Një “gjykatë e popullit” nxori në gjyq presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të hënën mbi akuzat për pushtimin e tij në Ukrainë, në një lëvizje simbolike për ta plotësuar “hendekun e llogaridhënies” në mungesë të një gjykate ndërkombëtare me mandat për ta bërë një gjë të tillë.
Gjykata nuk ka fuqi ligjore, por prokurorët thanë se do të paraqesin prova se Putini kreu krimin e agresionit duke urdhëruar pushtimin gati një vit më parë dhe duke nisur kështu një luftë shkatërruese që ka lënë mijëra të vrarë dhe shumë qytete në gërmadha.
“Ky është një krim që kërkon përgjegjësi”, tha Drew White, një avokat kanadez që vepron si një nga prokurorët e gjykatës.
Përderisa Gjykata Ndërkombëtare Penale ka hapur një hetim për krimet e kryera në Ukrainë, ajo nuk ka juridiksion për të ndjekur penalisht liderët e Rusisë për agresion.
Megjithatë, presioni ndërkombëtar është në rritje për krijimin e një gjykate speciale për ta ndjekur penalisht këtë krim. Legjislatura e Bashkimit Evropian miratoi një rezolutë në janar duke i bërë thirrje bllokut 27-vendesh që të punojë “në bashkëpunim të ngushtë me Ukrainën për të kërkuar dhe ndërtuar mbështetje politike në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe forume të tjera ndërkombëtare … për krijimin e gjykatës speciale për krimin e agresionit kundër Ukrainës”.
Holanda, shtëpia e disa gjykatave ndërkombëtare, ka ofruar ta strehojë edhe këtë gjykatë.
Gjykata e Popullit është një iniciativë e grupit aktivist të Kinemasë për Paqe, Qendrës së Ukrainës për Liritë Civile dhe Ben Ferencz, avokatit 102-vjeçar që është prokurori i fundit i mbijetuar nga gjyqet pas Luftës së Dytë Botërore të Nuremburgut ndaj liderëve të lartë nazistë.
Një javë me seanca fillestare u nis në Hagë dy ditë pasi nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, tha se Uashingtoni ka përcaktuar se forcat ruse në Ukrainë kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe këmbënguli që autorët të sillen para drejtësisë.
Dita e parë e së hënës përkoi gjithashtu me një vizitë të paparalajmëruar në Kiev nga presidenti amerikan, Joe Biden.
Gjykata është planifikuar të japë një vendim të premten, në përvjetorin e pushtimit të Rusisë.
Putini u ftua të marrë pjesë në këtë seancë dëgjimore, por organizatorët nuk morën përgjigje nga Ambasada ruse në Hagë.
Fituesja i çmimit Nobel për Paqe, Oleksandra Matviichuk, nga organizatës për liritë civile të Ukrainës, bëri një deklaratë përmes një videoje para nisjes së seancës.
“Putini dhe … udhëheqja politike dhe komanda e lartë ushtarake që nisën, planifikuan dhe filluan këtë agresion duhet të ndëshkohen për këtë krim ndërkombëtar”, tha ajo.
Dëshmitarja e parë ishte një gazetare ukrainase, Angela Slobodyan, e cila i tha një paneli prej tre gjyqtarësh se ajo ishte në qytetin e Hersonit, kur forcat ruse nisën sulmin duke “gjuajtur gjithçka që lëvizte”.