Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se është mirënjohës ndaj palëve të ndryshme që ndanë “pikëpamjet dhe ekspertizat e tyre” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ne vazhdojmë të mbështesim zbatimin e të gjitha angazhimeve të marra në dialogun [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, shkroi Hovenier në Twitter.
Deklarata vjen pas një diskutimi të mbyllur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që u mbajt të martën në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por nuk është zbatuar kurrë.
Në Prishtinë, zyrtarët thonë se nuk mund të lejojnë formimin e një asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij.
Në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane morën pjesë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, liderë të partive politike, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe diplomatë.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrësit diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se “diskutimi ishte interesant”.
“Ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por, në përgjithësi, mendoj se cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë”, tha Rashiq, pa dhënë detaje.
Rashiq, i cili në disa raste ka përsëritur se marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk mund të injorohen, shtoi se njerëzit në këtë takim ishin “bashkëbisedues relevantë”.
“Ka potencial për bisedime të mëtejshme”, tha ai.
“U fol për një asociacion brenda kornizave të Kushtetutës së Kosovës”
Një pjesëmarrës tjetër në takim nga shoqëria civile tha se gjëja më e rëndësishme gjatë diskutimeve ishte fakti se “gjatë gjithë kohës është folur vetëm për një asociacion brenda kornizave të Kushtetutës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Duke dashur të mbetet anonom, ai tha për REL-in se takimi ka shkuar në frymë konstruktive, por se “kanë dominuar qëndrime shumë të kundërta”.
“Në pjesën e parë të takimit kanë folur kryesisht përfaqësuesit e komunitetit serb (politikanë, shoqëria civile, zyrtarë institucionalë). Diskutimi ka qenë përmbajtjesor, në kuptimin që është folur për të drejtat që burojnë nga [Pakoja] e Ahtissarit [v.j. në bazë të së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës]… se cilat janë pengesat në ushtrimin e tyre dhe se çka mund të bëhet më mirë”, tha pjesëtari i shoqërisë civile.
“Nga diskutuesit shqiptarë (qoftë nga politika apo shoqëria civile) ka pasur më shumë pyetje konstruktive, të drejtuara drejt komunitetit serb, se pse Asociacioni është i nevojshëm për t’i përmbushur këto kërkesa… theksimi i rreziqeve apo shqetësimeve mbi pasojat e Asociacionit në rendin juridik, por edhe kërkesa politike drejtuar aleateve”, tha ai.
Sipas tij, “nuk mund të thuhet se kishte më shumë mbështetës të Asociacionit sesa kundërshtarë”.
“Ka pasur qëndrime të ndryshme, qoftë skeptike apo më pozitive – të njëjta me ato që i dëgjojmë në opinionin tonë publik”, tha ai.
Millica Andriq-Rakiq, nga organizata joqeveritare New Social Initiative, me bazë në Mitrovicë të Veriut, tha se diskutimi u fokusua kryesisht në tri tema: si do të funksiononte Asociacioni i komunave me shumicë serbe, çfarë lloj shërbimesh do të ofronte dhe si do të funksiononte ai brenda sistemit ligjor të Kosovës.
“Ka pasur qëndrime të ndryshme që janë ndarë nga pjesëmarrës të ndryshëm. Kanë folur rreth 25 persona. Padyshim që nuk kishte qëndrim të përbashkët në fund. Qëndrimet ishin shumë, shumë të kundërta”, tha Andriq-Rakiq për mediat pasi doli nga takimi.
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, e kundërshton Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk mund të lejojë krijimin e një strukture njëetnike me kompetenca ekzekutive.
Kurti ka thënë se çështja mund të zgjidhet brenda kornizës së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.
Serbia, në anë tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.
Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Pavarësisht kundërshtimit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar që Kosova t’i respektojë marrëveshjet e arritura dhe të themelojë Asociacionin.