Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar të martën se do të vazhdojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe e ka akuzuar aleancën e NATO-s për nxitje të konfliktit, me “besimin e gabuar” se mund ta mposhtë Rusinë.
I rrethuar me flamujt rusë, Putin i është drejtuar kombit, duke thënë se Rusia “do t’i zgjidhë me kujdes detyrat që kemi para nesh”.
Putin ka thënë se Rusia ka bërë gjithçka për ta shmangur luftën, mirëpo Ukraina, e përkrahur nga Perëndimi, ka planifikuar që ta sulmojë Krimenë.
Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014, ndonëse ky veprim nuk njihet nga Perëndimi.
Putin ka thënë se Perëndimi e ka lëshuar xhindin nga shishja në disa rajone në botë, për të nxitur kaos dhe luftë.
“Vetë njerëzit e Ukrainës janë kthyer në pengje të regjimit të Kievit dhe organizatorëve perëndimorë, të cilët e kanë pushtuar këtë shtet në aspektin politik, ushtarak dhe ekonomik”.
Putin e ka përsëritur qëndrimin që Rusia po përballet me kërcënim nazist dhe kërcënime e urrejtje nga regjimi i Kievit.
Sipas tij, mposhtja e Rusisë është e pamundshme.
“Kohë e komplikuar”
Ai e ka nisur fjalimin e tij para kombit, duke thënë se do të flasë “në kohë të komplikuar” për Rusinë dhe “në kohën e ndryshimeve drastike në botë”.
Presidenti rus ka thënë se “ngjarjet historike do ta përcaktojnë të ardhmen e vendit tonë…. Secili prej nesh ka përgjegjësi të mëdha”.
“Rusia ka tentuar ta zgjidhë konfliktin në mënyrë paqësore”
Putin ka vazhduar fjalimin duke pretenduar se Rusia ka tentuar ta zgjidhë konfliktin në rajonin ukrainas të Donbasit në mënyrë paqësore.
Sipas tij, përkushtimi i Perëndimit për paqe ka qenë “mashtrim” dhe “gënjeshtër mizore” dhe ka pretenduar se Kievi ka tentuar të mbledhë armë biologjike dhe bërthamore.
“Ne kemi bërë gjithçka të mundshme për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë paqësore, për të negociuar në mënyrë paqësore këtë konflikt të vështirë, mirëpo mbrapa shpinës sonë ka qenë duke u përgatitur një skenar i vështirë”.
“Ukraina dhe Donbasi janë kthyer në simbole të gënjeshtrave”, ka thënë Putini, duke e akuzuar Perëndimin për tërheqje nga “marrëveshjet thelbësore” dhe deklarata “hipokrite”, si dhe për zgjerim të NATO-s dhe mbulimin e Rusisë “me një çadër”.
“Dua ta përsëris, janë ata fajtorë për luftën, dhe ne jemi duke e përdorur forcën për ta ndalur atë”, ka thënë Putin.
Kritika shtesë ndaj Perëndimit
Në mesin e akuzave tjera, ai ka thënë se Perëndimi është “duke e tërhequr vëmendjen e njerëzve nga skandalet e korrupsionit”.
Ai ka thënë më pas se Perëndimi “ua ka hapur rrugën” nazistëve për të marrë pushtetin më 1930 dhe që prej shekullit të 19-të, Perëndimi ka tentuar të shkëpusë trojet historike nga shteti ynë – “atë që sot njihet si Ukrainë”.
“Gjithçka përsërit veten”, ka thënë Putin, duke shtuar se Perëndimi e ka financuar revolucionin e vitit 2014 në Ukrainë, i cili “e ka rritur rusofobinë dhe nacionalizmin ekstrem”.
Putin ka thënë pak gjëra për kombin në 20 minutat e parë të fjalimit dhe pjesën më të madhe të kohës e ka shfrytëzuar për të kritikuar Perëndimin.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Fokusi i radhës… të drejtat e komunitetit LGBT
Përgjatë fjalimit, presidenti rus ka folur edhe për të drejtat e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), një temë që e diskuton shpesh.
“Familja nënkupton bashkim në mes të burrit dhe gruas”, ka thënë Putin, duke shtuar se “ashtu thonë tekstet e shenjta të secilës fe në botë”.
“Mirëpo Perëndimi është duke vënë në dyshim këto tekste të shenjta… Ne duhet të mbrojmë fëmijët tanë nga degradimi dhe degjenerimi – dhe ashtu do të bëjmë”, ka thënë mes tjerash Putin.
Këto deklarata janë përcjellë me duartrokitje nga pjesëmarrësit në sallë.
*Artikulli është duke u përditësuar.