Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës, nga dita e martë, do të nisë së zbatuari planin e Qeverisë së Kosovës për makinat me targa serbe që qarkullojnë brenda shtetit.
Ky plan – në tri faza – nis së zbatuari më 1 nëntor deri më 21 prill të vitit 2023.
Sipas Sveçlës, më 1 nëntor fillon shqiptimi i masës së qortimit për pronarët e makinave me targa serbe “ me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”, referencë për Republikën e Kosovës.
“Ftoj të gjithë qytetarët tanë të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA’ nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.
Targat që lëshojnë autoritetet serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Çfarë parasheh plani i Qeverisë?
Plani i Qeverisë së Kosovës është bërë i ditur më 28 tetor, ndonëse paraprakisht ka ekzistuar një vendim që ka pasur 31 tetorin si afatin e fundit për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS.
Pas qortimit, faza e dytë e planit për targa parasheh gjobë prej 150 eurosh për pronarët e makinave me targa të tilla, duke nisur nga 21 nëntori deri më 21 janar.
Sipas vendimit qeveritar, më vonë do të përdoren targat provuese, dhe pas 21 prillit, në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa.
Ministria e Punëve të Brendshme i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se të gjithë pronarët e makinave me targa serbe, do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e riregjistrimit të makinës me targa RKS – Republika e Kosovës – deri më 30 mars.
Pas kësaj date, riregjistrimi është i mundshëm deri më 21 prill, por pa ofruar lehtësira.
Çfarë do të thotë kjo?
Sipas rregulloreve në fuqi, secila makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.
Shembull, nëse një qytetar i Kosovës blen një makinë në vlerë prej 7.000 eurosh, të vitit 2015, deri në 2.000 kubikë, çmimi që i duhet të paguajë në doganë rritet për 2.558 euro.
Ky çmim shtesë nuk do të vlejë për ata që do t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS.
Përveç kësaj, ata do të lirohen edhe nga tarifa për targën, tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit dhe taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve. Të gjitha këto shërbime kapin vlerën e rreth 57 eurove.
Pra, 2,615 euro më pak për një makinë të tillë.
Zhgënjimi i SHBA-së dhe BE-së
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjimin e tyre se pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pati thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje dhjetëmujore të vendimit për targat, ndonëse besojnë se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin.
Më 31 tetor, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se SHBA-ja ka kërkuar nga Kosova një shtyrje të plotë të afatit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, e jo “shtyrje të pjesshme”.
Ai ka thënë se këtë kërkesë ua kanë bërë të qartë autoriteteve në Kosovë, edhe publikisht, edhe privatisht.
“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në kërkon një shtyrje të plotë në zbatimin e këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës për një shtyrje të plotë në zbatimin [e vendimit të targave]. Sërish, këto diskutime po vazhdojnë, diskutimet me palët në rajon, diskutimet me Bashkimin Evropian”, ka thënë mes tjerash Price.
Shikojeni si e kanë komentuar qytetarët në Prishtinë vendimin për targat
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të hënën se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për riregjistrimin e makinave, ka qenë ”joligjor dhe i dhunshëm”, dhe se qëllimi i tij kryesor është “shtypja” e ekzistencës së serbëve në Kosovë.
Komentet e serbëve të veri të Kosovës për targat
Tensionet rreth targave
Fillimisht vendimi për targat është paraparë që të niste zbatimin më 1 gusht.
Mirëpo më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës patën vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimit për targat dhe atij për dokumentet serbe.
Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë më pas për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.
Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.
Komentet