Media prestigjioze gjermane, Bild, që ka analizuar propozimin europian, shtron pyetjen se “a është kjo pika e kthesës në konfliktin e Kosovës?”. Fokusin kryesor e ka përqendruar në ultimatumin e vendosur përballë Serbisë, me presidentin Aleksandër Vuçiç, i cili duhet të bëjë zgjedhjen e vështirë: të shkojë nga Bashkimi Europian ose të humbë gjithçka për Putinin.
Duke raportuar konferencën ku Vuçiç pranoi propozimin europian si kornizë të re negociuese për marrëveshjen përfundimtare me Kosovën, Bild shkruan për kostot e mëdha që duhet të paguajë nëse refuzon kompromisin, përfshirë izolimin nga BE.
Lidhur me planin franko-gjerman, media prestigjioze nënvizon se ende nuk janë bërë të ditura pikat e tij, teksa i referohet disa drafteve të publikuara në mediat e Prishtinës dhe Beogradit.
“Parasheh që Serbia dhe Kosova të mos e njohin zyrtarisht njëra-tjetrën, por të pranojnë reciprokisht ekzistencën e tyre shtetërore brenda kufijve aktualë. Rrjedhimisht, Serbia do të ndalonte së penguari anëtarësimin e Kosovës në organizatatndërkombëtare, me mbështetjen aktive të Rusisë”, shkruan Bild.
Bild shkruan më tej se Putini do të ishte një nga të paktët humbës, nëse kthesa e Serbisë karshi Kosovës do të ndodhte zyrtarisht.
“Nëse me të vërtetë ka një kthesë, larg nga minimi i mëparshëm sistematik i shtetësisë kosovare, atëherë kjo do të jetë një humbje e rëndë për Rusinë dhe përpjekjet e saj destabilizuese në Ballkan”, shprehet eksperti Konrad Clewing.
Bild shkruan më tej se propozimi europian është mbështetur edhe nga pesë shtetet anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Megjithatë saktëson se Vuçiç nuk ka marrë ende asnjë vendim dhe se përgjegjësinë për marrëveshjen përfundimtare me Kosovën ia ka lënë parlamentit dhe popullit.bw