Një fjali e lëshuar përballë gazetarëve tre ditë më parë në konferencë tek selia e PD nga Sali Berisha, sipas së cilës McGonigal u bë pjesë e orgjive me Erjon Veliajn dhe ministret e qeverisë, u risoll në sallën e kuvendit nga socialistët, për të sfumuar mungesën e Edi Ramës në parlament për të tretën javë rresht.
Ishte socialistja Anila Denaj që lexoi papritur deklaratën, për të cilën kishte heshtur tre ditë dhe ku sfidohej Berisha, që ose të nxirrte videot e orgjive ose të pranonte përjashtimin nga parlamenti. Në ndërkohë, jashtë kuvendit protestuesit e thirrur nga Partia Demokratike përpiqeshin të çanin rrethimin e policisë, ndërsa një pjesë e deputetëve u bllokua me forcë nga garda.
“Fantazi monstruoze të videove kompromentuese që deputeti Sali Berisha ka thënë se i ka, por nuk do t’i bëjë publike s’ka asnjë mundësi të kalojë si herë të tjera” lexoi Denaj pjesë nga deklarata që i referohej një thënieje të Berishës para tre ditësh, jashtë parlamentit.
Në sallën e tensionuar nga rrethimi i protestuesve, kur pritej që opozita të tregonte me gisht fshehjen e kryeministrit nga llogaridhënia për McGonigal, Sali Berisha nuk i rezistoi dot replikave mbi temën e orgjive të amerikanit.
Në reagimin e parë, Berisha tha se nuk do ta bënte kurrë një veprim të tillë si ai i publikimit të videove kompromentuese për zonjat. Por PS ngulmoi në të njëjtën pikë.
“Është në nderin tuaj z.Berisha o të nxirrni videot ose të kërkoni ndjesë për gjuhën e përdorur“ i tha Blerina Gjylameti duke i kërkuar llogari për fjalët e thëna.
Duke parë sulmin e koordinuar të deputeteve gra mbi në një temë të tillë delikate, në veçanti pas ndërhyrjes së Elisa Spiropalit, Berisha vendosi t’u përgjigjej.
“Keni mbërritur një nivel të pabesueshëm pafytyrësie në raport me njerëzoren, me familjet tona, me familjet tuaja! Doktor nuk bëhet revolucion me këto, mblidh mendjen!” u shpreh Spiropali në sinkron të plotë me koleget e saj.
“Të dogji miza pas kësule? Elisa çfarë pate ti që u ngrite? Pse kapitull erotik është?” u shpreh në replikë me Elisa Spiropalin. “Ku e di ti që nuk kishte një Allison në Shqipëri ai? Pse të djeg ty? Nuk e mbulon dot ti! Orgjitë e McGonigal janë reale” u shpreh Berisha duke e futur debatin në hullinë që i kishin përgatitur socialistet.
Parlamenti ndërkohë ishte i blinduar nga Garda. Protestuesit nuk e çanë dot rrethimin e FNSH-së. Deputetët Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Luan Baçi, Neritan Nallbati dhe të tjerë u detyruan të qëndrojnë jashtë kuvendit, ku u hodhën kapsolla dhe pati fërkime me policinë.
Rama mungoi sërish në seancë dhe si pretekst gjeti një takim të planifikuar me kryeministrin e Bavarisë, Josen. Por mungesa e tij, shmangia për të tretën herë e llogaridhënies për çështjen McGonigal, kësaj radhe u kamuflua nga “indinjata” që gratë socialiste i shprehën pasi kishin heshtur për 3 ditë tashmë.
Kjo ishte nuk është hera e parë që Rama nuk vjen në parlament për të dhënë llogari mbi çështjen McGonigal. Herën e parë, kur e thirrën në interpelancë, nuk foli vetë, por caktoi Elisa Spiropalit të përgjigjej.
Ndërkohë në një shkrim të Washington Post sot, gazetarët amerikanë linin të kuptohej se shumë detaje të dosjes McGonigal ende nuk janë zbuluar. Megjithatë kjo nuk i pengoi ata të shkruanin: “Charles McGonigal, ka marrë para për të çuar përpara interesat e kryeministrit shqiptar” duke vazhduar: “McGonigal ishte i zhytur deri në fyt në marrëveshje sekrete me kryeministrin e Shqipërisë”/Lapsi.al