-Në vend të një letre, nga ato që shkruanim dikur, drejtuar dajës tim,Hasan Selimi –
Poshtë një fotoje simbolike të një zogu, një pragmbrëmje, në bredhin e madh përbri shetitores, hedhur në rrjet nga poeti aq i ndjeshëm i qytetit tonë, i cili ndoshta ishte ndjerë keq nga krokatjet e tij të çuditshme në muzgun e mes shkurtit ti menjëherë kishe shkruar këtë koment:
“ Korbat kanë nevojë të bisedojnë, gjuha e tyre nuk është gjithnjë paranoja jonë. Korbat duan dritën, duan diellin, nuk bajnë konkurencë me ngjyrat, gjuhën e njerëzve e duan dhe e njohin. Korbat rrinë në vende të shkreta, pa njerëz, pa kafshë, pa lule, pa këngë. Kënga e tyre vallzon në hojet mitike dhe ne na ban supersticiozë. Gjëja e parë kur shikon nje shpend me emrin korb të shkon në mendje nata meskine, varret, vetmia poshte blerimit, hijet e verës. Asnjeherë nuk të shkon në mendje që ky shpend ka një hall dhe e do këshillimin, ngushëllimin dhe se fundi shpëtimin. Bisedo me të poet dhe do gjesh diçka patjetër!…”
Nuk e di sa i ndihmove poetit të mirëkuptojë sadopak udhëtimin e tyre të hershëm dhe të çuditshëm në qytetin ku ata nuk kanë qënë kurrë, por më bëri përshtypje sensi yt i trajtimit qoftë edhe për një zog që aspak nuk e duam dhe gati perherë shfaqjen e tij e lidhim me diçka në mos të keqe krejt, të mirë jo se jo. Megjithatë në mbamendjen time aq të thellë të ngjarjeve dhe gjërave të shtrenjta që na lidhin mesveti kujtova sesa të kobshme shpeshherë kanë qënë ndonjëherë fragmente nga historitë e jetës tënde, aq sa lehtësisht do të mund të shembeshe papritur për të mos u ngritur kurrë tjetër…
Ikja e shpejtë e babës Muzli, e burrit që mbahej mend si stoli e katundit. Ikja e beftë e nanës Shutë, e asaj gruas që jetoi pak, por aq sa jetoi ishte dhe mbeti si një shenjt për familjen e saj, ti mbete krejt i vogël dhe dukeshe aq i brishtë përballë botës së frikshme në sytë e një fëmije jetim. Dhe vite më vonë ikja e parakohshme dhe o zot sa e padrejtë e vëllait tënd, kthyer në prindin e dytë, Halilit,e cila qe një goditje e errrët, një tronditje vertet e kobshme nga e cila padyshim ti e more aq mëni fatin, por kurrësesi të nëmish apo mallkosh në pakthim. Diku brenda gjenetikës së fisit dhe familjes gjithmonë fryma e zotit kishte qënë prehje e skajshme, shpresë herë e vakët, here e fuqishme si një dalldi e marrëmëndje shpirtërore, e cila të shpëtonte edhe ty nga humbja e kuptimit të jetës apo qoftë larg braktisja e saj.
Ndonjëherë në jetë gati e shohim fundin, biem të pashpresë fund pusi, për një çast shohim filmin e jetës në dy minuta dhe trembemi nga joshja e tunelit të fundit ku po sos drita, kur papritur fjala, ndjesia apo prekja e çuditshme e etertë e besimit dhe e ndjesisë së zotit na ngre nga errësira dhe na risjell menjëherë në dritë.
Ti Hasan, daja im i shtrenjtë, por mbi gjithçka shoku dhe miku im që nga fëminia ke qenë shpesh përballë shkulmeve të jetës, ke rrezikuar por gjithmonë je ngritur gjithmonë më i fortë, më energjik dhe më i motivuar për jetën, si një sfinks, ke ditur më së shumti të ëndërrosh dhe të kalërosh kuajt e ëndrrave për të mbrritur tek ëndrra jote më e madhe, të jesh NJERI, të jesh i DITUR dhe të jesh i PASUR në shpirt.
Para disa ditësh ti kishe ditëlindjen tënde të 65-të, ditën e pensionimit dhe ti natyrshëm kishe njoftuar të dashurit e tu për ti njoftuar, për ti përshëndetur, për ti falenderuar për mbështetjen, për të gëzuar dhe qarë në shkulmin e turrin e kujtimeve . Zgjodhe Shkodrën se atje kalove një pjesë të madhe të jetës, të punës, të krijimit dhe të dashnisë për jetën. Atë ditë të ftohtë, në hollin e Hotel Rozafës, me krenari dhe lot në sy pashë mirënjohjen dhe respektin e natyrshëm që Shkodra, njerëzit e saj dhe jo vetëm, Malësia e Madhe dhe miqtë nga Gjakova, Prizreni, Peja, Kumanova, Durrësi, Gjirokastra etj, treguan ndaj punës profesionale, veprimtarisë shoqërore dhe veprave tua letrare dhe atyre të besimit shpirtëror. Pashë gjykatësin e nderuar, poetin e veçantë, tregimtarin e ngrohtë, shehun e respektuar, prindin krenar dhe bashkëshortin e mire, të gjitha të shkrirë në një njeri, i cili natyrshëm po shijonte fitoren e jetës së tij të merituar.
Diku mes turme edhe qaja, edhe qeshja, edhe gëzoja, edhe kërceja, edhe këndoja në ditën e triumfit tënd të jetës, dajë, shok dhe mik!
Bashkë kemi histori të madhe dhe të gjatë të cilën e emërtoj si një perlë të jetës time, ajo fillon në Kasaj(Troja jote!) vazhdon në Tiranë, Tropojë, në Llugaj tek shtëpia ku linda dhe u rrita, por që shpesh e lija për tu gjendur gjithmonë pranë teje, në prehrin dhe këshillat e njeriut të urtë dhe të fortë, prej të cilit mësova shumë, sidomos sfidën e mbijetesës dhe kërkimit kah vetja dhe qëllimet e mia. Siç ti e ke emërtuar në romanin tënd të parë që e quajte “Antologjia e ëndrrës”.
Tani në jetën tënde ka nipër dhe mbesa, festa dhe gëzime, vargje të mrekullueshme dhe kuvendim shpirtëror me njerëzit në nevojë, ka udhëtime dhe kërkime kah e bukura dhe e panjohura, ti je po ai, njeriu i bukur, shtatlartë, me autoritet dhe personalitet të veçantë, njëkohësisht dhe shumë i ndjeshëm, as krokatjet e korbave nuk i klasifikon të rënda, në fjalën dhe perjetimet e tua edhe korbat shndrrohen në pëllumba, çukitin mirësi dhe shpresë në gishtat e tu, në çatitë e ndërtesave ku ti zgjohesh dhe perherë përballë fizikisht apo në vizionet e tua ke Shkëlzenin e madh dhe majën e tij ku flejnë legjendat dhe kanë selinë perënditë e fjalës dhe jo vetëm.
Mirënjohje përjetë kam ndaj teje, kjo letër që e shkrova kaq rrëmbimthi në vend të një përqafimi të largët për ty përmallshëm…
Mbesa jote,
Hedie LOGU
Tropojë, 21 Shkurt 2023