6 Shtator 2022
Në rrugën e tyre te mërgimit, shqiptarët morën me vete cilësitë dalluese, si njerëz të punës, intiligjentë dhe mënyrën e jetesës në bashkësi. Gjithashtu morën dhe po e ruajnë gjuhën, kulturën, traditën dhe çdo element tjetër të identitetit të tyre, për ruajtjen e traditave shqiptare dhe rezistencës ndaj asimilimit.
Në kuadër të aktiviteteve shoqërore të larmishme që mbahen në Michigan çdo vit, me datat 3, 4 dhe 5 Shtator u zhvillua në ambientet e Kishes Zoja Pajtore të Shqiptarëve në Southfield, Michigan, Festivali Tradicional Shqiptar. Ky Festival ka 30 vite traditë që organizohet nga Këshilli i kësaj Kishe, qysh me themeluesin e saj, të përndershmin Dom Preng Ndrevashaj dhe vazhdoi me ardhjen me shërbim të famullitarit Dom Ndue Gjergji, këtij njeriu vigan dhe të jashtëzakonshëm, i cili me punën dhe veprën e tij i ka tejkaluar me kohë kufijtë e misionit të tij meshtarak dhe është kthyer në një promotor të aktiviteteve të shumta komunitare po ashtu edhe i paqes dhe bashkëpunimit në mes shqiptarëve në Detroit dhe më gjerë.
Motivet e këtij Festivali si gjithmonë ishin pasqyrimi i gjerë i gjinive të folklorit dhe vlerave të tij, mbrojtja, promovimi dhe popullarizimi i vlerave muzikore, koreografike, etnografike dhe edukative të krijuara prej shekujsh nga të parët tanë. Po ashtu ky festival përkoi edhe me 6 Vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezes dhe 25 Vjetorin e kalimit të saj në amshim.
Festivali startoi ditën e shtunë dhe vazhdoi të Dielën dhe të Hënën. Ditën e Dielë, u bë ceremonia e hapjes së Festivalit e cila u drejtua nga aktivisti i kudondodhur për 50 vite me rradhe i kësaj Kishe, dr. Gjekë Gjelaj.
Ditën e Hënë u organizua një një program artistik duke përfshirë Paradën e Flamujve shqiptar dhe amerikan dhe dhe një shfaqje me valle shqiptare të grupeve të valles të komunitetit shqiptar në Michigan. Ky program artistiko-kulturor u pregatit dhe u drejtua nga anëtari i Këshillit të Kishës Zoja Pajtore, aktivisti z. Valentin Lumaj. Një procesion i mirëorganizuar dhe shumë domethënës i cili fillon nga Qendra Kulturore “Nënë Tereza”. Këtij procesioni i prinin flamujt shqiptarë dhe amerikanë. Më pas vazhdojnë paria e Kishës shqiptare, meshtarë, murgesha dhe këshilltarë të ndjekur nga grupet e vallëtarëve te rinj shqiptarë të veshur me veshje kombëtare që valëvisin flamuj shqiptarë dhe amerikane. Marshi i vargut të gjatë rinor, ndalet përpara shtatores se Shejtes Nëna Tereze. Një minute heshtje, përkulje me nderim dhe nje lutje nga famullitarët Dom Ndue Gjergji, Dom Nosh Golaj dhe Dom Damiani.
Këtë vit Paradës së Flamurit i janë bashkuar një grumbull motoristësh patriotë shqiptarë. Karvani shumëngjyrësh i drejtohet sheshit qendror të Festivalit. Qindra pjesëmarrës i presin flamujt me ovacione. Janë të shumtë personat që kanë nxjerrë kamerat the memorizojnë këto çaste mbresëlënëse dhe të paharruara. Të rinjtë, të rejat dhe grupet e valles bashkë me flamujt shqiptar dhe amerikan rreshtohen para skenës se improvizuar për këtë rast nën tingujt e hymneve kombëtare shqiptare dhe amerikane me muzikën e Gjergj Paparistos dhe kënduar me mjeshtëri nga artistja Ledi Paparisto.
Programi artistik prezantohet nga z. Valentin Lumaj, i cili mbasi uron mirëseardhjen të pranishmëve në Festival, prezanton grupet e valleve. Për herë të parë, në këtë Fetival performon grupi më i ri valles “Illyrians” të Kishës Zoja Pajtore, nën drejtimin e koreografes së njohur Joli Paparisto. Marrin pjesë gjithashtu edhe grupet e Valles Krenaria drejtuar nga aktivistja Melisa Marku dhe grupi i Valles “Rapsha në Mërgim” drejtuar nga patrioti dhe aktivisti i njohur Anton Juncaj.
Sheshi i ri i Kishës është mbushur me qindra shqiptarë që ndjekin me emocion muzikën dhe vallet shqiptare. Nuk është e vështirë të dallosh parapregatitjen dhe profesionalizmin e këtyre grupeve valltarësh. Tingujt e muzikës së pastër shqiptare përkthehen në mënyrë perfekte në lëvizjen e trupit, duarve dhe këmbëve që duket sikur lodrojnë në harmoni të plotë duke krijuar një atmosferë që ta ka ënda të mos ndalë por të vazhdojë pafund. Bukurinë e valles e shtojnë kombinimi i veshjeve tradicionale shqiptare, xhubleta, veshja katundare, veshjet e Shqipërisë së mesme apo të jugut. Ah çfarë bukurie hyjnore!!! Këto kostume tradicionale, të cilat sikur krijojnë një mjet komunikimi të pazëshëm, por që flet nëpërmjet shenjave apo ornamenteve të ndryshme, mënyrës së kombinimit të tyre, pëlhurat shumë-ngjyrshe, trashëgimia e qendisjes me ar dhe argjend, tipare të cilat janë fjalori i një gjuhe që shprehet vetëm në sintaksën e kulturës mijëra-vjeçare të popullit shqiptar.
Ruajtja e gjuhës, këngës, valles dhe veshjes tradicionale janë të vetmet mënyra, që nëpërmjet këtyre festivaleve të përvitshme të riaktualizohet e kaluara jone mitike, ilire, periulla e Skënderbeut, ajo e Rilindjes deri ne kohët moderne.
Mbas programit artistik, hapja e Festivalit drejtohet nga të rinjtë e famullisë së Zojës Pajtore, Mikel Shkëmbi dhe Steve Lucaj. Më pas fjalën e merr famullitari Dom Ndue Gjergji i cili thirri një lutje për shenjten Nëna Tereze dhe bekoi Festivalin.
Fill mbas ceremonisë se hapjes së Festivalit, të rinj e të reja mbushin sheshin në valle nën tingujt e muzikës shqiptare e cila nuk ndalon për asnjë sekondë. Janë ftuar këngetarë të mirënjohur shqiptarë. Ndër ta ka ardhur nga New York-u këngetari tropojan Gezim Nika i cili “ndez” ambientin me zërin e tij të mprehtë nëpërmjet këngës “Kur ndigjon zanin e nanës”. Ishin të ftuar gjithashtu këngëtarët Albina Ndreu, Albert Abedini, Gjon Lulgjuraj, Grupi Kuq e Zi dhe grupi Liridona, shumë të dashur dhe të preferuar për komunitetin shqiptar në Michigan.
Ndërsa sheshi jashtë tendës përplot, gumëzhin nga bisedat e njerëzve të mbledhur grupe-grupe shoqërore apo familjare, i ngjan një familje te madhe. Kudo mbizotëron paqja, të gjithë qeshin e gëzojnë, ndajnë në biseda mendimet, u ofrojnë me dashamirësi pije njeri-tjetrit. Ata e ndjejnë mungesën, mallin dhe largësinë që jeta dhe puna e tejzgjatur e përditshme u shkakton. Prandaj këto netë të Festivalit janë gjithmonë të mirëpritura për ta.
Disa metra larg sheshit të festivalit është ngritur një tendë tjetër apo kuzhina e Festivalit. Aty nuk pushojnë kurrë duke shërbyer dhjetra punëtorë vullnetarë të veshur strikt me uniforma të posatçme për këtë rast. Në krye të tyre qëndron i palodhur Ndrec Merdita, që njëkohësisht ishte caktuar nga Këshilli i Kishës si kryetar i këtij Festivali. Roli i tij ka qenë i gjithanshëm, qysh me mbledhjen e fondeve, bashkërendimin e punëve deri në përfundimin me sukses të plotë të eventit. I kudo-ndodhur, kryetari i Keshillit te Kishes, Rrok Dedivanaj ndihmon në mbarevajtjen e festivalit, qysh me pritje-percjelljen dhe akomodimin e personaliteteve te ftuar deri, sigurimin e bazës materiale të nevojshme e detaje te tjera.
Sheshit te Festivalit gjithandej nuk i munguan elementet e dekorit me postera dhe flamuj shqiptar dhe amerikan, parkim të gjere dhe të organizuar, këndi i lojrave të fëmijeve ku argëtohen dhjetra fëmijë.
Falenderim dhe mirënjohje te veçantë për Dom Ndue Gjergjin dhe Kishën tonë të Zojës Pajtore, e cila në vazhdimesi po i paraprin jetes fetare, kulturore dhe shoqërore te komunitetit shqiptar në Michigan.
Komentet