(Shënime për poemën e Skënder Buçpapës “Vetëm të vdekurit pendohen”)
Skënder Buçpapaj është nga ata poetë që shkruan sepse ka diçka për të thënë, gjen një mënyrë krejt origjinale për ta shprehur dhe e përcjell me gjuhë të pastër, të kthjellët e të bukur shqipe. Prandaj kur vihesh të lexosh poemën “Vetëm të vdekurit pendohen” e ke të vështirë ta ndalësh frymën pa mbërritur në faqen e fundit.
Dikush mund të hidhet të thotë që poemat janë forma paksa klasike shprehjeje dhe të vështira për t’u ndjekur nga lexuesi modern. Buçpapaj ta hedh poshtë menjëherë mendimin me zhdërvjelltësinë e të komunikimit, me bashkëkohësinë e ideve, me modernizmin e formës dhe të përmbajtjes (dhe me fjalën “modernizëm” nuk nënkuptoj aspak poza të një intelektualizmi artificial, por risi, origjinalitet).
Vetëm të Vdekurit Pendohen është konceptuar në thelb si përmbledhje bashkëbisedimesh me nënën, të cilat poeti i quan aq bukur “përgjërata”. Sikur vetëm këtu të ishte ndalur, libri për mua do të kishte qënë kryevepër për mënyrën fine dhe jashtëzakonisht prekëse me të cilën shprehet dashuria dhe dhimbja për nënën. Por poema e Buçpapës zgjerohet pafund në hapësirë për të përfshirë jo vetëm personazhe, por edhe ngjarje, edhe histori, edhe filosofi, edhe letërsi, edhe folklor, edhe kulturë. Me një fjalë, për të përfshirë gjerësisht jetë.
Skënderi ka aftësinë ta mbërthejë dhe ta tërheqë lexuesin në një gjithësi magjepsëse malesh të lartë e pyjesh të dendur, livadhesh të gjelbra, përrenjsh të vrullshëm që kapërcehen me ura të ngushta mbi të cilat kalojnë njerëz me përmasa të jashtëzakonshme por gjithsesi reale. Lexuesi harron krejt që këta janë njerëzit përreth jetës së poetit, nëna, babai, daja, gjyshi, gjyshja, motrat, nuset e fshatit, sepse ata përzihen krejt natyrshëm në mënyrë filosofike me Sokratin dhe Niçen, poetikisht me Lorkën, Ginsbergun, Rembonë, Eluarin; vizualisht me Dalinë që të përshëndet qysh në kopertinën e librit. Pastaj përzjehen me personazhe biblikë dhe epikë, që nga heronjtë e Homerit e deri te banorët e përhershëm të eposit të malësisë shqiptare.
Libri ka të vdekurin në titull, por është një klithmë poetiko-filosofike për jetën, sepse Skënderi di t’i japë edhe jetës, edhe vdekjes përmasat e duhura hapësinore dhe kohore. Njerëzit që gjallojnë poemën janë po aq të vdekur sa edhe të gjallë, aq sa të duket sikur kufiri midis jetës dhe mosjetës nuk ka pikë rëndësie. Ata janë po aq në ëndërr sa edhe në realitet. Me ose pa vetëdije nga ana e poetit, kjo e bën poemën të tingëllojë krejtësisht universale, jashtë përmasave kohëzgjatëse të një jete njerëzore.
Dikur, tridhjetë-e-ca vjet të shkuara, kur punonim bashkë në redaksinë e gazetës “Drita”, kam pasur fatin të dëgjoj drejtpërdrjejt përshkrimet e Skënderit për vendlindjen tij, kullotat malësisë, bjeshkët, barinjtë që kaherë kapërcenin malet për t’i dimëruar bagëtitë në fushat e Gjakovës. Ishin rrëfime fantastike, që më janë ngulitur në mendje. Skënderi kishte aftësinë që mallin dhe admirimin e tij për malësinë e Tropojës të ta ngjiste edhe ty që e dëgjoje, por që s’kishe qënë asnjëherë atje. “Vetëm të vdekurit pendohen” është dëshmia se ai është poet i mirëfilltë, me aftësinë që mallin dhe admirimin e tij t’ia përçojë, t’ia ngjisë edhe lexuesit. Uroj që sa më shumë vetë të dijnë të përfitojnë nga kjo aftësi e tij. Jo vetëm që do të kënaqen, por edhe do të mësojnë shumë.