Shpesh kam menduar për ty…
Çuditërisht, kur vinte pranvera në qytetin tim. E kishte disa vite që ajo vinte me një lagështirë të bollshme e të mërzitshme. Të dukej se çdo gjë ishte prej uji: udhët, pemët, ajri, qielli dhe njeriu. Pra, një qytet i lagështirtë. I çuditshëm ky qytet! E çuditshme, por e vërtetë. Kjo që po ndodhte në Shkodrën time nuk ndodh në asnjë qytet tjetër në botë. E, kjo në Shkodër, se i thonë: Shkodër!
Lagështira e pakursimtë i humbte bukurinë stinës së luleve dhe të zogjve, vjollcave fshehurake dhe shermashekut andrrimtar. Sikur e “harronte” si pakuptuar dhe ‘pa jetuar’ stinën shpesh të ëndrrave, vinte papritur vera. Një verë e nxehtë që kërkonte shi e, që pranvera në ikjen e saj, çuditërisht nuk i kish falur asnjë pikë lagështirë.
Shpesh kam menduar për ty…
Çuditërisht, edhe kur vinte vjeshta. Binin gjethet, iknin zogjtë dhe ndjehej herë pas here murrlani drithërues. Ëndërroja një pyll si në poemthin e Zorbës. ‘Një shtëpi prej druri!’
Shpesh kam menduar për ty…
Çuditërisht, edhe kur vinte dimri. Një dimër, pakëz migjenian. Jetohet edhe në këtë dimër, kur hundën picrrake ta skuq era e duart t’i mardhë… Kur, edhe pema ndiehej e braktisur… Edhe ëndrra… Bardhësia e pafund e dëborës më kujtonte mbretërinë antike greke të “Iliadës”, teksa ti, i përkulur gjer në dhimbje, herë me lupë e herë jo, kërkoje nëpër errësirën e shekujve fjalët e çmuara gege. Të dritshmet fjalë! Të mermertat fjalë, për t’i vënë si monument në monumentin e epikës së lashtë, që verbëria e një poeti i fliste njerëzimit mbi luftën e njerëzve me njëri-tjetrin, mbi luftën e perëndive me njëra-tjetrën…
Shpesh kam menduar për ty!.. Kush je në të vërtetë Gjon Shllaku? Nuk ke dalë nga legjendat e mitet shqiptare? Nuk ke dalë as nga legjendat e mitet greke? Po pse kam menduar që je legjendë dhe mit (?!) Në të vërtetë je një legjendë dhe mit shkodran. Në të vërtetë je miku im! Po përtej..? E, mendoj që në letërsinë shqipe, avanguardistët keni qenë ju, përkthyesit. Gjeneratat e përkthyesve të mirë që u përulem me respekt. Keni qenë shqiptarë, por më parë keni qenë evropianë. Shijen, aromën, kulturën evropiane e keni ndjerë të parët. Më parë se të tjerët! Keni vazhduar të përktheni sa në heshtje sa në revoltë, sa në përndjekje sa në terror, sa në dhimbje sa në paditje për t’i treguar kulturës evropiane që shqipja e Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhit e Nolit e Hafiz Ali Korçës etj., ka aq margaritarë-fjalësh e termash, sinonime e shprehje frazeologjike, struktura e ndërtime të larme fjalish; sa është e aftë jo vetëm t’i shpërfaq dinjitetshëm veprat e autorëve që kanë bërë epokë, por edhe t’i nderojë poaq sa gjuha e tyre e vendlindjes.
M’u kujtove ti, Gjon Shllaku… dhe mblodha ca shënime për ecjen e rrugës tënde jetësore e letrare (shqipëruese e përkthimore), rrugë me shtigje, me të papritura e humbëtira; rrugë me tallaze valë-deti e me tallaze shiu vrulltar, me netë pis të zeza ku yjet ishin mërguar, me ftohtësinë e thekshme të ditëve që të çmendin… Me…
M’u kujtove ti, Gjon Shllaku me një buzëqeshje si hënë e vonuar, kur netëve gjumin ia falje hënës…
M’u kujtove ti, Gjon Shllaku me fytyrën tënde si një gjethe e artë vjeshte që i bën karshillëk Diellit… Ajo gjethja që mbart aromë të artë!..
M’u kujtove ti, Gjon Shllaku me at’ kuqëlimin purpuror që të digjej përbrenda fytyrës dhe ti ngjaje si një perëndim dielli, si një përflakje! I tillë ishte kozmosi yt!
M’u kujtove ti, Gjon Shllaku…
Miku im, a kishte jeta jote thërrime drite? Apo…
Ashtu siç e thashë edhe më herët në këtë tekst, përsëri, pas 13 vitesh ikjeje, po mundohem të mbledh ca fjalë, ca shënime, ca gjurmë të botës së artit tënd, si shqipërues të kolosëve antikë e më gjerë për të ndërtuar sadopak “Iliadën” e jetës tënde…
Miku im, po kthehem vite e vite pas, në rininë tënde. Ndonëse ti kishte një rini tjetër, një rini që sytë i kishte tek raftet e librave të bibliotekës. Në njërën dorë mbaje librin, në dorën tjetër fjalorët e gjuhëve të huaja. E kuptuan, jo vetëm prindërit e tu të shtrenjtë, por edhe mësuesit e Seminarit Papnor të Shkodrës, që ti kishe prirje për gjuhë të huaja. Një botë ku nuk mund të shkelë kushdo. Por ti ecje me guxim, sepse zotëroje shumë mirë latinishten, greqishten e vjetër, frëngjishten dhe italishten. Në këtë kohë përktheve romanin “Ben Hur” të Wallasit. Profesorët të admiruan dhe të vlerësuan. Por… miku im, e paske pasur edhe një “POR…”, ndonëse ti ishe i pafajshëm, koha dhe rendi socialist të bënë të fajshëm. Nuk ishe më shumë se 23 vjeç, dhe ishte viti 1946. Vit famëkeq për ty. Ishe student në vitin e tretë të fakultetit Teologjik, kur të arrestuan. T’i prenë ëndrrat në mes. Shumë ëndrra! Ata që të arrestuan ishin më të zinj se nata. Të akuzuan si anëtar i organizatës “Bashkimi Shqiptar” dhe të dënuan me 101 vjet burgim. Të dënuan ty, që në vitin 1960 do të botoje “Iliadën” e famshme dhe ti duhej të ishe i famshëm, por egërsirat që janë pjesë e natës pis të zezë u munduan të mos i jepnin lavdi emrit tënd. Por harruan se Koha ta dha lavdinë. E meritoje, ndonëse pak me vonesë.
Tani miku im, do të punoje si i burgosur te fusha e aviacionit në Rinas, tek Ura Vajgurore, në miniera e tharje kënetash. Në burgun famëkeq të Burrelit ku jeta ishte a nuk ishte sa një rriskë qiell, ku hëna dhe yjet nuk lejoheshin të hynin në këtë burg ogurzi, ti miku im në errësirë të plotë mësoje anglishten, gjermanishten, spanjishten dhe greqishten e re. Dhe në moshën 34-vjeçare del nga burgu. Ndoshta në historinë e një daljeje të tillë të burgulogjisë, zor se ka ndodhur në botë. Njeriu del i lodhur, i trumhasur, i leckosur, me një torbë varfanjake në dorë. Dikush të pret te porta, ose nuk të pret?! Ti dole ndryshe, dole me 18 gjuhë të mësuara. Me diej gjuhësh nga bota. Ti mbaje në shpirt shumë botë. Botë nga bota. Këtë s’mund ta kuptonte askush. Jo, jo askush. Dhe ti miku im, pa pretendime, ishe modest, shumë modest sa s’mund të thuhet; po filloje një “jetë të re” në atë dhomën e vogël ku jetoje bashkë me prindërit, atë të nisjes së një rruge të gjatë, të vështirë por fisnike të përkthimit. Po përktheje kolosët e letërsisë botërore. E çuditshme, po aq dhe e habitshme. Ti “bisedoje” me këto kolosë nga që edhe ti ishe një kolos i tillë, ndërsa në të vërtetë, në fillim ishe punëtor e më pas si normist në ndërmarrjen e Zukth-Kashtës në Shkodër. Ndryshe nga të tjerët ti kishe një orë tjetër, në mund ta quaj “Orë Përkthimi”. Jo shumë kush e ka. Kjo ishte ekzistenca e kohës tënde. Me këtë orë e matje kohën. Kështu ‘jetonte’ koha jote: brenda në shtëpi, ‘vetëm’ (në të vërtetë jo vetëm) duke përkthyer deri në mesnatë. Pas kësaj punë të mundimshme, filluan të vinin buzëqeshjet e para. Me ndihmën e poetit Llazar Siliqi e të poetit e kritikut Drago Siliqi, i cili ishte Drejtor i Shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, të botohet kryevepra “Iliada” e Homerit. Shumë do të kisha pasur dëshirë ta shihja dhe ta jetoja atë çast fatlum. E marr me mend, nga që të njoha, miku im. E marr me mend… Qielli i dashurisë tënde rrallë gjendet. Dhe ky qiell ishte “pronë” e shpirtit tënd të dlirë. “Iliadën” ta mirëpritën. Të përgëzuan, edhe pse e kishe shkruar gegënisht. “Iliada” u ribotua më 1997-ën në standartin letrar, po të përkthyer nga ti miku im. Më pas u botua edhe dy herë në Kosovë, më 1971 dhe 2000.
Po bëjmë edhe pak historik të jetës tënde, për të zbuluar margaritarë të tjerë rrezatues. Më 1966 të botohet “Historia e Skënderbeut” e Sansovinos, përkthyer nga origjinali në italisht. Por një vit më pas, nuk do të botojnë asnjë përkthim. Edhe ndaj teje ka filluar përsëri kryqëzata famëkeqe e luftës së klasave. Sa mallkim aq dhe dramë, më saktë tragjedi për shumë njerëz. Edhe për ty, miku im! Por e kishin të kotë. Titanët nuk mund të ndalohen. Po ashtu rrjedha e fuqishme e lumit. Ti vazhdon të përkthesh si më parë. Shkruan dhe vetë dhe ndoshta pret vitin 1990. Përkthimet e kolosëve të antikitetit do të botohen në Shqipëri, Greqi, Itali, Francë, Amerikë. Një ambasador i vërtetë! Ashtu, përsëri i heshtur, e lavdiplotë, do të botojnë një prej veprave të tua të fundit të përkthyera nga dora e mendja jote e artë, “Kënga e Rolandit”. Botimi u bë i mundur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Ti atëhere festoje 80-vjetorin e lindjes. 80-vjeç ahere ishe ti, miku im. “Kënga…”, kjo vepër e eposit francez u përkthye dhe u botua për herë të parë në Shqipëri.
Ti, tashmë, Profesor ishe 80 vjeç!
Ti, tashmë, Mjeshtër ishe 80 vjeç!
I bëre të flasin shqip: Homerin, Eskilin, Sofokliun, Euripidin, Virgjilin, Ovidin, Shatobrianin, Shekspirin, Hygonë, Rasinin, Aldred De Mysenë e deri Papa Gjon Pali.
Por Mjeshtër, të përkthesh për 63 vjet nuk është një fjalë goje. Është një rrugë e gjatë, e mundimshme, e stërmundishme. Lodhje. Dhe ti, miku im ia arrite qëllimit. Kalove nga njëri epos në tjetrin dhe u ktheve, vetë, në EPOS. Janë të rrallë njerëzit që panteonin e tyre kanë EPOSIN.
Tani, të ishte lodhur zemra…
Zemra!..
Tik-tak-et e saj u shuan një nga një pa e jetuar edhe përfundimin e Fjalorit me 65 mijë fjalë, latinisht-shqip. Ishte puna jote e fundit.
E fundit, por ndryshe nga herët e tjera po e shihje me sytë e zemrës. Në amëshim.
Nderim, Mjeshtër!
Gjon Shllakun, bashkëqytetarin tim shkodran e bashkëkohës, e njoha në fillim të viteve ’90. Jetonte në një hyrje modeste pallati, në lagjen “Qafardhi”. E kujtoj edhe tani atë pasdite, kur vjeshta ishte në të hyrë. Ndihej freskia e shiut të lehtë që sapo kishte pushuar. Muret e lagështitura të asaj fasade gri të murrëtyer që pashë, sikur e plaknin më shumë pallatin. Ca rreze të diellit në ikje që u shfaqën papritur, fokusuan një tendë nazike hardhie, ku ca degëza ishin zgjatur, kërkonin hapësirë dhe në mënyrë tinëzare kishin mbështjellur ca antena televizive e s’i lëshonin dot. Kjo ‘performancë’ nuk ishte një instalacion, as dhe një subjekt përralle, por një realitet tragjiko-lirik, qiellor, me një shpërthim e harlisje gjelbërimi.
Ngjita shkallët, ca shkallë të rënë suvaje. Trokita dhe prita. Nga mënyra se si u hap dera dhe sytë e trembur të gruas që u shfaqën në të, kuptova menjëherë se nuk kishte trokitur ndonjë gazetar, aq më shumë siç isha unë, i Radio Shkodrës, i Shkodrës, vendlindjes sonë. Por më tej kuptova, teksa hyja brenda, se isha gazetari i parë që, përmes trokitjes sime kisha trazuar ‘qetësinë’ e asaj shtëpie, ku jetonin të patrazuar e donin të jetonin ashtu: në një botë pleqërie a si në një baladë, një burrë e një grua. Veçanërisht burri donte të jetonte larg zhurmave trembëse, të bërtiturave tronditëse e fjalëve të kota, që dëgjoheshin parreshtur pranë e rreth e rreth pallatit të vjetër, të asaj lagjeje pakëz në periferi. Jo se e trembnin, por ky burrë kishte një ‘botë’ të tijën, që e kishte krijuar që kur kishte qenë 17 vjeç; atëhere kur kishte nisur udhën e vështirë, por fisnike të përkthimit me romanin “Ben Hur” të Wallasit dhe zotëronte gjuhët: Latinisht, Greqishte të vjetër, Frëngjisht e Italisht. E nuk do të pushonte së përkthyeri… 63 vjet! – e nuk është një fjalë goje, por përpjekje titanike për të njohur të panjohurat e gjuhëve dhe dalje faqebardhë para tyre. Mburrja, pazotësia, dëshpërimi, paaftësia dhe koritja ishin ‘të jashtëligjshme’ e nuk kishin ‘tapi’ në mbretërinë ndershmërisht të tij përkthimore. Heshtja, fjalëpakësia, modestia ishin miqtëbashkudhëtarë të përkthyesit të madh.
Më vonë, kur fillova të shpeshtoja vizitat si një mik në shtëpinë e tyre, kuptova se ajo grua (ishte gruaja e dytë e përkthyesit, se e para i kishte vdekur shumë kohë parë), ndonëse kishte qenë mësuese e fliste ngadalë si ato mësueset e dala në pension, sikur nuk e kuptonte plotësisht botën që kishte krijuar i shoqi. Ai jetonte gjithnjë me një të kaluar të largët, shumë të largët që vetëm ai e njihte dhe e njihte në çdo ind të saj. Ajo e kaluar pikënisjen dhe lidhjen e kishte me Homerin dhe Iliadën. Ky burrë gegë, me talentin e tij të pashoq, i kishte dhënë shpirtin e tij si përkthyes, për t’i dhënë Eposit grek pavdekësinë edhe nëpërmjet Gjuhës Shqipe. E, ata, jetonin në sajë të dimensionit dituror të patriarkut Gjon Shllaku, sa fisnik aq dhe klasik.
Kishte muaj që vizitat i shpeshtoja, ashtu siç kishte muaj që vizitat i rralloja në shtëpinë e Gjon Shllakut. Për mos t’u bërë të largët me njëri-tjetrin, shpesh flisnim në telefon. Nuk ndryshonte zëri i tij. Mirësi e dritë kishte ai zë. Më bëhej sikur fliste Dielli.
Teksa bisedonim, veçanërisht për veprën e tij të fundit, për Fjalorin diakronik latinisht – shqip me 65 000 fjalë e, që kishte 16 vjet që nuk lodhej, por kërrusej para makinës së shkrimit; me atë zërin e tij të vogël, të pafajshëm fëmijëror më tregonte se dosjes së trashë iu shtua edhe një faqe e re… Në fakt, ato nuk ishin faqe, por enciklopedi, ku një burrë i zoti dhe i palodhur, i pagjumë dhe vlertar linte shenja diturie një enciklopedie të re. Ia ndieja gëzimin e brendshëm që i lodronte në kopshtin e shpirtit të tij. Mendoja: “O udhëtar, që nuk di se ç’është pushimi, edhe sa rrugë ke për të bërë… Këndo, o muzë, këndo..!”
Teksa bisedonim në telefon, gjithherë më fanitej ai burrë, që kur përmendte dashurinë e parë nuk përmbahej e ngashërehej në vaj, që pranonte ngrohtësinë e kapuçit të zi në kokë: i menduar e shpresëbesim, udhëtar që e vonuan në kohë e megjithatë e kapi diellin e mëngjesit, bard që këngën desh ia ngrinë në buzë por s’arritën, që shumë ditë nga jeta e tij ia trishtuan dhe ia pikëlluan… Por, ngaqë e njihja mirë, gjatë bisedës, shpesh i dridhej zëri, dhe unë e kuptoja dhe besoja që ai ishte skuqur në fytyrë. Skuqej në pafajësinë e vet… Dhe se e ndiqte ende dashuria e nënës (edhe pse kishte ndërruar jetë) si “çati e botës…” – siç thoshte liriku i shquar i letrave shqipe Frederik Rreshpja.
Një ditë prej ditësh më tregoi se, sapo ishte kthyer nga Shiroka. E kishte ftuar kompozitori Zef Çoba për një kafe. Tregonte, dhe portreti i tij ishte tjetër… Kishte një lumturi të brendshme e një vrull djaloshar që së pari i “përkthehej” te sytë, që i qeshnin parreshtur… Ndaj dhe dita ishte një realitet tjetër për të… Pastaj, në fund me keqardhje dhe hidhërim më tregoi se mungonte era e sherbelës dhe se Taraboshit i kishte humbur gjelbërimi.
E mendoj gjatë këtë bisedë. Kisha një hamendësim. Qoftë i gabuar ky: ndoshta ishte hera e parë që shkonte në Shirokë, ai që aq mirë njihte Eposin grek.
Një ditë prej ditësh, gjithashtu më tregoi se, i kishin premtuar drejtuesit vendorë ta zgjeronin me shtëpi. Unë e dija, ai donte një dhomë më shumë, ku të ‘strehoheshin’ biblioteka, dosjet dhe të kishte një studio të punës. Por… ah… vite kaluan dhe drejtuesit që i premtuan e zhgënjyen, e lavdëruan dhe e rrejtën, s’e kujtuan dhe e harruan…
Një ditë prej ditësh më tregoi se, kishte tri ditë që ishte kthyer nga Greqia. Ishte kthyer me trofe. Ishte fitues i ‘Diskut të Argjendtë’ dhënë nga qeveria greke, si një ndër përkthyesit më të shquar të letërsisë antike greke.
Po citoj nga shënimet e mia, që kam vite që i ruaj dhe i kam nxjerrë nga shiriti i magnetofonit: “Nuk e merr dot me mend, i dashur mik, se çdo të thotë të marrësh ftesë nga Homeri. Atë natë nuk vura gjumë në sy. Më silleshin nëpërmend vargje pa mbarim që disa i thoja me zë të brendshëm, skena, personazhe, beteja dhe netët e pafund dhe të vështira të përkthimit, që shpesh i thoja vetes: “O Zot, a do t’ia dal?..” Dhe tani ftesa… drejt… Po a do të më njohin vallë? Po a do t’i njoh vallë? Me të drejtën e Zotit, nuk kisha nevojë për përkthyes, për historian, për ciceron, për rrëfimtar… I njihja malet, ndonëse kurrë s’i kisha parë, i njihja vendet, ndonëse nuk i kisha parë, njihja e njihja… Se, mor i dashur mik, ato i kisha njohur në “Iliadë”. Se “Iliada”, o mik është pjesë e zemrës sime, është zemra ime, jeta ime! – dhe i shpëtuan ca rrëkeza lotësh mbi faqet e fishkura si shenja mbarësie të një bereqeti të lavdishëm…
Nuk më shqitet nga mendja takimi me Gjon Shllakun, i cili sapo ishte nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri i artë”. Isha caktuar nga Radioja për t’i bërë intervistën, që do ta jepnim si speciale pas edicionit të lajmeve. Pyetjet ia dhashë një natë më parë në telefon. I mirëpriti, por e kuptova që diçka nuk shkonte… Para intervistës e mësova se ai nuk kishte dëshirë të fliste për veten. E mundonte “uni”… I artikulonte fjalët me vështirësi. U detyrova ta ndërprisja dialogun, të këmbëngulja “pakëz me forcë” dhe çdo gjë shkoi për mrekulli. Ai, përsëri, në bisedë bëri një kthesë të papritur… Nisi të flasë për Homerin dhe Iliadën, Eskilin dhe Prometeun e lidhur, Sofokliun dhe 7 tragjeditë e tij, Euripidin dhe 4 tragjeditë e tij, Virgjilin dhe Gjeorgjikat (përkthim nga latinishtja), Virgjilin dhe Eneidën (përkthim, pjesë të zgjedhura), Ovidin dhe Metamorfozat, Lukrecin dhe De Renum natura, Shekspirin dhe 7 tragjeditë e tij, Shatobrianin dhe Martirët, Kornejn dhe Sidin, Fjalorin Helenik (Greqishte e vjetër – Shqip, 20 000 fjalë), Fjalorin diakronik (Latinisht – Shqip, 65 000 fjalë). Në çast, m’u kujtua një përgjigje e Sigmund Freud-it, ndaj një pyetësori mbi leximin dhe mbi librat e mirë: “Ju më keni kërkuar t’ju këshilloj “dhjetë libra të mirë”, pa dhënë shpjegim. Kështu që më lini jo vetëm zgjedhjen e librave, por edhe interpretimin e kërkesës suaj. Duke qenë i mësuar t’u kushtoj vëmendje shenjave të vogla, atëher` duhet t’i besoj formulimit me të cilin ju keni shprehur kërkesën tuaj enigmatike. Ju nuk thatë: “Dhjetë veprat më të bukura (të letërsisë botërore); në këtë rast do të isha i detyruar t’ju përgjigjesha midis të tjerave: Homeri, Tragjeditë e Sofokliut, Fausti i Gëtes, Hamleti dhe Makbethi të Shekspirit etj.”[1]
Çuditërisht, edhe pse larg njëri-tjetrit, edhe pse lindjet i ndanin prej 67 vjetësh e vdekjet i ndanin prej 64 vjetësh, edhe pse vinin nga dy shtete të ndryshme por me status evropian, ata po më flisnin më të njëjtën gjuhë të universit dhe të pavdekësisë letrare, po më flisnin për një bibliotekë me përmasa dhe rrezatim botëror, ku njëri pas tjetrit librat ngjanin si gurë të xhevahirtë.
Në fund profesor Shllaku psherëtiu thellë. Desh të fliste, por nuk foli… Buza iu dridh e një lot i ndriti në faqe.
Realisht, ngaqë ia njihja jetën, ia njoha dhe psherëtimën. Dhe tani po vazhdoj unë: “Po të ktheheshin librat e përkthyer, gjuhët e huaja, vitet e burgut dhe vitet e mundishme hekakeqe[2] në dosje, unë nuk e di se si do të bashkëjetonin… E, pra, ata kanë ‘bashkëjetuar’ në jetën e një përkthyesi të madh, që në një ditë gushti u nda nga kjo botë, kur ende bashkëkohësve dhe gjeneratave donte t’u fliste përmes Fjalorit, që mjerisht, mbeti i pa përfunduar.”
“Ja u ktheva përsëri në Shkodrën e mbretërve
Ngritur gurë-gurë
Mbi supet lakuriq të një gruaje,
Nga vëllezërit tradhtarë.
Mbi degët e shirave këndojnë zogjtë.
Nën pemën e madhe të mesditës,
Gjethe të verdha bien mbi shpirtin tim.
………………………..
Shfaqen në muzg
Trëndafilat e thurur me diell;
Ah, tani edhe trëndafilat na kujtojnë kamionët me djemtë e vrarë:
Sa të bukur dhe të rinj ishin, o Zot!
Mirupafshim o djem në një planet pa diktaturë.”[3]
Ndërrimi i sistemit nga diktaturë në demokraci, helenistin Gjon Shllaku e gjeti më të plakur, më me shumë rrudha në fytyrë dhe në shpirt, me një lëvizje më të pakët të dorës mbi tastierën e makinës së shkrimit, me një shëtitje më të zvogëluar, me një bardhësi fytyre që vinte duke iu shtuar dita-ditës e, që ngjante si një hënë më e vetmuar dhe më e pikëlluar.
Shpesh e shfletoj “Iliadën”. E bëj se nuk dua të kujtoj verbërinë e Homerit dhe të humbas diturinë e një miku të çmueshëm siç ishte Gjon Shllaku.
“Iliada” jeton dhe u flet kohërave… Do të ishte e pafat, po të mos njihte helenistin e shquar, klasikun e fundit të shkollës letrare në fushë të përkthimit, njërin nga personalitetet e kulturës shqiptare, Gjon Shllaku. Ai “Iliadës” bëri Iliadë, kjo falë edhe leksikut të begatë të gegënishtes që edhe Eposet e famëshme botërore, i këndon me madhështinë e saj.
[1] Freud, Sigmund: Psikanaliza e artit dhe e letërsisë, Dituria, Tiranë, 2000; shkrimi: Përgjigje ndaj një pyetësori mbi leximin dhe mbi librat e mirë (1907), f.15. Titulli i origjinalit: “Antwort auf eine Rundfrage vom Lesen und von guten Buchern”.
[2] plot vuajtje
[3] Reshpja, Frederik: Në vetmi (poezi të zgjedhura), Arbëria, Tiranë, 2004; poezia: Kthim në vendlindje, f. 144-145.