Pasi gjykata urdhëroi publikimin e një sërë fotografive, filmimeve, hartave dhe dokumenteve të tjera të qeverisë në lidhje me kërkimet e fshehta të FBI-së për të gjetur floririn e periudhës së Luftës Civile, një nga personat që bëjnë kërkime për thesare është i bindur më shumë se kurrë se është fshehur e vërteta dhe është i vendosur që ta provojë këtë.
Dennis Parada kishe filluar një betejë ligjore për ta detyruar FBI-në që të dorëzonte dokumentacionin për gërmimet e bëra në Dents Run, Pensilvani, ku sipas gojëdhënave lokale, një ngarkesë floriri e Unionit u zhduk në vitin 1863. FBI-ja, e cila shkoi në Dents Run pasi testime të sofistikuara sugjeronin se aty mund të ishin groposur disa tonë floriri, ka këmbëngulur prej kohësh se nga gërmimet nuk u gjet asgjë.
Zoti Parada dhe këshilltarët e tij, që kanë kaluar orë të pafundme duke shqyrtuar dokumentet e publikuara rishtazi nga qeveria, besojnë të kundërtën. Ata e akuzojnë FBI-në për manipulim të evidencës kryesore dhe për fshehje të të dhënave në përpjekje për të fshehur gjetjen e një rezerve historike dhe jashtëzakonisht të vlefshme floriri. FBI mbron mënyrën se si i ka ruajtur materialet.
Mosmarrëveshja e zotit Parada me FBI-në ka arritur përpara një gjykate federale, ku gjykatësi duhet të vendosë nëse FBI-ja duhet të publikojë planin e saj operacional për gërmimin për floririn, si dhe të dhënat e tjera që kërkon t’i mbajë sekret.
Së bashku me të birin, zoti Parada kërkoi për vite të tëra për floririn e famshëm në Dents Run, duke e udhëhequr rrjedhimisht FBI-në drejt një zone pyjore rreth 220 km pranë qytetit Pitsburg, ku pajisjet e tyre identifikuan një sasi të madhe metali. FBI-ja solli një kompani gjeofizike, pajisjet moderne të së cilës pikasën një masë prej 7-9 tonësh flori të mundshëm.
Me një urdhër gjykate, një ekip agjentësh të FBI-së arriti në vendndodhje në mars 2018 për të gërmuar. Në objekt ndodhej edhe një videograf i FBI-së për të dokumentuar procesin, dhe në një moment të caktuar ai intervistoi një agjent të ekipit të FBI-së që shpjegon se përse FBI-ja gjendej në pyjet e një nga zonave më pak të populluara të Pensilvanisë.
“Kemi identifikuar gjatë hetimeve tona një vendndodhje që mendojmë se përmban objekte në pronësi të Shteteve të Bashkuara, përfshirë një sasi domethënëse metali bazë të çmuar… në veçanti flori, ndoshta argjend”, thotë agjenti në video, që shfaqet me fytyrën të mbuluar për të ruajtur privatësinë e tij.
Zoti Parada e mori këtë video dhe të dhënat e tjera të FBI-së pasi fitoi padinë bazuar mbi Ligjin mbi të Drejtën e Informimit, duke shpresuar se do të mundej të merrte përgjigje për ngjarjet në Dents Run pesë vite më parë. Zoti Parada u mbajt kryesisht larg vendit të gërmimeve ndërsa FBI-ja vazhdonte punën.
Ai dyshon se FBI-ja mund të ketë bërë gërmime klandestine gjatë orëve të natës gjatë dy ditëve të para të autorizimit të gjykatës për të gërmuar, se e ka gjetur floririn dhe e ka larguar atë. Banorët e zonës kanë thënë më parë se patën dëgjuar zhurmë punimesh me ekskavatorë dhe sonda gjatë natës, kur gërmimet supozohej se duhet të ishin ndalur – dhe se kanë parë një autokolonë me automjete të FBI-së dhe kamionë të mëdhenj të blinduar. FBI-ja ka mohuar të ketë bërë gërmime gjatë natës.
Departamenti i Drejtësisë ka kërkuar mbylljen e çështjes pasi FBI-ja përmbushi kërkesën për dorëzimin e dokumenteve. Gjykatësi nuk e ka dhënë ende vendimin.