Nga Najada Pendavinji
Memorie.al / Urim Elezi, është një nga të mbijetuarit e krimeve komuniste dhe një nga dëshmitarët e asaj kohe, që nëpërmjet vuajtjeve, tregon më së miri fytyrën e vërtetë të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alia. Me kujtimet e torturës, frikës, dëshpërimit, të mohimit të së drejtës dhe humbjes së arsyes, dëshmon mbi egërsinë që ndodhte brenda mureve të burgut. Ai ka lindur në vitin 1943, në Floq të qytetit të Korçës, por origjina e tij është nga Elezët e Tropojës. Në moshën 18-vjeçare, ka kryer shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nënoficer. Kalvari i vuajtjeve të tij fillon, që në moshën 21-vjeçare, si pasojë e tentativës për t’u arratisur nga Shqipëria komuniste. Urim Elezi, ka përjetuar sistemin e përndjekjes që në vitin 1963, duke u dënuar me 26 vjet burg. Ai ka kaluar nëpër disa burgje komuniste, derisa përfundoi në burgun e Burrelit, ku përjetoi tortura nga më çnjerëzoret, të cilat do të shkaktonin edhe humbjen e shikimit, duke e dënuar përjetësisht. Sot ai është 80 vjeç dhe po vuan akoma pasojat e atij regjimi, i cili e ka kryqëzuar në verbim, për gjithë jetën…!
Z. Elezi, cila është arsyeja e arrestimit tuaj?
Sistemi komunist ishte ngritur në mënyrë të atillë që, çdo gjë që dëmtonte dhe prekte sado pak shtetin, do të përjetonte hakmarrjen komuniste, e cila ishte e pamëshirshme. Kështu ndodhi edhe me mua. Në moshën 21-vjeçare, mendova se jeta në Shqipërinë komuniste nuk mund të ndërtohej lirshëm.
Sidomos pas vitit 1961, kur edhe marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e Demokracive Popullore, filluan që të mos funksiononin. Vendi ynë po zhytej në varfëri dhe po shkonte drejt izolimit, ku e vetmja rrugë shpëtimi ishte arratisja nëpërmjet kufirit. Pra, arsyeja e arrestimit tim, ishte tentativë për arratisje jashtë shtetit, e mbetur në fazën e tentativës.
Si ishte dita e arratisjes? Kishit kohë që e mendonit?
Kisha dëgjuar që më përpara histori që flisnin për bashkëfshatarët e mi që, arratiseshin dhe iknin nga sytë-këmbët nga Shqipëria komuniste. Unë gjatë asaj kohe, kam qenë nënoficer në një repart ushtarak të Gjirokastrës, së bashku me shokun tim, Hekuran Shyti, i cili ishte gardist i komandës Bulgasë.
Kemi qëndruar gati 2 vjet në ushtri, ku situata atje na u bë shumë e mërzitshme dhe e padurueshme, gjella dhe ushqimi në repart, ishte tejet mizerje, rrobat na i bënin me arna. Dhe si pasojë, pas shumë bisedimesh, ku kryefjala ishte “këtu nuk rrohet”, me Hekuran Shytin, vendosëm të arratiseshin, ku destinacioni ishte në Amerikë, unë te daja im Alizoti, ai tek dajoja i tij.
E kishim menduar që do shkonim për vetëm 11-12 vjet për të punuar atje dhe do ktheheshim për t’u martuar këtu. Hekurani këtë gjë e kishte biseduar edhe me një shokun e tij, Bexhetin, e dy të tjerë nga Korça, që s’ua mbaj mend emrin.
U përpoqëm të arratiseshim që nga reparti, por nuk gjetëm mundësi të iknim të dy, pasi unë isha në togën e shtabit të artilerisë, topograf, ndërsa ai, ishte në ndërlidhje dhe gjithashtu ishim të rrethuar nga shumë ushtarë, oficerë e nënoficerë.
Hë sot, hë nesër, dolën pengesa, Hekurani lirohet një vit para meje, në vitin 1962. Mirëpo kur ai iku, lamë një mënyrë sesi mund të komunikonim pasi, që atje patëm dyshime se mund të kishim rënë në “gojët” e Sigurimit të Shtetit.
Në këtë kohë, më 22 tetor 1963, më telefonon Hekurani dhe më thotë se; një nga Sigurimi, (me pseudonim sigurisht), nuk po më ndahet dhe mos e harro filmin “Xhemileja”, domethënë mos ik, së nëse ti ikën, mua do më torturojnë, për t’i treguar planin.
Këtë film e kemi parë së bashku në kinemanë verore në Gjirokastër, ç’tortura i bënë asaj të tregonte! Si përfundim ai, më dërgon një telegram në emër të vëllait tim, Festimit, ku shkruante gjoja se: “nëna është sëmurë rëndë nga zemra në spital, po munde, merr leje urgjent dhe eja”.
Të njëjtin telegram, ma nisi mua dhe komandës. Kështu, komisari Fitim Balili, më jep lejen për gati 5 ditë, por nuk ika dot që atë ditë, pasi nuk kishte makina. Në orën 22.00 të datës 24 tetor 1963, arrita në Korçë.
Të parin që takova, ishte Durim Shyti, i cili më thotë se kemi rënë në erën e zagarëve të Sigurimit, të njëjtën gjë më thotë edhe Hekurani, kështu që sa më shpejt të arratisemi, aq më mirë do jetë. U nisëm të katërt: unë, Hekurani, Roberti, dhe Durimi që nga Korça, ku gjatë rrugës, filloi dhe një dëborë me erë që nuk na linte të ecnim dhe e humbëm fillin e udhëtimit fare. Kur u zbardh, kuptuam që ishim akoma në tokën tonë, na u rrëqeth trupi. Përballë nesh, afro 500 m. në vijë të drejtë ndodhej posta greke.
Kishim kaluar afër saj dhe na kishin spiunuar, atë e bir nga Kamenica, Shabani dhe Esati. Kështu ai së bashku me komandantin dhe nja dy të tjerë, na kishin rrethuar. Që këtu filluan torturat, dhuna e pamëshirshme, ku na thyenin karriget në kurriz, duke na goditur me fshikull hekuri. Më binte të fikët nga torturat dhe kur zgjohesha, dëgjoja rënkimet e shokëve të mi nga dhomat e tjera. Dëgjoja zërin e Hekuranit: “O nënoçkë, o nënoçkë”!
Në këtë moment, i them: “Aman, mos na torturoni më, më vrisni më mirë. Do të firmosim çfarë të doni ju edhe që do të arratiseshim, por vetëm mos na torturoni”. Letrën e firmosëm, por torturat, nuk pushuan. Që andej na çuan në Degën e Brendshme këtu në Korçë, ku na shtynin dhe na futën në një dhomë me civilë, ushtarakë dhe policë, dy prej tyre i njihja, civili Petro Tasellari nga Korça dhe majori, Ago Sina nga Vlora.
Mbani mend emrat e hetuesve tuaj dhe të atyre që ju dënuan?
Që nga Dega më çuan në hetuesi, ku torturat sapo vinin dhe po shtoheshin. Duart i kisha të lidhura me hekura mbrapa. Në dhomën ku më shpunë ishin gati 5-6 veta, unë njihja vetëm dy prej tyre, siç e thashë pak më pare, shefin e Hetuesisë, Petro Tasellari dhe majorin Ago Sina. Ky i fundit, më thotë: “Ne do të të nxjerrim qumështin e nënës këtu, por na thuaj me sa shokë të tjerë ke biseduar, për t’u arratisur”?!
Pyetjet ishin nga më të pakuptueshmet, ishin provokime nga më të ndryshmet, të cilat nëse nuk i përgjigjeshe ashtu siç donin ata, do përjetoje tortura fizike dhe psikologjike. Që prej asaj dite dhe deri 3 muaj që qëndrova në hetuesi, torturat nuk kishin të sosur. Mbaj mend që Ago Sino, më detyronte duke më goditur që, të thoja “fluturon edhe gomari”!
Në këtë moment më futën kokën në ujë, ishte një si lavapjatë, është dhomë e hekurt atje, mbaj mend që ishin 4-5 veta që, po më zhysnin, dhe në njërin krah, kisha Ago Sinën, ashtu shtrirë siç isha, nuk e harroj kurrë, në faqen e djathtë, ndjej shputën e këmbës së tij të madhe, që po më godiste.
Por jo vetëm ta thoja, duhej edhe ta firmosja, më japin një penë ngjyrë bari, ashtu në mes torturave e firmos, duke mos e ditur vërtet pse e kërkonin. Në këtë kohë, shoh që Ago Sina me të tjerët që po kërcenin. O Zot, – thashë me vete – ku jam këtu?! Hetuesi tjetër, ishte Riza Shehu dhe kryetari i Degës, Jani Naska.
Kur dhe si u zhvillua gjyqi?
Në orën 10.00 të datës 26 shkurt 1964, në Korçë u zhvillua gjyqi, i cili vazhdoi për gati dy ditë. Në sallën e gjyqit, ishin familjarët tanë dhe trupi gjykues, më pas vijnë të gjithë dëshmitarët me deklaratat e tyre. Dëshmitarët ishin, komandanti i postës kufitare që na arrestoi, bashkë me ushtarët, Esati dhe Shabani.
Kryetar i gjyqit, ishte Kolonel Mit’hat Goskova. Kështu u dënuam për herë të pare, për krimin e “tradhtisë ndaj atdheut” duke tentuar të arratisemi për në Greqi. Doli vendimi i gjyqit më datën 27 shkurt, ku unë u dënova me 20 vjet burg.
Ku e vuajttë dënimin?
Pas marrjes së vendimit të gjyqit, fillimisht më çojnë në burgun e vjetër të Korçës, për gati 1 muaj. Në këtë burg, u njoha edhe me të burgosur të tjerë të cilët, kishin të njëjtin dënim, për tentativë arratisje, por në moshë më të re, siç ishte, Nevruz Golka, Vasil dhe Janaq Tarusha.
Më pas na çojnë në Uzinën e Superfosfatit në Laç për të punuar, mund të them, si skllevër. Nga Laçi na çuan në Elbasan, pasi do ndërtohej Fabrika e Çimentos, ku qëndrova gati 1 vit. Këtu mbaj mend që policët, të bënin provokime nga më të ndryshme dhe një prej tyre, ishte Dushani nga Tepelena, i cili merrte pjesë edhe në pushkatimin e të burgosurve. Nga këtu, na çojnë në Fushë-Krujë, ku provova, jo vetëm birucën, hekura, zinxhirë por, edhe stekën e bilardos.
Në datën 7 qershor 1967, na nisin në Burrel. Nga jashtë, burgu i Burrelit duket si një varr i gjatë nëntokë, por kur futesh në oborr, është i ngritur. Prezantimi i parë atje të bën të kuptosh se, është një kalvar i gjatë mundimesh. Sa hyn përballë, shikon një parullë të shkruar me bojë të kuqe, ku thuhet: “Burrel, hyn e s’del”.
Kështu fillonte kontrolli, ku të burgosurit do qëndronin larg njëri-tjetrit, jo më shumë se 5-6 metra. Na zhvishnin dhe kontrollonin edhe rrobat e qepura, kjo ishte hyrja e parë. Fillimisht më çuan te dhoma nr.9, ku jashtë saj në derë, pashë 3-4 paterica. Kur u futa brenda, shikoj pleq të sëmurë, të gjithë buzë varrit. U tmerrova.
Ditën e dytë, bëhet apeli dhe një ata komisarët, thirri emrin tim, Urim Elezi, dhe më bën të ulem dhe të ngrihem 4-5 herë. Në këtë moment, acarohem dhe i them: kjo që po bën ti, është poshtërim, më fut në birucë, dhe më futi, ku qëndrova 30 ditë. Në birucë, nuk vishnim rrobat tona, por ato që na linin ata: çorape, pantallona dhe një xhaketë beze me vija.
Të brendshme kishim vetëm mbathje të shkurtra dhe një si tip këmishe në formë v-je. Në birucat e Burrelit, ishte një i ftohtë i padurueshëm, dhoma ku ne qëndronim, ishte 8 me 6 m. dhe ishim gati 40 veta brenda saj.
Na nxirrnin për ajrosje çdo ditë përveç rasteve të birucës, gati 40 minuta e, deri në 1 orë, por sigurisht gjatë kësaj kohe, na kontrollonin me kë flisnim dhe çfarë bënim. Mbaj mend që ditën kur u dha lajmi për vrasjen e Mehmet Shehut, nuk dolëm për ajrosje, gati 3 muaj.
Ushqimi ishte i pakët, 300 gr. bukë dhe 900 gr. patate të cilat, nuk futeshin në gojë pasi, ato gatuheshin mbas dite kur mbyllej kuzhina dhe shërbeheshin pasditen e të nesërmes. Uri e llahtarshme.
Nëse do krahasoje Spaçin me Burrelin, mund të them se në Burrel vdisje nga urija, ndërsa në Spaç nuk vuaje për ushqim, por vdisje nga puna e rëndë në galeri. Këtu në Burrel, kam qëndruar se bashku me të ndjerin Pjetër Arbnori, i cili ishte vërtet një njeri i mrekullueshëm, me Ruzhdi Krajën, nga Shkodra etj…!
Cilat ishin torturat fizike që përdoreshin më shpesh ndaj jush?
Torturat që kam përjetuar gjatë asaj kohe, ishin të tmerrshme sa mund të them, vërtet se jeta qenka shumë e dhembshur, ama para torturave, vdekja është shumë më e lehtë. Torturat ishin të pafundme, në birucë, madje mbaj mend që kur na nxirrnin në banjë, na nxirrnin vetëm 3 herë në 9 orë. E kur hynim në banjë sa uleshim për të kryer nevojat personale, direkt na çonin.
Në një moment acarohem me Ramadan Kurtin i cili, ishte vërtet provokator, e mbas disa sekondash përmendem dhe shikoj që isha i lidhur këmbë e duar në banjë, me kokën brenda në WC. Torturë e tmerrshme, ishte dollapi gjatë hetuesisë, ku mes goditjeve në çdo pjesë të trupit, për të pohuar mbi arratisjen, më lidhën këmbët e duart me zinxhirë dhe më futën në dollapin i cili kishte përmasa të tilla sa unë rrija i palosur.
Qëndrova atje plot 6 orë, derisa t’i mbushej mendja atyre për të më nxjerrë. Polici me emrin Shaban Selami, më vendos dru në gojë dhe ma lidh me lidhësen e këpucëve të tij! Ku druri, më theu dhe protezën e dhëmbëve.
Kur kam shkuar në Spaç, më ka ndodhur që nga dëshpërimi i madh, kam tentuar të hidhem në humnerë së bashku me shokët e mi, Kadri Thaçi, nga Kukësi, Xhemal Spata, nga Dibra dhe Çaush Çoku, nga Lushnja.
Çfarë ndodhi në hetuesinë e dytë?
Kaluan gati 17 vjet nëpër burgjet e regjimit komunist, por në prag të ditës së lirimit, “bijtë e partisë”, nuk kishin mbaruar akoma punë me mua. Kështu Operativi i Sigurimit të burgut, Gjergj Stefa, i cili ishte vërtet kriminel dhe njeri pa moral, m’i lidh duart me hekura, më hipin në makinë dhe më çojnë në Degën e Brendshme të Fierit.
Atje u zhvillua një hetuesi e dytë për mua ku, hetues ishte Shkëlzen Barajktari, prezent ishte edhe prokurori i rrethit të Fierit, Zija Shahini dhe Rapi Mino, Prokuror i Përgjithshëm i Republikës. Se përse u dënova nuk e di, por vendimi u dha “për agjitacion e propaganda”, në burg! 10 vjet heqje lirie.
Si e përjetuat rikthimin në burgun e Burrelit?
Kur kujtoj Burrelin më rrëqethet trupi. Kur u ktheva në dhomë, nga 30 veta që ishin, njihja vetëm Adem Allçin. Dhe më vonë në dhomën tonë sollën të tjerë të burgosur, si: Mersin Vlashin, Rrok Bitukun, Demir Pojanin dhe Gjergj Peçin.
Pas shumë provokimesh, në datën 5 dhjetor 1981, i bëj letër të mallkuarit “Enver Hoxha”, ku i thoja: “Përbindësh i pangjyrë, i sëmurë me mani persekutimi”.
Këtë letër, ia lexova edhe Mersin Vlashit e Rrok Bitukut, i cili më thotë që, t’i bëjë edhe ai një letër pasi, njeriu nga dëshpërimi, kërkon mënyra për të mbijetuar. Në orën 16.00, i hedhim letrat në postë.
Në orën 7 të mëngjesit, bëhet apeli, në orën 8 hapet dera e qelisë sonë dhe hynë policët: Xhemal Varani, Met Varani, Ramazan Lika, dhe Abazi, ku të parin kërkojnë Mersin Vlashin, dhe më pas thërrasin Rrok Bitukun, të cilin e kapin për zverku dhe e përplasin përdhe.
Mbas 4-5 minutave, hapet dera dhe hyn Mustafa Lika, i cili më thotë të dal jashtë shpejt…! Ishte data 8 dhjetor 1981 ora 9.00. Ashtu siç e thashë pak më parë, letra që unë ia kisha nisur Enver Hoxhës kishte rënë në duart e “zagarëve të tij”.
Si e kujtoni momentin kur ju verbuan?
Ata që më goditën, ishin gati 4-5 policë të cilët m’u hodhën sipër me dru e shkopinj gome, më rrahën aq fort, sa humba ndjenjat. Kur përmendem më shtynin me shkelma, duke më detyruar të çohesha dhe t’i përgjigjesha pyetjeve të tyre, në lidhje me letrën.
Kryesisht ata që më goditën me shkopinj gome, dru dhe zinxhirë në kokë, deri në verbërim ishin Agim Kërkuti dhe Mustafa Lika. Për Zotin e madh, koka ime kërciste dhe sytë më lëshonin xixa. Kur hap sytë dhe shikoj gjithçka ishte errësirë, nuk shihja nga sytë, isha verbëruar…! Kisha humbur ndjeshmërinë dhe shikimin.
U bë alarm, sepse situata ku unë ndodhesha ishte aq e vështirë, aq sa, kosovarët që kisha në burg, lajmëronin njerëzit e tyre që kishin jashtë shtetit, që t’u dërgonin ilaçe për mua. Pasi u kurova me ato ilaçe për disa muaj, sytë filluan të më drejtoheshin dhe ndjeshmëria po më vinte, por ama ngela i verbër.
Keni ndonjë ngjarje të veçantë që ju ka mbetur në mendje?
Çdo moment që kalonte në burg, përjetoje ngjarje nga më të tmerrshmet, ka plot të tilla. Mbaj mend, momentin kur morëm vesh vdekjen e të mallkuarit Enver Hoxha, ishim në Zejmen, në datën 9 prill 1985, nga dritaret e burgut ku flinim, shikonim ushtarët që vendosën helmeta në kokë dhe u dubluan, pra çdo truproje i’u shtua edhe një tjetër. Të gjithë të burgosurit, menduan se ishte grusht shteti.
Në 11 prill 1985, vjen Operativi dhe mbyll gjithë mbrapa-vijën. Të gjithë ç’ishin: policë, ushtarë, kuzhinierë, iu dha urdhër të mblidheshin te vendi i altoparlantit. Filluan të kontrollonin imtësisht madje, kur shikonin dy të burgosur bashkë, i ndanin në mënyrë të dhunshme. Policët, Andon Labi dhe Selman Gagaçi, ushtronin dhunë pa shkak, mbi të burgosurit.
Kur u liruat nga burgu dhe çfarë ndodhi me jetën tuaj më pas?
Lirohem nga burgu në 10 shkurt 1989. Nuk isha më ai djalë i vitit 1963, me fizik shumë të mirë 93 kg., por një burrë që peshonte rreth 50 kg., pa sy dhe me këmbë që nuk punonin. Kthehesha pas 26 vjetësh në shtëpi, ku më prisnin, vëllezërit e nipat dhe sigurisht nëna ime.
Takimi me të ishte vërtet i dhimbshëm, pasi nuk doja që ajo ta merrte vesh që unë isha verbuar dhe i shmangesha, kur ajo më kërkonte t’i lexoja letrat që i kisha dërguar. Kam jetuar me nënën gati 1 vit e 1 ditë plot, kur ajo ndërroi jetë në 11 shkurt 1990. Peripecitë do vazhdonin në jetën time, pasi ruhesha akoma nga Sigurimi Shtetit, duke i kërcënuar edhe vëllezërit e mi, të mos shkelnin më tek unë.
Një tjetër absurditet, ishte që së bashku me burgosjen, mua ma kishin hequr gjendjen civile e pasaportizimin dhe më duhej të vërtetoja se nga vija. Mund të them me plot bindje se, diktatura vazhdoi dhe vazhdon akoma edhe sot me pasardhësit e saj. Pavarësisht të gjithave, ajo një gjë nuk arriti të bënte: të na burgoste mendjen dhe shpirtin tonë.
Komentet