. Ky konflikt lëviz si një ndjesi, si një karakter, si një personazh, si një memorie, dhe ngulitet tek vetvetja që ka udhëtuar e udhëton në skutën e kujtimeve herë një udhe, e herë një hekurudhe në Pejë, ku shenja përkujdesëse është „kujdes trenin“ dhe dora që përkujdeset është „dora e babait“, e cila është një dorë e regjur dhe ngajn si „një shollë opinge“.
Në leximin e „Konflikti me Vetveten“, lexuesi kupton qartë se konflikti njeri kundër vetvetes, është një nga llojet më bindëse të konfliktit letrar, sepse, është lloji që krijon personazhet më komplekse. Kësisoj, këtu kuptohet se çdo person ka të meta dhe vetëdyshim, andaj kjo është ajo që na bën njerëz. Lexuesit i duan historitë në të cilat një personazh është i gatshëm të sfidojë paragjykimet dhe të metat e veta, ose, kur ata pajtohen me atë që janë në të vërtetë. Në këtë libër, autori shpjegon se çfarë do të thotë termi njeri kundër vetvetes, diskuton disa shembuj të njohur në letërsi dhe na mëson se si ta përdorim këtë lloj konflikti në shkrimet tona, natyrshëm duke marrë shkas takimesh letrare, kulturore, komunitare e më gjerë.
Konflikti si diskurs i ndjeshëm dhe hapësirë filozofike që si domosdo i referohet luftës së brendshme të njeriut…
Autori na e vendos kështu njërin nga shatë konfliktet e veprave letrare në një larmishmëri krijimesh dhe shkrimesh, esesh të shumta, që të tërheqin për gjuhën, qasjen, dinamikën dhe tematikat e tyre. Kjo shkon më tej, pasi tashmë sikurse cituam, konflikti njeri kundër vetvetes, i njohur edhe si personazhi kundër vetë konfliktit, është një nga shtatë llojet e konflikteve letrare, që formon një diskurs të ndjeshëm e një hapësirë të bukur gjuhësore në këtë libër. Në tërësinë e shkrimeve të këtij libri ai i referohet luftës së brendshme të personazhit kryesor, ndoshta më afër asaj që autori e cilëson si një faktor ku „krijimtaria si akt moral dhe pozita e krijuesit“ shkojnë jo pak herë në shina paralele dhe kahe të qëllimshme. Ky lloj konflikti në këtë libër shpesh përfshin një personazh që zgjedh midis dy detyrimeve konfliktuale, duke u përballur me të metat dhe frikën e tyre, ose, duke u pajtuar me natyrën e tyre, sikurse ndodh tek „shkrimi drejtuar familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, shokëve dhe bashkudhëtarëve të tij, me rastin e ditëlindjes së tij të gjashtëdhjetë e shtatë“ (faqja 101-106).
Më tej, lufta mund të jetë e vogël, si protagonisti që përpiqet të vendosë se çfarë duhet të shkruajë për ditëlindjen e vajzës së tij, për të lënë përshtypjen më të mirë si baba, ose mund të jetë e madhe, si protagonisti të kuptojë se s’ka qenë egoist gjatë gjithë jetës së tij dhe të marrë vendimin e vështirë për të filluar të vendosë të tjerët në rend të parë, sikurse ndodh përgëzimi i krijuesit në faqen 108.
Shpesh, historitë që kanë konflikt njeriu kundër vetvetes, kanë edhe lloje të tjera konflikti. Konflikti i brendshëm mund të pasqyrojë, ose, të informojë konflikte të tjera të jashtme që ndodhin në tregim, sikurse që autori shkon tek historia dhe detajon Kullën e Ramë Bllacës si „kryefjalë e një historie“ ose, kur ai „ledhaton… fytyrën në bronz të një atdhetari“ (faqja 113).
Në këtë libër, njeriu kundër vetvetes mund të marrë forma të ndryshme. Në fakt, pothuajse të gjitha historitë përfshijnë njëfarë konflikti të njeriut kundër vetvetes, ngase konflikti i brendshëm është një përvojë kaq universale njerëzore, sikurse ndodh tek „Rana e hedhur, Shkëmbi i Markanikës dhe parajsa turistike shqiptare“ (faqja 132). Nuk duhet ta lëmë mënjanë faktin se konflikti i njeriut kundër vetvetes është një nga disa, nëse mund t’i quajmë fenomene, që ndodhin në një tregim si tek mikriptja dhe tespishtja e tryezës së mikut letrar, apo tek „forca e mendimit intelektual“ të Triremës së Poezisë Joniane (faqja 135).
Duke përfunduar këtë analizë-shoqërim me këtë vepër, mund të themi se ky libër i krijuesit gjithëplanësh, i shkrimtarit dhe publicistit, Sejdi BERISHA, është një risi letrare që ndalet me gjuhën e tij diskursive mjeshtërisht tek konflikti njeriu kundër vetvetes, që na jepet të jetë një mjet i fuqishëm për të bërë pyetje tematike dhe për të ngritur tensionin në arsyetimin e shkrimeve të tij. Pra, më në fund, “dëshirat” dhe “nevojat” e personazhit ekskluziv bëhen këtu risi reciproke. Bëhen të qarta këto anë diskursive në faktin se protagonisti i ndjeshëm dhe efikas mund t’i arrijë të dyja. E këtë e bën pena e Sejdi BERISHËS tek „Konflikti me Vetveten“…!