Reuters
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, do të mbajë fjalimin e tij të parë drejtuar kombit, pas marrjes së Dhomës së Përfaqësuesve nga republikanët.
Ky fjalim mund të nënkuptojë fillimin jozyrtar të sezonit të fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2024.
Më poshtë mund të lexoni një vështrim të asaj se çfarë pritet të ndodhë.
Kur mbahet fjalimi drejtuar kombit?
Biden do të mbajë fjalimin drejtuar kombit për herë të dytë që kur u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 7 shkurt.
Ky fjalim dhe e gjithë ngjarja do të transmetohet nëpër mediat më të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pse ka rëndësi?
Fjalimi mund t’i sigurojë Bidenit audiencën më të madhe televizive të vitit.
Është thënë se 38.2 milionë amerikanë e kanë shikuar fjalimin e presidentit vitin që shkoi, sipas të dhënave të qendrës Nielsen.
Para një audience të tillë, Bideni do të ketë mundësinë të formësojë perceptimet e publikut mbi kufirin e borxhit, shpenzimet sociale, luftën ruse në Ukrainë dhe tema të tjera, në kohën kur ai planifikon ta shpallë fushatën e tij për t’u rizgjedhur president në javët e ardhshme.
Kjo, gjithashtu, është një mundësi për të që të rifitojë besimin te demokratët, disa prej të cilëve kanë shqetësime për moshën e tij. Biden i mbushi 80 vjet në nëntor, dhe në rast se rizgjidhet, ai do të jetë 82-vjeçar në fillim të mandatit të tij të dytë.
Çfarë pritet të thotë Bideni?
Ai pritet që përmes fjalimit drejtuar kombit, të fillojë jozyrtarisht fushatën presidenciale për vitin 2024, duke paraqitur një sërë prioritetesh e politikash që mund të gjejnë ose jo mbështetje në Kongres.
Ai pritet të tregojë për progresin ekonomik pas recesionit të shkaktuar nga COVID-19, të nxjerrë në pah kontraste në prioritetet e disa kundërshtarëve republikanë dhe të parashtrojë pikat e “përbashkëta” të agjendës që ai beson se duhet t’i bashkojnë të dyja palët.
Në mënyrë që ky fjalim i rëndësishëm i presidentit të vijë në pikën përfundimtare, duhen javë të tëra punë për presidentin, shkruesit e fjalimeve të tij, si dhe politikanë e zyrtarë të ndryshëm të administratës.
Vitin që shkoi, Bideni mbajti fjalim vetëm pak ditë pas fillimit të luftës në Ukrainë, dhe ai u fokusua në kundërpërgjigjen e Uashingtonit ndaj Rusisë.
Kush merr pjesë në fjalimin drejtuar kombit?
Fjalimi mbahet në një seancë të përbashkët të Kongresit.
Të gjithë anëtarët, demokratët që kontrollojnë Senatin dhe republikanët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, janë të ftuar. Aty do të jenë edhe anëtarët e kabinetit të presidentit, forcat e armatosura dhe Gjykata Supreme.
Bideni u ftua formalisht nga kryetari i Dhomës, Kevin McCarthy, që t’u adresohet atyre dhe qytetarëve amerikane që në muajin janar. McCarthy do të kryesojë aktivitetin dhe do të shoqërohet nga zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila është edhe kryetare e Senatit.
Presidenti fton, gjithashtu, anëtarët e familjes dhe mysafirët e tij të tjerë që ulen në lozhë dhe mund të përdoren për të përforcuar pikat që ai bën gjatë fjalimit të tij.
Edhe anëtarët e Kongresit ftojnë mysafirë.
Këtë vit, në mesin e të ftuarve janë nëna dhe njerku i Tyre Nichols, një viktimë e brutalitetit të policisë i cili u rrah për vdekje. Ata janë të ftuarit e përfaqësuesit të Grupit me Ngjyrë të Kongresit, Steven Horsford.
Demokratja nga Misuri, Cori Bush, ka bërë të ditur se ka ftuar Michael Brown Sr., të atin e Michael Brown, i cili u vra në vitin 2014 nga një oficer policie në Ferguson. Vrasja e tij shërbeu si bazë për themelimin e lëvizjes “Black Lives Matter” (Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi).
Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Michael McCaul, një republikan nga Teksasi, ftoi Roya Rahmanin, e cila shërbeu si ambasadorja e parë femër e Afganistanit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, Rahmani do të jetë aty për të dhënë mesazhin se gratë e Afganistanit nuk janë lënë në harresë.
Ndërsa kryesuesja e Konferencës Republikane, Elise Stefanik, do të sjellë të ftuarin e saj, Jeffrey Smith, një sherif qarku nga veriu i Nju Jorkut.
Kush janë mysafirët e Bidenit?
Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, është ftuar nga Zonja e Parë, Jill Biden. Shtëpia e Bardhë e quajti ftesën për të “një njohje të mbështetjes së qëndrueshme të SHBA-së për Ukrainën gati një vit pasi Rusia nisi sulmin e saj të paprovokuar”.
Shtëpia e Bardhë ka ftuar gjithashtu Paul Pelosin, bashkëshortin e ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Ai u sulmua në shtëpinë e tyre në Kaliforni në tetor të vitit të kaluar.
Në listën e Bidenit është edhe Bono, këngëtari i grupit të famshëm irlandez U2, i ftuar për ta nderuar për punën e tij në luftën kundër HIV/AIDS dhe varfërisë.
Shtëpia e Bardhë ka ftuar gjithashtu Brandon Tsay, i cili çarmatosi një person të armatosur, përgjegjës për të shtënat masive në Monterey Park, Kaliforni.
Të ftuar të tjerë përfshijnë të mbijetuarën nga kanceri Darlene Gaffney; Amanda Zurawskin, e cila nuk ishte në gjendje të merrte shërbime aborti për shkak të ndalimit të abortit në Teksas, si dhe Doug Griffin, i cili humbi vajzën e tij 20-vjeçare nga një mbidozë me fentanil.
Kush është “i përcaktuari për të mbijetuar”?
Një person i vetëm që nuk merr pjesë është një anëtar i kabinetit të Bidenit, i cili do të zgjidhet si “i përcaktuari për të mbijetuar”.
Meqenëse të gjithë drejtuesit institucionalë ndodhen në një vend, ky individ do të vendoset në një lokacion të sigurt dhe ka për detyrë të marrë përsipër qeverisjen në rast të një katastrofe që dëmton presidentin dhe pasardhësit e tij të tjerë.
Ende nuk dihet se kush do të jetë “i përcaktuari për të mbijetuar” gjatë fjalimit të sivjetmë.
Kush prej republikanëve kundërpërgjigjet?
Republikanët kanë zgjedhur guvernatoren e Arkansas, Sarah Huckabee Sanders, e cila shërbeu si sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë nën administratën e Donald Trumpit, për të dhënë përgjigjen tradicionale të opozitës ndaj komenteve të Bidenit.
Kjo kundërpërgjigje përgjithësisht mbahet menjëherë pas fjalimit të presidentit.