Dritro Agolli ( – 1931-2017, Menkulas-Korçë). Botoi vëllimet me poezi: Mesditë (1969), Fjala gdhend gurin (1977), Udhëtoj i menduar (1985), Pelegrin i vonuar (1992), Lypësi i kohës (1995), Vjen njeriu i çuditshëm (1996). Botoi libra me tregime, romane, sidomos romani: Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” shënon një kulmi në krijimtarinë e tij dhe prozën bashkëkohore shqipe.
Mori pjesë në mitingun e poezisë në vitet e shtatëdhjeta të shekullit njëzetë dhe vlerësimi për mitingun i tij është i lartë; “Ditë e poezisë në Gjakovë” i quan ai, ” janë aktiviteti më i lartë letrar në trojet shqiptare”.
Është fitues i çmimit jubilar të mitingut të poezisë, të pesëdhjetin me radhë.
Ma do qejfi, shkoj drejt dhimbjes
Dhe prej dhimbjes ik sërish
Nisem plot inat mes grindjes,
Kthehem zbutur si dervish.
.
I kanosem ashpër fisit
Dhe përlotur fisin fal;
I penduar shkoj drejt Krishtit
Ik na Krishti, bëhem djall.
.
Hesht në prehje, rend në lodhje,
Njërën ndreq e tjetrën prish;
Kur mbledh lule, dua rrodhe,
Guvë e jetës-Judë e Krisht!…
Unë jam prej kohesh pelegrin
Udhëtar në vendin e shpresës së thyer,
Jam ndarë padashur nga karvani im
Mes shtigjesh nga vapa e shirat gërryer.
.
Kërkoj karvanin tim në rërë e shpat,
Karvanin që ka ndërruar drejtimin me kohë,
Ndaj në udhë jam krejt i humbur, jam fillikat
Me shami të grisur lidhur në kokë.
.
Për ujë buza ime u dogj, u bë zhur
Dhe sytë me shpojnë nga shterja e lotit
Më duhet të arrij karvanin e tretur qëkur
Capitur mes vapës, mes shiut e të ftohtit.
.
Unë jam prej kohësh pelegrin,
Shtegtar i karvanit të humbur
Dhe bart në kurriz një premtim
Të dhëne në hirin e gjyshërve të mundur.
Shumë ujë gri, shumë qiej gri,
Gri në dritare, gri në vetmi,
Ikin lejlekët larg në arrati
Shumë ujë gri, shumë qiej gri.
.
Pikojnë strehët melankoli,
Shumë strehë gri, shumë pika gri.
Postier përtaci vjen në shtëpi
Me pallto gri, me letra gri.
.
Hesht pas dritares maçoku i zi
Gazeta hapet me tituj gri,
Gri në dritare, gri në vetmi,
Ikin lejlekët larg në arrati…
1991
.
KUR TË JESH MËRZITUR SHUMË
.
Këtu s’do të jem, do jem larguar
Në tokë i tretur si të tjerë,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamerierët.
.
Dhe nëpër udhët ku kam ecur
S’do ndihet kolla e ime e thatë,
Mbi varrin tim do rrijë i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.
.
Ti do trishtosh atëherë,
Se s’do kesh miq në dhomë të gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.
.
Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë e ndonjë shkronjë.
.
Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vijë pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje.