Mbarova së lexuari, ndoshta një roman për vete dhe për shokët, siç thotë autori. Ky libër nuk është shkruar nga Heminguej, as nga Tolstoi dhe Turgenievi, as nga Xhek London dhe Serevantesi, as nga Remarku dhe Stendali, as nga Hygoi dhe Mopasami, as, as…… As më shumë dhe as më pak, përfundova së lexuari ditët e fundit, një libër të një miku,, të një tiranasi, por edhe të një njeriu që e quan Durrësin – “Durrësi im, porta e Shqipërisë”. Libri titullohet : “Broduej i Tiranës” i autorit tiranas Bedri Alimehmeti. Vërtet nuk lexova veprat e kolosove të letërsisë botërore, por shpejtësia dhe interesimi në rritje për atë çka shkruhej tek “Broduej i Tiranës”, ishte në përmasat e autorëve të famshëm.
Libri qe kishte si titulli tregimiin eshkrimtarit të njohur amerikan Xhon Rid “Një natë në Broduej”, u shit me një shpejtësi marramendase. Ishte etja e madhe e rinisë së fillimit të viteve 60-të, për të mësuar diçka më shumë për atdheun e Elvis Preslit, Frenk Sinatrës, Merilin Monrosë, Marlon Brando, Bill Halej, Otis Redit, Çobi Çikerit etj.
“Na mbytën këto emra rusë, foli dikush shkruan ndër të tjera Alimehmeti. Ngado që të ecësh, e ngado që të kthesh kokën, vetëm ato ndesh: pastiçeri “Moska”, bar “Krimea”, hotel restorant “Odesa”, pastiçeri “Vollga Don” etj. Do të ishte vërtet bukur, sikur rruga e jonë, që vërtet nuk është rrugë teatrosh, por ama me këtë ngushtësinë e saj karakteristike, dëndurinë e dyqaneve, me kalimtarët e shumtë, me pijetoret aq tërheqëse, ta kishte emrin “Broduej”. Dhe kur u ndamë se kush tha: “Nesër prap këtu në Broduej”.
“Broduej i Tiranës”. Një libër fantastik, pasi brenda një rruge 100 metra e gjatë, thuret filozofia e rinisë së viteve 60-të, e një rinie privuar të jetë e lirë nga diktaturë, por jo më pak ëndërruese se çdo rini e botës. Aftësia e autorit është përgjithësimi. Rinia e jonë vjen e ulet këmbëkryq, në atë memorie që nuk zbehet në jetë të jetëve, duke u përpjekur të thithë nga bota e zhvilluar më të mirën, më të bukurën, atë që e joshte dhe zbaviste. Autori duke qenë pjesë e familjeve autoktone tiranase, i përcakton pikat kryesore të rrugës Broduej, sipas zanatçijve të njohur të këtij qyteti. Ajo rrugë ishte frymëzim, ishte bota vetë, ishte ëndërr, ishte e ardhmja, ishte rinia e artë e viteve 60-të, ishte qendra ku mblidheshin të rinjtë dhe diskutonin me shumë kujdes, se mos ndonjë fjalë fluturonte ashtu pa dashur në tavolinat e punës së sigurimit të shtetit, të atij sigurimi që ta priste jetën si me thikë.
Të rinjtë takoheshin, duke u mbështetur në parvazet e mermerta të vitrinave të farmacisë Nr. 3 ose tek dyqani i luleve (sot lulishtja para hotel “Tirana Internacional”), ose tek rrugica pranë karrikes së Pac Llustraxhiut, ku mblidheshin futbollisët e Tironës, tek bomboneria “Odeon” përballë nëntëkatëshit, në krahun e Poliklinikës@. Në periudhën e dimrit rrinim brenda në Mapo, aty pranë ariut polar prej alabastre, gjithnjë stoik mbi banakun e repartit të bizhuterive. Kur gjendeshim me lekë shkonim e pinim nga një krikëll birrë tek”Tymi” i xha Andonit dhe perifrazonim Majakovskin. Dhe teksa mendohej të gjenim një emër të veçantë, që ta kënaqte rininë, me influenca të shijeve të kohës, del libri me tregime nga letërsia e huaj “Një natë në Broduej”. Dhe menjëherë emërtohet rruga më popullore, me një influencë të fuqishme masive, me një emër aq të dashur nga rinia tiranase e pjesës nga ish hotel Vjosa, duke iu ofruar zonës së Selvisë ngjitur me pazarin e vjetër, duke u tërhequr disi pranë kinema “17 Nëntorit”, e duke zotëruar një pjesë të rrugës së Dibrës. Dhe këtë rruge rinia e kohës, e quajti Broduej i Tiranës, ashtu sikundër një rruge në Nju Jork rruga “Broduej”. Një paralele me theks opozicioni ndaj regjimit, por me një fuqi të jashtëzakonshme shpirtërore në atë rini, që sot janë gjyshërit e denjë të një rinie vërtetë europiane.
Lamtumirë Bashkimi Sovjetik, fryn erë perendimore
Kam qenë 9 vjeç në vitin 1960, ndërsa Bedri Alimehmeti, ndër miqtë e betuar të mi në Tiranë, ishte 15 vjeç. E ndërsa fundi i viteve 60-të na shtoi edhe 10 vite secili prej nesh, duke rritur shkallën e përfaqësimit të bindjeve dhe dëshirave, të një rinie të ndërgjegjësuar për ecurinë aktuale të vëndit.
Prishja me Bashkimin Sovjektik, autori i këtij libri historik, i detyruar të mbetet “peng” i bibliotekave, nxiti botimet me theks perendimor. Është për ti ngritur përmendore përkthyesve tanë të jashtëzakonshëm Vedat Kokona, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Eqerem Biba, Halit Selfa, Bujar Doko, Pashko Gjeçi, Jorgo Bllaci, Lasgush Poradeci, Gjon Shllaku, Nasho Jorgaqi, Sotir Caci, Hamit Kokalari, Merkur Alimerko etj, që përkthyen Stendalin, Viktor Hygonë, Prosper Merime, Teodor Drajzer, Anatol Franc, Gi dë Mopasam, Honore de Balzak, Dante Aligeri, Moravia, Lion Fojthvanger, Xhon Golsuorthi, Arçibald Xhon Kronin, Homeri, Tomas Man etj. Të gjithë këto janë autorë të kryeveprave botërore, romaneve “E kuqja dhe e zeza”, “Manastiri i Parmës”, “Viti 93”, “Karmen”, “Krimi i Silvester Bonerit”, “Perënditë kanë etje”, “Një jetë”, “Shtëpia misterioze”, “Zherminal”, “Paraja”, “Tre shokë”, “Të kesh e të mos kesh”, Plaku dhe deti”, “Lamtumirë armë”, ‘Çifutja e Toledos”, “Çoçarja”, “Saga e Forsajtve”, “Lulet e mollës”, “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, “Çitadela”, “Budenbrokët”, “Ushtarin e mirë Shvejk”, “Komedia Hyjnore” , “Iliada”, “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, “Njeriu që qesh” , “Etër e bij”, “Evgjeni Grande”, “Një jetë”, “Mont Orjol”, “Vanini Vanina”, “Gjeniu”, etj. Të gjithë këto krijime, fond i artë i bibliografisë botërore, lexoheshin me ëndje nga rinia e kohës dhe ndër to edhe nga autori i këtyre rradhëve.
Krahas letërsisë, vëndin e filmave sovjetikë e zunë filmat francezë, ku spikatnin interpretimet e papërsëritshme të Zhan Maresë, Zhan Gabenit, Bernard Biës, Zhan Pol Belmondo, Moris Rones etj. Dhe autori i Broduejt kujton edhe filmat e shumtë të neorealizmit italian me artistë kalibri si Ralf Valone, Renato Salvatore, Klaudia Kardinale, Marçelo Mastrojani, Sofia Loren, Xhina Lolobrixhida, Antonela Lualdi etj.
Ku-kë-si qyteti i tre pyetjeve
-Doktori italian Massimo Inardi bëri surprizën historike
Është një befasi që vjen dimri i vitit 1961, në emisionin e famshëm italian “Rischiatutto” që drejtohej nga moderatori i jashtëzakonshëm Majk Bongiorno. I ftuar doktori Massimo Inardi. Rreziko duke luajtur, kjo ishte në esencë pjesmarrja në emision. Dhe Inardi fitoi atë mbrëmje 48 milion lireta. “Rruga” Broduej e ndiqte e tëra këtë emision shumë popullor. Kuptohej në mënyrë kladestine. Alimehmeti e sjell të freskët këtë Inardin, sikur emisioni të ketë ndodhur tani vonë. Majk Bonxhorno e pyet Inardin:
-Ekziston një qytet në Europë, emri i të cilit përbëhet nga tri pyetje. Ku gjëndet dhe cili është emri i tij?
Përgjigjen po e japim italisht, për të ruajtur fuqinë dhe befasinë e reagimit të Inardit.
“La citta esiste e si trova in Albania, si chiama Kukësi. Ku in albanese significa dove in italiano, Kë in albanese significa chi in italiano e si in albanesse significa come in italiano”. Surpriza vazhdoi të begasojë dhe trondisë shikuesit dhe drejtuesin e emisionit.
Bonxhorno formulon pyetjen e dytë.
-Ekziston një krahinë në Shqipëri, e cila mban për emër mbiemrin tim. Më thuaj si quhet ajo?
-Mirdita, ishte përgjigja e menjëhershme e doktor Inardit.
Kjo ishte lënda e parë, që u diskutua të nesërmen në mbrëmje nga djemtë dhe vajzat e Broduejit. Çdo shqiptar ndjeu krenari për përgjigjet e doktorit të paharruar italian Massimo Inardi.
Durrësi dhe durrsakët kapitull i rëndësishëm i librit
Në një anë kam të drejtë të ekzaltohem për botimin e këtij libri. Alimehmeti një kapitull ia kushton, vendlindjes time, Durrësit të mallit dhe sentimentit tim. Ky kapitull titullohet: “Durrësi im, porta e Shqipërisë”. Kam të drejtë ti jem mirnjohës Alimehmeti, që nuk e ndaj Durrësin nga Tirana dhe durrsakët nga tiranasit. Shkruan me mall, me emocion dhe letra e librit më duket sikur është lagur nga lotët e tij. Një 75 vjeçari, vitet 60 i duken më të ëmbël se mjalta, pasi është rinia e tij, një rini me ëndërra dhe dëshira, ku të rinjtë e rrugës Broduej, ishin shumë të organizuar, shumë të lidhur njëri me tjetrin dhe e donin Shqipërinë njëlloj si bota e qytetaruar e rinisë së vëndeve të zhvilluara.
Ja çfarë shkruan Alimehmeti në “Broduejin e Tiranës”:
-Sapo kalonim tunelin e Rrashbullit, deti çfaqej përpara befasisht. Gjithë ajo hapsirë ujore më krijonte një ndjesi të çuditshme në shpirt dhe në ato çaste me dkej vetja krejtësisht në kraharorin e ngrohtë të Durrësit tim. Nuk besoj që pas kësaj që thashë, të më paragjykoj kush. Edhe pse lindur e rritur në Tiranë në një familje autoktone brez pas brezi, përqëndrimi i së cilës daton me themelimin e qytetit, fakrtikisht Durrësin jo vetëm se kam ndarë nga Tirana, por këto dy qytete si ka menduar kurrë të shkëputur nga njëri tjetri. Kështu i kam konceptuar gjithnjë dhe cilido le të thotë ç’të dojë. Për mua si Tirana ashtu edhe Durrësi, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ende sot e kësaj dite një i vetëm. Veçmas kësaj natyrisht jam i ndërgjegjshëm dhe nuk mund ta mohoj kurrsesi faktin, që një pjesë e kësaj dashurie e ka zanafillën në fëmijërinë e hershme. Ndaj kur të rritej, nuk do të nguronte të thurte disa vargje për qytetin e lashtë në brigjet e detit, nxitur më shumë ndofta edhe ngaqë më vonë pasi lexoi Heminguejin i qe fiksuar shprehja : “Në këtë botë vendi i fundit i lirë është deti”.
Ndjehesh i prekur dhe i privilegjuar si durrsak, ku shpirti dhe pena e Alimehmetit, ndalen nga traditat e hershme të lidhjes së Durrësit me Tiranën. Tiranasit që herët kanë bërë tregti me durrsakët, ku kujton famljet e famshme Shijaku, Dovana, Manushi, Myshketa etj. Gjatë luftës kur Durrësi u zbraz, durrsakët gjetën strehim në Tiranë. Aty bënë krushqi dhe vazhduan shkollat. Durrësi ashtuj si Tirana, kishin shumë emërtime të përbashkëta si kinema “Republika”, lulishtja “1 Maji”, hotel “Vollga”, pastiçeri “Tirana” etj. Vetëm Broduej nuk kishin durrsakët. Por inflencat perendimore në Durrës janë të hershme, ku edhe regjimi i rreptë komujnist nuk i ndali.
Durrësi mbeti për Tiranën portë hyrëse e perendimit. Marinarët durrsakët, me kulturë dhe aftësi profesionale sillnin revista ku flitej për kulurë dhe sport, ndanin sapu palmolive apo çimçakiza, sillnin rrobe ku shpreheshin shijet e modës nga vendet ku blihej malli, syzet e dellit dhe rrobat e banjos. Vajzat dhe djemtë durrsakë visheshin me shije dhe rroba të veçanta, falë këtyre marinarëve që shkelnin në shujmë porte të vëndeve të zhvilluara.
Alimehmeti kujton famën e djaloshit durrsak Tim Turra, që me intuitën dhe inteligjencën e tij arrinte ti përdorte sipas dëshirës marinarët e huaj. Madje në Durrës erdhi enkas një gazetar i huaj për të shkruar për Tim Turrën dhe është mahnitur nga shkalla sipërore e njohjes së disa gjuhëve të huaja. Botimi i shkrimit u shpërnda edhe në Durrës.
Pastaj në libër Bedri Alimehmeti flet për të rinjtë e basketbollit, siç quheshin Harlemat e Dhimtraq Gogës, për Niko Dovanën, për boksjerët durrsakë Sharra, Çeta, Allushi, Reçi, Bardheti, për atletët Rruf Kazazi, Pian Dhamo, Daut Falli, për volejbollistin Napolon Llalla, Lluka Prifti, Met Kthupi, për basketbollistët Dhimitraq Goga, Niko Hercek, Spiro Urumin, për notarët Bon Kadiu, Niko Kurani, Kastriot Karamuço, Hysen Haxhinë etj.
Ai ndalet edhe tek arti e kultura e njohur durrsake duke kujtuar Nikolin Xhojën dhe Spoiro Urumin, Vangjel Hebën, Donika Barçin, Teodor Rupin, Haxhi Ramën, Kadri Pirron, regjisorin Panajot Kolo, estradën e Durrësit me regjisor Gjergj Vlashi, aktorët Spiro Strati, Aleksandër Pepa, Enver Likmeta, Aishe Stari, Elibeti Tirana, xhezbanistin virtuoz Bebekun (Qendro Koçi), trompistin Enver Mara, instrumentistët Petraq Dhamo dhe Skënder Myshketa, këngëtarët Qemal Kërtusha, Sofokli Afezolli, Besnik Taraneshi, Liljana Gila etj.
Ndër të tjera shkrimtari i njohur Bedri Alimehmeti, i tërhequr drejt magjisë së Durrësit, kujton:
-Nuk ishin vetëm kaq, saktësisht duhet thënë se ndjesitë që na dhuronte ne djemve të “Broduejit”, Durrësi i viteve 60-të ishin të pafundme si deti Adriatik. Kënaqësi tejet të veçantë ishte për ne, po qe se na rastësiste, atë mbrëmje në xhiron e Durrësit, idenm si ajo që kryhej në bulevardin e Tiranës të shihnim Vera Bejën, që në sezonin veror eklipsonte një plazh të tërë me përsosmërinë e bukurisë. Pak ishte ta krahasoje me figurën e vajzës në mozaikun “Bukuroshja e Durrësit”, i sapo zbuluar në ato vite nga arkeologu i njohur durrsak Vangjel Toçi.
Vera Beja një vajzë e përkryer durrsake, meteor vezullues në qiellin shqiptar të viteve 60-të, veçmas bukurisë fizike mbi të gjithë kishte dhunti të veçanta shpirtërore. Me sjelljen, edukatën e kulturën të impononte respekt e admirim, por që fatkeqësisht ishte e privuar nga diktatura si dhe shumë të tjerë për të vazhduar studimet e larta, meqë ishte e bija e të pushkatuarit me grupin e deputetëve Shefqet Beja.
Të gjitha në një
Libri i Bedri Alimehmetit “Bridueji i Tiranës” ka ngjarje jetësore të mrekullueshme, që të ngjallin një mijë herë respekt dhe nderim, për një brez të artë, që ani që nuk kishin kushte dhe nuk mbështeteshin në idealet e tyre të lirë, në kultin e besimit dhe hpasirën e mendimit, bënë një opozicion mjeshtëror duke i thënë brenda familjes së madhe që quhej djemtë dhe vajzat e rrugës “Broduej”, atë çka ndjenin dhe ajo që duhej të ekzistonte në fakt.
Regjimi shumë i fuqishëm diktatorial, nuk ia mundësonte daljen hapur të tezave dhe bindjeve të tyre, pasi pasojat ishin të tmerrshme, por ato gjenin forma dhe mundësi reagimi, duke ironizuar me shumë mjeshtri monopartitizmin e sëmurë, kultin e individit dhe bllokimin e zërit dhe mendimit ndryshe. Muzika e huaj, këngëtarët e famshëm italianë të brezit të viteve 60-të që janë me qindra, programet aq të ndjekura si festivali i San Remos, kanconisima etj. diskutoheshin gjërësisht në “Broduejin e Tiranës”. Autori i këtij librij të rrallë dhe të veçantë në llojin e tij, ka meritën që i sjell aq të gjalla dukuritë interesante të atij brezi, por falë edhe një memorie fantastike, jep shembuj e fakte që të rrënqethin mishtë, e të rrisin në doza maksimale dashurinë dhe nderimin të brezit të rrugës Broduej të viteve 60-të.
Bedri Alimehmeti, me ndjesinë e një shkrimtari profesionist, por edhe të një patrioti, të një djali tiranas që e don sa vetja qytetin e lindjes Tiranën dhe qytetarët e saj, ka hedhur në letër bukuritë e rralla shpirtërore të atyre djemve e vajzave, që flitnin pa frikë brenda gjirit të tyre, duke iu ruajtur provokimeve dhe agjentëve të shumtë të sigurimit të shtetit.
Prishja me Bashkimin Sovjetik, vizita e Çu En Lait në Tiranë dhe afrimi me kinezët, xhaketa me një mode tërheqëse e Skënder Hykës blerë në Amsterdam kur Tiranë luajti me Ajaksin në vitin 1970, gruaja ruse e Dritëro Agollit, kalimet nëpër Broduej të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare e gruas së tij, shkrimtares nga Elbasani Helena Gusho, kalimet si sfilatë mode të vajzave të ambasadës polake në Tiranë, për dyqanin e luleve dhe miset e Broduej, duke përshkruar me penelata tërheqëse bukuritë dhe nurin mahnitës të vajzave tiranase, lulëzimin e artit figurativ dhe muzikës shqiptare, festivalin e 11-të të këngës, krijimtarinë e fuqishme muzikore dhe letraro artistike në Shqipëri, plenumin e katërt famëkeq, që solli kasapanën dhe duke bërë “gjakderdhjen” më të pashembullt shpirtërore të një kombi, çensurën e librave që botoheshin dhe filmave që çfaqeshin, për talentin e letërsisë shqiptare Mustafa Greblleshi dhe romanin e tij, themel i krijimtarisë së mirfilltë letrare “Gremina e dashunisë”,por që u burgos nga regjimi së bashku me shkrimtarët Petro Marko dhe Andrea Varfi, për Bitëllsat e Pogradecit me historinë tragjike të vëllezërve Darova, që ngritën në këmbë artëdashësit shqiptarë, për estradën e ushtarit dhe shpërthimin e Vaçe Zelës, për parkun “Rinia” e Tajvanin e soçëm, për artistët e estradës së shtetit dhe teatrit popullor, hoteli i famshëm popullor në plazhin e Durrësit “Breshka”, për pastiçeri “Tiranën”, Ferdinand Dedën dhe birrari “Partizani”, për “Vollgën” e Tiranës, për muzikën dhe ndjesitë e shpirtërave tanë, për frenimin e Ajaksit të madh nga bardheblutë e Tiranës, për flokëgjatin nga Belfasti Xhorxhi Best, koshi i artë i Oransodës nga Besnik Pëllumbi (Keçi), nga batutat e profesor Lymit, nga mbrëmjet emocionuese të dëfrimit ku këndoheshin këngët e Bitëllsave, të Adriano Çelentanos, të këngëtarëve me emër të muzikës së lehtë italiane dhe të asaj botërore dhe që ruheshin si në ilegalitet nga vetë të rinjtë se mos spiunoheshin dhe survejoheshin, futbolli i Tiranës dhe figura emblematike i kolosit të skenës Kujtim Spahivogli etj. etj.
“Brodueji i Tiranës” simbollizon çdo rrugë apo rrugicë në çdo qytet të Shqipërisë, ku kërkohej liri dhe demokraci në forma të ndryshme të reagimit popullor, por që sistemi i kohës i vrojtonte me kujdes, për t’i ndëshkuar me ashpërsinë dhe rreptësinë më të madhe.
Sentimenti i Bedri Alimehmetit është në përmasa drithëruese, duke nxitur të jem vetë i pari, e më pas secili prej jush për të bërë atë homazh të merituar, ndaj këtyre djemve e vajzave, që patën kurajon të sfidojnë diktaturën e të themelojnë rrugën historike, aq të dashur me emrin “Broduej” që Bedri Alimehmeti e kthen në himn nëpërmjet librit “Brodueji i Tiranës.