Unë besoj se poezia është më e larta arritje letrare e njerëzimit, e përjetshme, që të shtyn të kthesh kokën pas në epoka, për të zbuluar imazhet e mundimeve dhe përvojave të poetit, streset dhe gëzimet, pasionet e dashurisë, rrugëtimin në jetë me vendosmëri dhe qëllim. Poezia është pikturim i fjalës plot ngjyra, të ndritshme dhe të errëta, që krijojnë imazhe nga disa fjalë për të frymëzuar imagjinatën dhe për të pasuruar kujtimet. Poetët përdorin përvoja dhe emocione, shpesh të parrahura dhe të dhimbshme, duke ndarë vizione, kohë të mira dhe të këqija, marrëdhënie, familje, miq dhe të dashuruar. Unë për shembull e gjej veten më mirë në dhimbjen shpirtërore në poezi të farkëtuar me shkëlqim, të rrahur në kudhrën e ankthit, duke eksploruar të qenit pjesë e racës njerëzore, aventurat e të qenit në dashuri dhe vuajtjen e një zemre të thyer, duke kërkuar Perëndinë dhe kuptimin e mistereve të mëdha të Universit. Poezia duhet të ketë një ritëm si rrahja e qëndrueshme e një daulleje, poeti krijon një pikturë fjale të parë vetëm në mendje, duke dhënë shumë më tepër se fjalët në faqe. Kinezët thonë se një fotografi vlen sa një milion fjalë. Kjo është e vërtetë edhe një pikënisje poezie në shpirtin e poetit. Si do të ishte jeta pa poezinë? Duke e pasur diellin në universin e saj të eklipsuar përjetë, errësira nuk i lë vend kurrë agimit të premtimit ku shpirti mund të ngrihet i lirë dhe i lartë në mal si shqiponjat me krahë. Muza e poetit bën një thurimë brenda peizazhit të fshehtë të zemrës dhe është po aq e rëndësishme sa rrahja e zemrës dhe çdo marrje fryme. Poezia është gjuha e shpirtit, buka e përditshme, e ëmbël dhe e gëzuar, nganjëherë e pikëlluar kur shpërthejnë stuhi të purpurta me batarenë e bubullimave dhe rrufetë e shqetësimit dhe pikëllimit.
Në fëmijëri
një zë më thirri.
Dhe e dëgjoj të thërrasë ende.
Mendimet e disa poetëve për poezinë?
“Poezia është ilaçi i botës. Ajo e zbut dhe e fisnikëron shpirtin.
Profesori i asociuar Feng Jan, Kinë.
“Fjalët më të mira në rendin më të mirë.”
Samuel Tejlor Kolrixh
“Regjistrimi i momenteve më të mira dhe më të lumtura të mendjeve më të mira dhe më të lumtura.”
Percy Bysshe Shelley
“Nëse lexoj një libër dhe kjo ma bën të gjithë trupin kaq të ftohtë, sa asnjë zjarr nuk mund të më ngrohë kurrë, e di se kjo është poezi.”
Emily Dickinson
“Një poezi fillon me një kotkë në fyt, një mall për shtëpinë ose mall për dashurinë. Është një synim drejt shprehjes; një përpjekje për të gjetur përmbushje. Një poezi e plotë është ajo ku emocioni ka gjetur mendimin e tij dhe mendimi ka gjetur fjalët.”
Robert Frost
“Poezia është vërshimi spontan i ndjenjave të fuqishme.”
William Wordsworth
“Poezia është ajo që të bën të qeshësh, të qash, të thumbosh, të heshtësh, të bësh lëvizje të shpejta të këmbëve, të bën të duash ta bësh këtë apo atë, apo të mos duash asgjë, të bën të dish se je vetëm në botën e panjohur, se lumturia dhe vuajtja jote është kurdoherë e përbashkët dhe përgjithmonë e gjitha e jotja.”
Dylan Thomas
“Poezia është, në fund të fundit, një kritikë ndaj jetës.”
Methju Arnold.
*****************
Colin Ian Jeffery
Në shqip: I. D.