Së paku 200 civilë janë vrarë si rezultat i sulmeve ajrore të Rusisë në Siri që nga 30 shtatori e deri më 29 dhjteori, thuhet në një raport të Amnesty International.
Duke i cituar dëshmitarët, grupi për të drejtat e njeriut e akuzon Rusinë për përdorimin e bombave kasetore në zonat civile dhe thekson se sulmet e tilla përbëjnë krime lufte.
Moska insiston se i ka në cak vetëm pozicionet e grupeve “terroriste”.
Në raportin e publikuar, Amnesty International, vuri në dukje se është duke i shqyrtuar edhe shqetësimet e ngritura pas sulmeve ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara në shumë pak raste e kanë pranuar vdekjen e civilëve nga bombardimet në caqet e militantëve të Shtetit Islamik, sulme të cilat kanë nisur në shtator të vitit 2014.
Rusia i ka nisur sulmet në Siri në shtator të këtij viti, duke thënë se po vepron sipas kërkesës së presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Amnesty International i ka hulumtuar nga distanca më shumë se 25 sulme që janë realizuar në Homs, Hama, Idlib, Latakia dhe Aleppo, në periudhën 30 shtator – 29 nëntor 2015.
Amnesty theksoi se i ka intervistuar përmes telefonit dëshmitarët që i kanë parë sulmet, si dhe posedon prova audio dhe video e “këshilla nga ekspertët e armëve”.
Komentet