Rezervati i Velipojës është krijuar që në vitin 1958 dhe ai ka një sipërfaqe prej rreth 800 hektarë. Në të, bimësia dhe shpendët janë në gjendjen e tyre shumë të mirë natyrore. Ky rezervat, ka në brendësinë e tij katër breza pyjore si dhe katër këneta, të cilat janë të lidhura me rrugë tokësore njëra me tjetrën. Nëpërmjet këtij rezervati, me rrugë tokësore midis një pylli të dendur, arrihet në grykëderdhjen e lumit Buna. Kjo pikë, ka një bukuri të rrallë, pasi aty ndodhen tre ishuj, njeri i madh që quhet Ada dhe dy të tjerët që janë më të vegjël. Njeri nga këta, quhet: “Ishulli i Franc Jozefit”. Rezervati nga ana e tij, në pjesën jugore të territorit të tij, kufizohet me Bregun e Detit, nga pjesa perëndimore, kufizohet me lumin Buna, ndërsa në pjesët veriore dhe lindore, kufizohet me tokë.
Mark Shtjefni, inspektor i Policisë Pyjore, flet në një bisede me ne, për funksionimin e rezervatit, një ndër perlat që dikur shijohej për gjueti nga udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe sot shërben si park natyral, për t’u kundruar nga pushuesit e turistët, vendas dhe të huaj, të cilët vijnë këtu në çdo stinë të vitit.
Mark, sa kohë ka që është krijuar rezervati këtu në Velipojë dhe si ka funksionuar ai?
Ky ambient ka marrë formë të plotë dhe është krijuar që në vitin 1958. Për këtë, krahas drurëve natyralë të tij, shteti i asaj kohe, ka mbjellë një numër të konsiderueshëm me fidanë pishe, të cilët përbëjnë brezin e parë pas detit. Krahas kësaj, janë marrë masa nga ndërmarrja Pyjore, për kultivimin dhe mirëmbajtjen e drurëve të cilët ishin në gjendje natyrale në këtë vend. Pas kësaj, u vendos që aty të ngrihej një godinë e përkohshme e cila shërbente si rezidencë për kuadrot e PPSH-së, të cilët vinin për pushime dhe për gjueti. Vlen të theksohet se, gjatë atyre viteve, meqenëse Velipoja karakterizohej nga këneta të shumta, ajo ishte një vend i mirë për pasionantët e gjuetisë së kafshëve dhe të shpendëve. Një gjendje e tillë, ka vazhduar deri në fund të viteve ’90-të. Por, megjithëse vendi ynë dhe Velipoja njëkohësisht, ka kaluar periudha të vështira, siç kanë qenë vera e vitit 1991, marsi i vitit 1997, përsëri Rezervati, falë punës sonë, të inspektorëve të Policisë Pyjore, si Prekë Ndoka, i cili ka 30 vite punë në këtë rezervat, ka arritur të mbijetoje në këtë gjendje që është sot. Vetëm godina e Pritjes, siç i kanë thënë dikur, është akoma e shkatërruar, sikur do të tregojë se, çfarë ka hequr ky rezervat në vitin 1997!
A mbani mend ju ndonjë ngjarje nga jeta e kuadrove të udhëheqjes së lartë të PPSh-së së asaj kohe, kur vinin këtu për gjueti?
Po, histori të tilla ka plot, por unë dua të përmend një rast që jo vetëm ishte i veçantë për kohën, por ajo u mbajt e fshehtë dhe bë e njohur në një farë mase, vetëm pas viteve ’90-të, sepse s’guxonte kush ta ngrinte zërin në atë kohë.
Konkretisht, për çfarë bëhet fjalë dhe kur ka ndodhur ajo ngjarje?
Ishte fillimi i viteve ’80-të, kur në Rezervat si zakonisht, kishte ardhur një nga shokët e udhëheqjes së lartë Partisë (PPSh-së), për të gjuajtur derra të egjër.
Kush ishte ai, se tani s’përbën me sekret…?
Jo, çfarë sekreti?! Qirjako Mihali ishte, anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Financave, në mos gaboj në atë kohë.
Për këtë punë, ishin të caktuar me kohë disa punonjës të Kooperativës Bujqësore të Velipojës të cilët, kujdeseshin që gjuetia të ishte sa më e mbarë. Pasi në të kundërt, mund të përballeshe me pasoja të rënda për të gjithë ata që punonin në rezervat dhe që mbanin familjet me bukë. Ose thënë më saktë, ekzistonte një frikë e tillë, që gjithçka mund të na ndodhte. Atë ditë që kishte ardhur për gjueti, shoku Qirjako Mihali, si zakonisht ai me çifte në krah dhe njerëzit që e shoqëronin, ishte në pritë të derrit të egër, ndërsa punonjësit e Rezervatit, i ndillnin derrat gjatë gjithë natës për t’ia çuar në pritë shokut Qirjako. Ai sapo shikoj një derr të egër, morri shenjë dhe shkrehu çiften në drejtim të tij. Por, fatkeqësisht, saçmet, në vend që të godisnin derrin, kishin qëlluar njërin nga punonjësit e Rezervatit (P.S.) Pas kësaj, njerëzit u mblodhën me vrap dhe e marrin trupin e mbuluar me gjak të shokut të tyre e, tentojnë ta hipin në makinë për ta dërguar në spital.
Por, në atë moment, ish-anëtari i lartë i udhëheqjes së partisë dhe të shtetit, pra “shoku Qirjako Mihali”, në vend që të shprehte keqardhjen për atë çfarë kishte bërë, u thërret njerëzve: “Çfarë bëni more, se e bëtë pis makinën”
Atëherë njerëzit e frikësuar, e hoqën trupin e P.S. nga makina e tij dhe me anë të një makine tjetër, e dërguan atë menjëherë në spital. Dhe atje, falë punës së mjekëve, Ali Spahia dhe Mark Mirashi, u bë e mundur që punonjësit të Rezervatit, t’i shpëtohej jeta. Ai tashmë gëzon shëndet të mire dhe jeton e punon në Plazh të Velipojës.
Kur para pak kohësh, u shfaq komedia “Në gjueti” (me Sillon), të gjithëve u shkoi mendja te kjo ngjarje. Madje edhe regjisori i kësaj komedie (Koço Devole), kur ka ardhur për vizitë në Velipojë dhe kur e kanë prezantuar me personin real të kësaj ngjarjeje, (P.S.), ai tha: “Unë e kisha me të dëgjuar, por me vjen mirë që, nuk paska qenë e trilluar dhe shumë afër realitetit”.
Cila është gjendja aktuale e Rezervatit sot?
Aktualisht, Rezervati është shpallur “Zonë e Mbrojtur” dhe si e tillë, gëzon mbrojtje të veçantë. Në territorin që përfshin ai, janë katër breza pyjore dhe katër këneta të vogla të cilat, lidhen me rrugë tokësore njëra me tjetrën. E gjithë pasuria natyrore, është ruajtur e paprekur, krejt natyrale, pasi aty nuk ka të drejte të ndërhyje asnjeri, për asnjë lloj arsyeje, sidomos për gjueti, që është kategorikisht e ndaluar. Ndërsa nga jashtë, nuk janë të pakët gjuetarët, sidomos ato nga Italia, të cilët vijnë e gjuajnë nga larg. Këto vijnë, pasi kanë dëgjuar nga djemtë e Velipojës që janë emigrantë në Itali, për resurset e shumta të Velipojës. Kështu këta italianë, nuk përtojnë të vijnë dhe të qëndrojnë me ditë të tëra për t’u kënaqur me një pasion të tyre që, është gjuetia. Por kjo nuk do të thotë se aty nuk ka të drejtë të hyjë njeri. Rezervati është i hapur për të gjithë ata persona të cilët duan që ta vizitojnë atë si turistë, kundrejt disa tarifave simbolike që janë 50 lekë për person, apo 150 lekë, në rast se duan të hyjnë me makinë dhe 1.000 leke minuti, në rast se duan që të filmojnë me video kamera. Aty janë të lirë që të shëtisin të gjithë rezervatin dhe të shijojnë bukuritë e pasuritë natyrore të tij.
Ishulli “perandorak” ku shullehesh udhëheqja e lartë komuniste e PPSH-së!
Ishulli që njihet me emrin e Perandorit “Franc Jozef”, është krijuar nga aluvionet që janë grumbulluar në vendin e fundosjes së një anijeje. Sikurse dihet, Franc Jozefi, ka qenë Perandor i Austro-Hungarisë. Që nga krijimi i tij, ishulli ka shërbyer si pikë pushimi për udhëheqjen e lartë të Partisë së Punës së asaj kohe dhe si i tillë, ai ka shërbyer për 10-15 ditë pushimi dhe gjuetie në vit, ndërkohe që gjatë pjesës tjetër të vitit, ruhej nga ushtarë të Gardës së Republikës. Rezervati me sipërfaqe 800 hektarë, kufizohet në pjesën veriore dhe lindore nga hapësira toke, në pjesën jugore është deti Adriatik, ndërsa në pjesën perëndimore, lumi Buna.
Gjithçka për perlat e Velipojës në Rezervatin natyror
Ky rezervat është krijuar që në vitin 1958 dhe ai ka një sipërfaqe prej rreth 800 hektarë. Në të, bimësia dhe shpendët janë në gjendjen e tyre shumë të mirë natyrore. Ky rezervat, ka në brendësinë e tij katër breza pyjore si dhe katër këneta, të cilat janë të lidhura me rrugë tokësore njëra me tjetrën. Nëpërmjet këtij rezervati, me rrugë tokësore midis një pylli të dendur, arrihet në grykëderdhjen e lumit Buna. Kjo pikë, ka një bukuri të rrallë, pasi aty ndodhen tre ishuj, njeri i madh që quhet Ada dhe dy të tjerët që janë më të vegjël. Njeri nga këta, quhet: “Ishulli i Franc Jozefit”. Rezervati nga ana e tij, në pjesën jugore të territorit të tij, kufizohet me Bregun e Detit, nga pjesa perëndimore, kufizohet me lumin Buna, ndërsa në pjesët veriore dhe lindore, kufizohet me tokë.
Grykëderdhja e Bunës
Lumi Buna, mund të jetë i vetmi i cili derdhjen e tij, e ka në formë Delte natyrale, me tri degë. Dy nga këto degë, i përkasin pjesës malazeze, ndërsa njëra i takon palës sonë. Nëpërmjet derdhjes së lumit Buna, anije të tonazheve të ndryshme, kanë hyrë dikur në të, duke u ngjitur përgjatë rrjedhjes së Bunës, deri në portin e Pulajve. Aty pastaj, ose janë shkarkuar mallrat, ose janë ngarkuar në anije më të vogla të cilat, kane shkuar gjer tek ura e Bunës në hyrje të qytetit të Shkodrës, duke dërguar mallrat për tregtarët shkodranë. Ndërsa në degët e palës malazeze, ndodhet një ishull, Ada, i cili shërben si pikë pushimi në, një gjendje thuajse natyrale.
Pemët dhe bimësia e rezervatit
Krahas Pishës të mbjellë nga shteti i asaj kohe në linjë natyrale para viteve ’90-të, aty gjenden edhe drurë të ndryshëm, si: Frashër, Bredh, Plep, Verri, Mrinë, Rrenjë (Familja e Lisit) si dhe një numër i madh shkurresh e bimësh të kënetave, etj.
Kafshët që “popullojnë” rezervatin
Derri i Egër
Çakalli
Dhelpra
Lepuri i egër
Shpendët
Krahas Gjelit te egër, i cili është në një numër të vogël, në territorin e Rezervatit të Velipojës, ndodhen dhe bien në sy afro 40 lloje rosash, ku pjesa më e madhe e të cilave, janë shtegtarë, apo migratorë siç quhen tani. Këto vijnë në muajin shtator dhe ikin në fund të marsit të çdo viti./ Memorie.al