NGA TEFTA CAMI-CANI/ Të dënohej e pushkatohej Dali Ndreu si armik e për tentativë arratisjeje, me siguri ka qenë një alibi e sajuar nga një segment i Beogradit, që është shpërblyer prej tyre. Nuk mund të arratisej Dali Ndreu në Beograd, sepse nuk mund të mirëpritej prej tyre për bëmat antiserbe të gjyshit të tij, Elez Isuf Ndreut.
Qe kënaqësi, që isha ftuar nga OBVLP dhe Lidhja e Intelektualëve Dibranë të merrja pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar luftëtarit të lirisë dhe ish-gjeneralit e “Nderit të Kombit”, Dali Ndreut.
Ndoqëm një dokumentar për jetën e veprimtarinë patriotike të Dali Ndreut e të paraardhësve të tij trima në luftërat për mbrojtjen e trojeve shqiptare kundër pushtuesve të huaj, i realizuar me dokumente arkivore e përjetime të kohës, me mjaft cilësi e realizëm, nga sekretarja për marrëdhëniet publike të OBVLP, znj. Mimoza Dilaver Kurti. Aktivitetin e drejtonte sekretari i përgjithshëm OBVLP, gazetari dhe shkrimtari i mirënjohur, z.Halil Rama.
Përshëndetën kryetarja e OBVLP, znj. Tatjana Rrahman Parllaku dhe profesorët e shquar të historisë, prof. dr. Pëllumb Xhufi e prof. dr. Shefqet Hoxha; përfaqësuesi i ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu, kolonel Artan Ajazi – drejtor i Personelit në MM si dhe prof. Demir Osmani, përfaqësues i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë me kryetar prof. Shpëtim Cami. Folën e përshëndetën shumë të pranishëm.
Mu dha fjala dhe përshëndeta edhe unë të pranishmit e veçanërisht vajzën e Dali Ndreut, Lavdien e nipin e tij, Enverin, të cilët përjetuan vitet e persekutimit në sistemin e kaluar.Familja e Ndrejeve të Sllovës ka qenë e lidhur dhe ka bashkëpunuar me paraardhësit e mi, Cami, si dhe me të tjerë gjatë gjithë periudhave të historisë në luftërat kundër pushtuesve të huaj për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, 1913-1918, në krahinat Verilindore të Shqipërisë, në luftën kundër sulmeve të forcave pushtuesve serbë e bullgarë ishte krijuar një kordon i madh lufte e bashkëpunimi qëndrese të papërkulur nga Luma me Muharrem Bajraktarin, me princin e paepur Elez Isuf Ndreun në Sllovë, me Aliajt në Fushë Alie, me Karasanët e Shehelerët në Peshkopi, me Ismail Strazimirin e bejlerët e Maqellarës në Maqellarë, me Mersim Demën në zonën e Shpenzës, me Fet, Shaban dhe Dan Camin në zonën Tërbaç e Gollobordë, me Aqif pash Elbasanin në zonën Librazhd- Pogradec, me Starovët në Pogradec-Korçë dhe me Sali Butkën në zonën Korçë-Leskovik.
Këto familje të mëdha tradicionale i bashkonte besa e ideali kombëtar për të mbrojtur interesat kombëtare. Gjatë Luftës së Parë Botërore është vrarë e masakruar nga forcat serbe Fet Shaban Cami, si legjenda e asaj lufte në atë krahinë dhe vritet nga forcat pushtuese bullgare Shaban Mahmut Cami, sipas botimit të ASHSH me autor Gazmend Shpuza në librin me titull “Mbi Lëvizjen fshatare e Shqipërisë të Mesme”.
Edhe në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtuesve fashistë italianë e nazistëve gjermanë u ngritën e luftuan djemtë e burrat e familjeve tradicionale patriote, që organizuan qëndresën e rez- istencën në krahina, krijuan çeta, sipas traditave të Maleve të Dibrës. Mbi këtë traditë krijoi Çetë edhe Ahmet Fet Cami që në janar të vitit 1940 dhe bëri dy aksione në fund të marsit dhe me 2-3 prill 1941 për sigurimin e armëve e municioneve për çetën.
Prandaj futen në pushkatim 8 veta (7 Cami) dhe në burg 19 burra e djem Cami me Ahmet Camin si organizator. Në pushkatim pushkatohen Ejup Shahin Cami, Musa Rahman Cami dhe Mexhit Lezi nga Luznia. Emrat e të arrestuarve e të pushkatuarve janë në Fondin e MPB të atyre viteve dhe në Ditarin e burgut të Ahmet Fet Camit 1941-1942 të burgosur si antifashistë. Çeta e Ahmet Camit ka bashkëpunuar me Çetën e Sllovës e të Grykës së Madhe dhe të Martaneshit që në vitin 1941, kur janë krijuar ato.
Ahmet Cami ka qenë ngarkuar nga dy të dele- guarit e KQ të PK, Zoi Themeli e Njazi Islami dhe ka organizuar krijimin e Batalionit Partizan të Dibrës më 26 korrik 1943 ne fshatin Gjoricë, ku Camët ishin të kon- siderueshëm. Fasli Fet Cami vritet më 7 prill 1941, Ahmet Fet Cami vritet në Luftën për mbrojtjen e qytetit të Peshko- pisë në tetor 1943 nga forcat prej 45 vetë të një çete serbo-malazeze brenda kufirit të Shqipërisë.
U vranë e dhe 12 bur- ra e djem Cami. Lëvizja antifashiste në Dibër është organizuar nga dibranët brenda Shqipërisë e jo nga misionarët e ardhur nga Beogradi, siç është shkruar e vazhdojnë të shkruajnë ende disa të influencuar prej tyre. Dali Ndreu ka qenë zgjedhur z.komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare me 10 korrik 1943 me komandant Spiro Moisiun e pas disa muajve Enver Hoxha.
Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë, që udhëhoqi Fronti Nacional Çlirimtarë ka qenë një ndër Luftërat e mëdha të popullit shqiptar, që u çliruam nga vetë shqiptarët, që u lidhëm me fitimtarët e aleatë të mëdhenj si Bashkimi Sovjetik, SHBA-të dhe Britania e Madhe. Prandaj Lufta Çlirimtare duhet përkujtuar me Nderime e respektin ndaj luftëtarëve të lirisë, ndaj 24 mijë dëshmorëve që luftuan me heroizëm e derdhën gjakun për çlirimin e mëmëdheut.
Në situatat aktuale ku ka disa vatra lufte në botë, ku Serbia po përgatitet për Luftës kundër Kosovës, na duhet të jemi vigjilentë e të përgatitur për të mbrojtur trojet tona, Shqipërinë e Kosovën! Dali Ndreu ka drejtuar luftën si oficer karriere dhe më vonë ka fituar gradën gjeneral. Të dënohej e pushkatohej Dali Ndreu si armik e për tentativë arratisjeje, me siguri ka qenë një alibi e sajuar nga një segment i Beogradit, që është shpërblyer prej tyre. Nuk mund të arratisej Dali Ndreu në Beograd, sepse nuk mund të mirëpritej prej tyre për bëmat antiserbe të gjyshit të tij, Elez Isuf Ndreut.
Ai ishte i informuar, se Cen Elez Ndreu, që shkoi pas çlirimit në Beograd, ndërroi jetë nga torturat e dhuna e serbëve. Kjo mund të shpjegohet edhe për kryeministrin Mehmet Shehu, që në vitin 1947 ishte përjashtuar nga partia si antijugosllav dhe me kthesën e Partisë Komuniste në vitin 1948 rikthehet në parti, që u akuzua si agjent i tyre. Edhe për të, kjo akuzë ka qenë një farsë nga segmente të Beogradit, për të akuzuar e njollosur figurat e shquara patriotike shqiptare.
Kush ishte gjenerali Dali Ndreu
Dali Ndreu lindi në Sllovë të Dibrës. Më 1931 kreu studimet në Shkollën e Ushtarake të Plotësimit si oficer artilerie i graduar nëntoger. Fillimisht shërbeu në degën e rekrutimit në Përmet, më pas në artilerinë e divizionit “Kosova” deri më 1933. U anëtarësua në Grupin e Tiranës të themeluar dhe drejtuar nga arsimtari Hasan Reçi, ku merrnin pjesë shumë oficerë. U dënua me shkakun e Kryengritjes së Fierit më 1935, u shkarkua si oficer. Pas daljes nga burgu, vijoi studimet për Shkenca Ekonomike në Firence. Në vitet 1940-1941 inkuadrohet në radhët e formacioneve partizane.
Për meritat e tij, bazuar edhe te kontributi historik i familjes, me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare caktohet zëvendësko-mandant i Shtabit, pra figura numër dy e luftës partizane. Por njëherësh shquhet si një komandant i zoti me aftësi dhe reputacion. Brigada III Sulmuese ishte formacioni ushtarak që ai drejtoi në fillimet e Luftës Nacionalçlirimtare.
Pas 24 majit 1944, drejtoi Divizionin I Sulmues. Më 18 gusht 1944 drejtoi Korparmatën I të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, i pari dhe më i madhi i formacioneve ushtarake deri atëherë. Në krye të Korparmatës I, ai drejtoi mjeshtërisht veprimet e njësiteve luftarake të shumta për çlirimin e Tiranës, njëherazi ato për çlirimin e Lezhës dhe të Shkodrës etj., deri në çlirimin e plotë të të gjithë Shqipërisë. U shkarkua nga ushtria në vitin 1948 dhe i ishin dhënë poste të vogla ekonomike. Në vitin 1956 mendohej nga CIA se ishte zëvendësministër i Industrisë.
Në vitin 1956 Dali Ndreun e arrestojnë me akuza si bashkëpunëtor i jugosllave së bashku me bashkëshorten e tij, Liri Gegën, e cila ishte një tjetër kuadro e asaj kohe. Dhjetor i vitit 1956 pushkatohet Dali Ndreu dhe Liri Gega në një vend ku nuk u mor vesh kurrë se ku./Gazeta Panorama
Komentet