Me zakonin e vjetër për të prodhuar show në çdo përvjetor të vrasjes së katër demostruesve të 21 janarit, Partia Socialiste ka bërë me dije se do të padisë në SPAK, Sali Berishën, Lulzim Bashën, ish komandantin e gardës Ndrea Prendi dhe zinxhirin e gardistëve të drejtuar prej tij. Si shkëndijë për këtë pritet të përdoret kaseta e përgjimeve të bëra publike nga gazetari investigativ Artan Hoxha, ku pretendohet se dëgjohet zëri i Ndrea Prendit të japë urdhër për të qëlluar mbi trupa. Një një konferencë për shtyp ministri i drejtësisë Hulsi Manja, duke shpallur se do të bëjë denoncimin në Prokurorinë e Posatçme, ka thënë:
“Ka një fakt të ri që duhet të hetohet në mënyrë objektive nga SPAK. Ne nuk i hyjmë nëse prova që ka dalë është autentike apo jo por kjo i takon SPAK-ut që të hetojë dhe ta deklarojë një gjë të tillë. Ato që ndodhën më 21 janar nuk kanë asnjë justifikim. Kushdo që i justifikon ato vrasje bën një krim tjetër kundër drejtësisë. S’mund të barazohen vrasësit me protestues të lirë, njerëz me duar në xhepa. Ish- kryeministri e ka thënë që përsëri po të isha në të njëjtat kushte do kisha marrë snajperin dhe do të kisha vrarë edhe Edi Ramën. Edhe vetëm për këtë deklaratë do të duhej të merrej i pandehur. Ne nuk e kemi pritur nga drejtësia e vjetër por tashmë nga SPAK”.
Po të njëjtën gjë e konfirmoi edhe shefi i deputetëve socialistë Taulant Balla që tregoi para mediave edhe kleçkën që do të përdoret. “Bazuar në faktin që dosja penale për vrasjen e Aleks Nikës, është një dosje që gjendet në Prokurorinë e Tiranës, sepse kjo ngjarje ende nuk është gjykuar apo zbardhur, ne do vazhdojmë ta kërkojmë për të nxitur hetimin nga SPAK”, tha ai.
Problemi është se për aq sa është bërë publike deri më tani nga audiopërgjimi, aty si person i implikuar del vetëm ish komandanti i Gardës Ndrea Prendi. Sali Berisha nuk figuron asnjëherë të vetme, ndërsa dikush pretendohet se flet me ish ministrin e Brendëshëm Basha. Po atëhere si mund të rihapet kjo dosje kur Ndrea Prendi- me thënë të vërtetën me një proces farsë dhe me gjyqtarë të tredhur nga pushteti- është gjykuar dhe dënuar njëherë për këtë krim? Duket e pamundur.
Dhe me dhimbje këtë e ka shpjeguar në një artikull shterues të botuar edhe nga Lapsi.al, avokati i viktimave të kësaj tragjedie, Dorjan Matlia. Ai ka shpjeguar se reforma në drejtësi, e ndryshoi nenin 449 të kodit penal, duke sanksionuar se edhe nëse dilte një provë e re ai që ishte dënuar njëherë nuk mund t’i nënshtrohej sërish gjykimit. Ai përfundonte me cinizëm: “Jo vetëm përgjime të dalin, por sikur vetë ata (Ndrea Prendi me shokë/Lapsi.al) të dalin e të bërtasin te sheshi Skënderbej që vranë me dashje e dhamë urdhera, prapë dosja nuk hapet”.
Pra deri këtu duket sikur kemi të bëjmë më shumë me një dëshirë për spektakël sesa me përpjekje për të bërë drejtësi. Aq më tepër që edhe Ulsi Manja nuk merr përsipër të vërë dorën në zjarr për autencititetin e përgjimeve, ndërsa gazetarë shumë pranë pushtetit si Carlo Bollino kanë hedhur dyshime të forta për burimin e tij.
Vetë gazetari Artan Hoxha nga ana e tij ka folur për një përgjim jo të ligjshëm të bërë nga “të huaj” gjë që nuk dihet se sa mund të përbëjë një provë për t’u marrë seriozisht. Më shumë se gjithçka, e tëra i ngjan një show. Dhe më mirë nga të tërë, këtë duket se e kupton Berisha që vazhdon të tallet: “Prokuroria të thërrasë Edi Ramën si organizator të puçit kundër shtetit”, tha sot ai duke komentuar këtë ngjarje.
©Lapsi.al