Albin Kurti, Aleksandar Vuçiç, do të vihen sot në Bruksel para alternativës pranoje ose lëre, për të firmosur më në fund planin franko-gjerman.
Hapsira e dy liderëve për të ndryshuar propozimin evropian për “marrëveshjen bazë“ do të jetë minimale.
“Ata do të diskutojnë për implementimin e propozimit e jo për përmbajtjen pasi përmbajtja është tashmë e njohur për ta” ka thënë të premten në Bruksel një zyrtar i lartë i BE-së,për gazetën Koha Ditore, duke folur në prag të takimit.
Ata do të takohen pasditen e së hënës pasi të kenë biseduar veç e veç me kryediplomatin e BE-së, Josep Borell, dhe të dërguarin e posaçëm për këtë proces, Mirosllav Lajçak.
Të dyja palët pritet të arrijnë një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Çfarë përmban drafti
Në një draft që po qarkullon prej ditësh të cilin e ka parë edhe Lapsi.al parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një zgjidhje e veçantë për komunitetin serb në Kosovë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në plan parashihet edhe që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt integrimeve evropiane.
Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se pranimi i kësaj marrëveshjeje do të përshpejtonte rrugën e të dyja shteteve në BE.
“Pranimi i kësaj marrëveshjeje do të ndihmojë në avancimin e qëllimeve tona kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë arritjen e paqes dhe stabilitetit për të gjithë njerëzit në rajon”.
Këshilltari i lartë i këtij departamenti, Derek Chollet, theksoi se Shtetet e Bashkuara presin përparim të dukshëm.
Fakti se ky takim është shtyrë disa herë, si dhe ai se BE-ja ka këmbëngulur se nuk do të thërrasë takim të tillë për sa kohë nuk do të jetë e bindur për rezultate konkrete, bën që optimizmi në Bruksel kësaj radhe të jetë i madh.
“Ky do të jetë takimi i gjashtë me radhë në mes të këtyre dy liderëve. Por pa dyshim është më i rëndësishmi deri më tash sepse në të do të pajtohen për marrëveshje bazë e në takimet e fundit ishin marrë më shumë për menaxhimin e krizave. Presim që këta liderë të hënën të miratojnë propozimin sepse për përmbajtjen e tij janë në dijeni që nga shtatori. Nuk ka hapësirë që të pajtohen për një pjesë e jo për pjesët tjera“, ka thënë burimi europian i Koha Ditore.
Dilema e asocacionit
Sipas zyrtarit të lartë të BE-së “çështja më e vështirë pritet të jetë krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, por ka shtuar se Kosova e ka të qartë se duhet, pa kushte, ta implementojë këtë obligim.
“Asociacioni është pjesë e këtij propozimi. Pra me pranimin e këtij propozimi nënkuptohet edhe pranimi i zbatimit të obligimit për krijimin e këtij Asociacioni”, ka thënë ky zyrtar i Bashkimit Evropian.
Ky zyrtar i lartë i BE-së është pajtuar edhe me interpretimet se ky propozim nënkupton edhe njohjen de facto të Kosovës. Marrëveshja, nëse pranohet, do të jetë vetëm një rrugë drejt qëllimit final, e ai është normalizimi gjithëpërfshirës i raporteve. Por, ka thënë ky zyrtar, “ky është maksimumi i cili është i mundshëm në këtë moment“.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se pret një takim të vështirë sot në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, dhe se “Serbia është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon” si dhe në këtë kontekst “është i gatshëm të punojë në konceptin e planit të ofruar, por me kufizime të qarta të caktuara nga ai”. Kufizimi sipas Beogradit përqëndrojet në një pikë. Firmosni fillimisht asocacionin, pastaj bëjmë marrëveshje.
Vuçiç ka thënë se gjatë bisedës telefonike me këshilltarin e posaçëm në Departamentin e Shtetit amerikan, Derek Chollet, i ka thënë se pret që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që janë arritur në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Ai ka theksuar se është koha për të diskutuar për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Këto komente, Chollet i bëri pas një bisede me kryeministrin Kurti, në prag të takimit të planifikuar për të hënën me presidentin serb në Bruskel.
Kërcënimi
Kryeministri Kurti, shkroi se i ka konfirmuar Chollet qëndrimin e tij për propozimin evropian “si bazë e mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Normalizimi i plotë kërkon njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes dhe respektim të të drejtave të pakicave në të dyja vendet”, shkroi ai.
Diplomatët perëndimorë ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione.
©Lapsi.al