Nga Bashkim Trenova
Pjesa e parë
SHQIPTARËT SIPAS SERBËVE
(KRIZA LINDORE DHE LUFTËRAT BALLKANIKE) Memorie.al / “Serbët rrjedhin nga sllavët, një numër i madh tribushë që i dhanë jetë popujve sllavë. Mbi origjinat e historisë së sllavëve njohuritë janë modeste dhe jo aq të qarta. Emri i tyre del për herë të parë në shekullin VI pas J. K., kur shkrimtarë bizantinë, fillojnë të flasin për sllavët….”! (Dushan Batakoviç, Milan St. Protiç, Nikola Samarxhiç, Aleksandër Fotiç. Histori e Popullit Serb. L’Age d’Homme. Lausanne. 2005. Fq. 3.)
Sikurse e tregon edhe titulli i këtij vëllimi, analizat, interpretimet dhe komentet që përfshihen në të janë vendosur në një hapësirë kohe të kufizuar: vitet e Krizës Lindore dhe të Luftërave Ballkanike. Janë zgjedhur qëllimisht këto periudha sepse ato, me pasojat e tyre, qëndrojnë në themelet e marrëdhënieve serbo-shqiptare, apo shqiptaro-serbe për të gjitha vitet në vazhdim, deri në ditët tona. Si përjashtim, në pak raste kalohet më parë dhe më pas këtyre viteve, thjesht për të treguar një vazhdimësi strategjie, ambiciesh, praktike dhe llogoresh politike.
Vëllimi paraqet punimet dhe opinionet e 125 politikanëve të lartë serbë, të deputetëve dhe udhëheqësve të partive politike, të akademikëve, të historianëve, të shkrimtarëve dhe të veprimtarëve shoqërorë, të antropologëve, analistëve, gazetarëve, gjeologëve, gjeografëve serbë dhe vetëm serbë. Kjo zgjedhje është e qëllimshme sepse, gjithnjë është mirë të njohësh kundërshtarët, armiqtë, mercenarët dhe argumentet e tyre, njëlloj si edhe ata që u kundërvihen të parëve me realizëm, pragmatizëm apo idealizëm qoftë.
Në vëllim ndeshen dy rryma, (nëse mund të shprehemi kështu), të mendimit politik dhe shoqëror serb për ngjarjet që trajtohen në të. Për përgatitjen e tij janë konsultuar mijëra faqe, janë cituar mbi 100 organe shtypi dhe të medias në përgjithësi si edhe punime e botime, kryesisht serbe apo që u referohen burimeve serbe. Në vendosjen e materialit është ndjekur rendi alfabetik. Përjashtim bën Kapitulli I ku është ndjekur rendi kronologjik.
Për arsye të një shfrytëzimi sa më praktik, materiali, që ekspozohet, është ndarë në katër kapituj. Në tre kapitujt e fundit citohen edhe pjesë nga shtypi i kohës. Në vëllim, si rregull, nuk përfshihen materiale arkivore serbe apo të huaja, as autorë shqiptarë dhe jo serbë. Sigurisht që ky vëllim nuk përfshin tërësinë e botimeve të pa fund të autorëve serbe, që trajtojnë këtë problematikë. Por edhe nuk është qëllim i tij të marrë përsipër ekspozimin e një hapësire, ku autorët shpesh përsëritin njëri tjetrin.
Autori
NË VEND TË PROLOGUT – NJË PROJEKT, DY MEMORANDUME DHE NJË ANALIZË
Projekti ose “Naçertania” e Ilia Garashaninit – politikan, kryeministër i Serbisë gjatë viteve 1852-1853 dhe 1861- 1886:
Serbia duhet të vendoset në radhët e shteteve të tjera europiane, duke krijuar një plan për të ardhmen e saj ose duke hartuar, si të thuash, një politikë të brendshme afatgjatë, parimeve të së cilës duhet t’u përmbahet fort dhe sipas së cilës duhet të udhëhiqet dhe të vendosë pa lëkundje për të gjitha punët e saj.
Lëvizja dhe trazirat midis sllavëve tashmë kanë filluar dhe nuk do të mbarojnë kurrë. Serbia duhet ta kuptojë plotësisht këtë lëvizje dhe rolin apo misionin që do të ketë në të.
Nëse Serbia është e ndërgjegjshme se ç’përfaqson, për pozicionin e saj dhe për popujt rreth saj, ajo do të kuptojë se është ende shumë e vogël, se nuk duhet të qëndrojë në një pozicion të tillë dhe se vetëm në aleancë me popujt e tjerë fqinjë, ajo mund të kryejë detyrat për të ardhmen e saj. Këtu mbështetet plani dhe themeli i politikës së Serbisë, që nuk e kufizon Serbinë me kufijtë e saj të sotëm, por përpiqet t’i bashkojë të gjithë popujt fqinjë serbë.
Nëse Serbia nuk ndjek energjikisht këtë politikë dhe, aq më keq, nëse nuk e pranon, duke dështuar kështu në përgatitjen e një plani të mirë menduar dhe të përshtatshëm për këtë mision, ajo do të tronditet si një anije e vogël nga stuhitë jashtëtokësore derisa në fund do të copëtohet në një shkëmb të madh. Ajo që duam dhe përpiqemi të bëjmë këtu, është të japim një ndihmesë dhe të përgatisim planin e politikës serbe duke respektuar kërkesat e saj natyrore.
Politika e Serbisë
Perandoria Otomane duhet të shpërbëhet dhe kjo shpërbërje mund të ndodhë vetëm në dy mënyra:
ose do të ndahet, ose…
do të rindërtohet sërish nga banorët e saj të krishterë.
Vëzhgime mbi ndarjen e Perandorisë Otomane
…Shteti serb, i cili tashmë ka një fillim të mbarë, por që duhet të përpiqet të zgjerohet dhe forcohet, i ka rrënjët dhe themelet e tij të forta në Perandorinë Serbe të shekujve XIII dhe XIV dhe në historinë e lavdishme dhe të pasur serbe. Nga kjo histori dihet se sundimtarët serbë filluan të merrnin pozicionin që mbante Perandoria Greke (Bizantine) dhe gati ia dolën t’i jepnin fund asaj për të zëvendësuar Perandorinë Romake Lindore të shembur me një Perandori Serbo – Sllave.
Perandori Dushan i Fuqishmi kishte adoptuar, madje, stemën e Perandorisë Greke. Ardhja e turqve në Ballkan e ndërpreu këtë sipërmarrje dhe, për një kohë të gjatë, e pengoi të zhvillohej, por tani që pushteti turk është thyer dhe pothuajse është shkatërruar, e njëjta frymë duhet të veprojë sërish, Serbia të rimarrë të drejtat e saj dhe të vazhdojë sipërmarrjen e ndërprerë.
Prandaj, themelet dhe muret e Perandorisë Serbe, duhet të pastrohen nga të gjitha rrënojat dhe mbeturinat, dhe të zbulohen, në mënyrë që një ndërtesë e re të mund të ndërtohet mbi këto themele të forta dhe të qëndrueshme historike. Një ndërmarrje e tillë do të ketë një rëndësi të paçmueshme dhe do të gëzojë një prestigj të madh, midis të gjitha kombeve dhe kabineteve të tyre; dhe atëherë ne serbët do të dalim para botës si trashëgimtarë të vërtetë të paraardhësve tanë të shquar, duke mos bërë asgjë të re, por duke rivendosur trashëgiminë e tyre.
Kështu, e tashmja jonë nuk do të jetë e shkëputur nga e shkuara, por do të formojë një tërësi të bashkuar, të integruar dhe të rregulluar mirë. Në këtë mënyrë Serbia, kombësia dhe jeta e shtetit të saj, janë nën mbrojtjen e ligjit të shenjtë historik. Aspiratat tona nuk mund të fajësohen si diçka e re dhe e pabazë, si një revolucion apo si një grusht shteti.
Nëse e vlerësojmë ringjalljen e Perandorisë Serbe nga ky këndvështrim, atëherë sllavët e tjerë të jugut do ta kuptojnë lehtësisht këtë ide dhe do ta pranojnë me kënaqësi. Sepse ndoshta në asnjë vend europian kujtimi i së kaluarës historike, nuk është aq i gjallë sa tek sllavët e Turqisë, tek të cilët kujtesa ndaj personazheve dhe ngjarjeve të famshme të historisë së tyre, është e fortë dhe besnike. Prandaj, mund të merret si e sigurt se kjo ndërmarrje, do të pranohet lehtësisht nga populli…!
Serbët ishin të parët, nga të gjithë sllavët në Turqi, që luftuan për lirinë e tyre me burimet dhe forcat e tyre, prandaj ata të parët kanë të drejtën për ta drejtuar më tej këtë ndërmarrje. Edhe tani, në shumë vende dhe në disa kabinete, i paraprihet mendimit se një e ardhme e madhe i pret serbët dhe ky fakt ka tërhequr vëmendjen e gjithë Europës.
Nëse do ta vlerësonim Serbinë si një principatë të thjeshtë, siç është sot, dhe nëse kjo principatë nuk do të jetë bërthama e një perandorie të ardhshme serbe, atëherë bota nuk do të kujdesej për Serbinë më shumë sesa për principatat moldave dhe vllahe ku, nuk është i pranishëm parimi i jetës së pavarur dhe që konsiderohen prej saj vetëm si lavjerrës rusë.
Një shtet i ri serb në jug mund t’i jepte Europës të gjitha siguritë se do të ishte dinjitoz dhe plot jetë, i aftë për të qëndruar midis Austrisë dhe Rusisë. Pozicioni gjeografik i vendit, topografia e tij, bollëku i burimeve natyrore, shpirti luftarak i popullit të tij, ndjenja e tij sublime dhe e zjarrtë kombëtare, origjina e përbashkët dhe e njëjta gjuhë – gjithçka bën fjalë për qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e tij premtuese.
Për mjetet me të cilat mund të arrihet qëllimi serb
Mjetet fillestare
Për të përcaktuar se çfarë mund të arrihet dhe si të veprohet, qeveria duhet të dijë kushtet dhe rrethanat e njerëzve, që banojnë në krahinat përreth. Ky është parakushti i parë për të përcaktuar saktësisht mjetet. Prandaj do të jetë e nevojshme, mbi të gjitha, të dërgohen njerëz të gjallë dhe të pa paragjykuar, besnikë ndaj qeverisë, për të vëzhguar kushtet e jetesës të popujve në këto troje.
Në kthim, atyre u duhet kërkuar që të japin raporte të sakta me shkrim. Është veçanërisht e rëndësishme të informohemi për Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë e Veriut. Në të njëjtën kohë, duhet të mësohet saktësisht gjendja në Sllavoni, Kroaci, Dalmaci dhe, natyrisht, këtu përfshihen edhe popujt e Sremit, Banatit dhe Backës.
Këta agjentë duhet të pajisen me udhëzime se si të lëvizin dhe të kalojnë në këto troje. Ata duhet të informohen, ndër të tjera, për vendet dhe njerëzit, të cilëve duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë. Përveç këtyre udhëzimeve konkrete, atyre duhet t’u jepet një udhëzim i përgjithshëm, i cili do të përmbajë pikat e mëposhtme, që do t’u kërkohet t’i zbatojnë:
Para së gjithash të përcaktojmë marrëdhëniet tona me Bullgarinë
…Shumica e pozicioneve të rëndësishme ushtarake të turqve dhe më shumë se gjysma e ushtrisë së tyre janë aty. Në asnjë vend tjetër europian turku nuk ndihet aq i sigurt dhe më zot se aty.
Bullgarëve u janë hequr të gjitha armët; ata mësuan të nënshtrohen dhe të punojnë – nënshtrimi dhe zelli u bënë natyra e tyre e dytë. Megjithatë, ky vëzhgim nuk duhet të na pengojë të njohim vlerën e tyre të vërtetë dhe as të na bëjë, çka është më e keqja, t’i përçmojmë ata. Është për të ardhur keq që bullgarët, megjithëse janë dega më e madhe e popujve sllavë që jetojnë në Turqi, nuk kanë pothuajse asnjë besim në forcën e tyre, por do të guxonin të provonin të çliroheshin vetëm nën shtytjen e vendeve të huaja [Rusisë].
….Shkurtimisht: Serbia duhet të përpiqet të rrënojë, por vetëm gur pas guri, godinën e shtetit otoman, duke ruajtur materialin e saj të mirë për të ngritur, mbi themelet e forta të Perandorisë së vjetër serbe, një shtet të ri të madh serb. Edhe tani, kur Serbia është ende nën sundimin turk, mund të bëhet puna përgatitore, sepse një veprim i tillë nuk mund të ndërmerret dhe të përfundojë në çastin e fundit.
Për politikën e Serbisë ndaj Bosnjës, Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë së Veriut
Kur i hedhim një vështrim më të afërt topografisë dhe pozitës gjeografike të këtyre trojeve, si dhe traditave ushtarake të banorëve të tyre, mentalitetit dhe mënyrës së tyre të të menduarit, do të arrijmë lehtësisht në përfundimin se, në këtë pjesë të Turqisë, Serbia mund të ushtrojë ndikimin e saj më të madh. Përcaktimi dhe organizimi i vazhdueshëm i këtij ndikimi na duket se është detyra kryesore e politikës serbe në Turqi në kohën e sotme (1844).
Nga këto pika themelore del se nëse do të bëhej një përpjekje për një ndryshim në Bosnje përpara bashkimit të përgjithshëm të Serbisë, një ndryshim i tillë duhet të bëhet vetëm në atë mënyrë që ai të shërbejë si një përgatitje për bashkimin e përgjithshëm të serbëve dhe krahinave të tyre në tërësi. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë për të arritur qëllimet dhe interesat e përbashkëta të të gjithë serbëve. Unë po vendos theksin mbi Serbinë thjesht sepse, vetëm ajo është në gjendje ta përgatisë këtë ndryshim. Duke qenë e detyruar të punojë vazhdimisht për këtë derisa të vijë koha për ta realizuar këtë plan, Serbia do të vazhdojë të përpiqet që ta sjellë këtë moment.
….Serbia në këtë aspekt duhet të kuptojë se ajo është mbrojtësja natyrore e të gjithë sllavëve që jetojnë në Turqi dhe se sllavët e tjerë do t’ia japin këtë të drejtë vetëm kur ajo të marrë përsipër të bëjë dhe të thotë diçka në emër të tyre. Nëse Serbia do t’u jepte fqinjëve të saj shembullin e keq dhe fatkeq se ajo mendon vetëm për veten e saj, pa u kujdesur për hallet apo për përparimin e të tjerëve, dhe se ajo është indiferente ndaj tyre, atëherë ata me siguri do të ndiqnin një shembull të tillë dhe nuk do ta dëgjonin.
….Kontaktet e drejtpërdrejta tregtare me shtetet e huaja përmes Zemunit (Semlin) do të jenë gjithmonë një çështje e dhimbshme. Prandaj, Serbia duhet të sigurojë një rrugë të re tregtare, që do ta lidhë atë me detin dhe do t’i sigurojë një port. Për momentin, rruga e vetme e mundshme është ajo që të çon përmes Shkodrës për në Ulqin. Për këtë punë, qeveria duhet të bëjë hapin e parë duke siguruar dhe caktuar një agjent tregtar në Ulqin…!
….Kjo masë nuk do të ishte më pak e rëndësishme politikisht, pasi agjenti i ri serb do të gjendej në mesin e një popullsie serbe. Situata do të rezultonte në një ndikim më të fortë të Serbisë mbi shqiptarët e veriut dhe të Malit të Zi. Janë këta popuj, që mbajnë çelësat e portave të Bosnjës, Hercegovinës dhe Detit Adriatik. Jemi të sigurt se themelimi dhe krijimi i një agjencie të tillë serbe atje do të kuptohej nga këta popuj si një akt politik me rëndësi të paçmueshme nga ana e Serbisë.
Kështu një bashkim më i ngushtë i banorëve të këtyre krahinave me Serbinë do të ishte një çështje e lehtë…! Karagjorgjeviçi ishte një udhëheqës ushtarak i pajisur natyrshëm me një përvojë të madhe. Por ai nuk mundi të parashikonte rëndësinë ushtarake mbizotëruese që ka Mali i Zi për Serbinë dhe që do ta ketë gjithmonë, sa herë që shtrohet çështja e ndarjes së Bosnjës dhe Hercegovinës, nga Turqia dhe bashkimi i saj me Serbinë.
Sremi, Backa dhe Banati
Së pari mund të mendohet se Serbia duhet të jetë në marrëdhënie të mira me këto rajone, pasi për nga origjina e tyre, gjuha, feja, ligjet dhe zakonet, ata janë një me serbët e Serbisë…!
Për aleancën me sllavët çekë
Për këta sllavë nuk do të themi shumë për momentin, jo vetëm sepse janë jashtë fushëveprimit të këtij plani, por edhe sepse, për shumëkënd, në pamje të parë do të dukej e parealizueshme. Prandaj, duke kaluar shkurtimisht mbi këtë pikë dhe duke i lënë përparësitë e një aleance të tillë të rrjedhin nga vetë realizimi i këtij plani, ne kufizohemi në rekomandimin se duhet të fillojmë të njohim Serbinë me sllavët e Bohemisë, të Moravisë dhe Sllovakisë dhe ta bëjmë këtë me shumë kujdes dhe mençuri që të mos ngjallim dyshimet e Austrisë.
Memorandumi i Vaso Çubriloviçit
-Politikan, profesor i Universitetit të Beogradit, ministër dhe anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve:
Dëbimi i shqiptarëve
Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk është i ri. Ky problem luajti një rol të madh në jetën tonë në Mesjetë, por mori rëndësi vendimtare veçanërisht nga fundi i shekullit të 17-të, kur masat serbe lanë territoret e dikurshme të Rashkës, migruan në veri dhe në vend të tyre aty u vendosën malësorët shqiptarë. Shqiptarët zbritën pak nga pak nga malet e tyre në fushat pjellore të Metohisë dhe të Kosovës dhe, duke depërtuar në veri, u përhapën drejt Moravës jugore dhe veriore dhe përparuan, nga malet e Sharrit, drejt Pollogut dhe prej andej drejt Vardarit.
Kështu që në shekullin XIX-të u krijua trekëndëshi shqiptar; që i mbështetur në bazën e tij Dibër-Rogoznë, në prejardhjen e tij etnike, depërtoi thellë në trojet tona, arriti në Nish dhe ndau trojet tona të lashta të Rashkës nga Maqedonia dhe Lugina e Vardarit. Ky kënd shqiptar, i populluar nga anarkistë, pengoi në shekullin e kaluar vendosjen e lidhjeve të forta kulturore, arsimore dhe ekonomike midis trojeve tona veriore dhe jugore…! Serbia filloi të rrëmbejë këtë cep shqiptar që në revoltën e parë, duke i përzënë banorët shqiptarë në jug të Jagodinës.
Duke u bazuar në konceptet e gjëra shtetërore të Jovan Ristiçit, Serbia rrëmbeu edhe një pjesë tjetër të këtij rajoni pas pushtimit të Toplicës dhe Kosanicës. Në atë kohë, shqiptarët ishin dëbuar rrënjësisht nga rajonet midis Jastrebcit dhe Moravës Jugore.
I takonte shtetit tonë të sotëm, që nga viti 1918 e deri më sot, të çmontonte pjesën tjetër të trekëndëshit shqiptar. Ai nuk e bëri këtë. Kishte disa arsye, por ne do të përmendim vetëm ato më të rëndësishmet :
Gabimi themelor i autoriteteve kompetente të kohës qëndronte në faktin se, duke harruar se ku ndodheshin, në Ballkanin e trazuar e të përgjakur, kërkonin t’i zgjidhnin çështjet e mëdha etnike me metoda perëndimore…! Ndërsa të gjitha vendet e Ballkanit, që nga viti 1912, e kanë zgjidhur ose janë në vazhdim të zgjidhjes së çështjes së pakicave të tyre kombëtare, me largime të popullsisë, ne ende veprojmë me metodat e ngadalta ose të ngathëta të kolonizimit gradual, rezultatet e të cilave janë negative: statistikat e 18 rretheve që përbëjnë këtë trekëndësh shqiptar, janë dëshmia më e mirë për këtë.
Këto të dhëna statistikore tregojnë se në këto rajone rritja natyrore e popullsisë shqiptare është më e madhe se e jona, përfshirë kolonët (nga viti 1921 deri në vitin 1931, rritja e shqiptarëve ishte 68.060 shpirtra dhe e serbëve 58.745; diferenca është 9.315 në favor të shqiptarëve). Duke marrë parasysh vrazhdësinë e popullsisë shqiptare, rritjen e fortë natyrore të saj si dhe kushtet gjithnjë e më të vështira të kolonizimit sipas metodave të vjetra, ky shpërpjesëtim priret të theksohet gjithnjë e më shumë dhe do të përfundojë duke vënë në pikëpyetje edhe suksesin e vogël, që kemi arritur që nga viti 1918, në fushën e kolonizimit.
Vetë kolonizimi, sipas metodës graduale, nuk u zbatua ashtu siç duhej. Më e keqja është se për një problem kaq të rëndësishëm, ka munguar një plan i caktuar shtetëror, për t’u ndjekur dhe zbatuar nga çdo qeveri dhe çdo regjim…! Në të kaluarën, Serbia e zgjidhte këtë çështje ndryshe:
Karagjeorgjeviçi, Milloshi, Mihailo, Jovan Ristiçi, nuk kishin Ministri të posaçme të Reformës Agrare, as inspektorë të përgjithshëm agrarë, as aparate të shtrenjta, e megjithatë, ata e fshinë elementin e huaj nga Serbia, duke e populluar atë me vendasit e tyre, të cilët shpyllëzuan pyjet e pamasë, duke e kthyer këtë rajon, kaq të ashpër në atë kohë, në Shumadinë e sotme pjellore.
Mijëra familje nuk “kanë zënë rrënjë” në vendet ku janë vendosur që pas luftës. Pikërisht në Kosovë rezultatet ishin më të mira, sidomos në luginën e Llapit, ku vendasit e Toplicës emigruan nga veriu në jug. Këtu u krijuan kolonitë më të vjetra dhe më të qëndrueshme, një përzierje e njerëzve nga rajonet tona të ndryshme. Në rajonin e Drenicës dhe Metohisë nuk kemi pasur sukses…!
Arsyeja kryesore e dështimit të kolonizimit tonë në këto krahina është padyshim se toka më e mirë mbeti në duart e shqiptarëve. E vetmja rrugë e mundshme për të arritur kolonizimin masiv të këtyre rajoneve nga elementët tanë ishte marrja e tokave të shqiptarëve. Pas luftës, në kohën e rebelimeve dhe të veprimeve të komitëve, do të ishte e lehtë të dëboje një pjesë të shqiptarëve drejt Shqipërisë, duke mos legalizuar uzurpimet e tyre dhe duke blerë tokat e tyre. Ne jemi të detyruar të kthehemi këtu te gabimi i rëndë, i konceptimit tonë të pasluftës për të drejtën e posedimit të tokës.
Në vend që të përfitonim nga koncepti që kanë vetë shqiptarët për uzurpimin e tokës nga ana e tyre – të paktë ishin ata që kishin një titull pronësie në kohën e Turqisë dhe, edhe atëherë, e kishin vetëm për tokën e blerë, – ne vetë, në dëm të kombit dhe shtetit tonë, jo vetëm që i legjitimuan këto uzurpime, por, shumë më keq, i familjarizuam shqiptarët me idetë e Europës Perëndimore për pronën private, ide të cilat më parë ishin krejtësisht të huaja për ta. Duke vepruar kështu, ne vetë kemi vënë në duart e tyre këtë armë me të cilën ata do të mbrohen, do të ruajnë tokat e tyre më të mira dhe do të na pengojnë të nacionalizojmë një nga rajonet më të rëndësishme për ne…! Memorie.al