Kërkoja punë, çfarëdo pune të ishte, pastrues, pjatalarës, në ndërtim apo lavazho makinash. Me këtë qëllim endesha para 15 vjet vitesh, rrugëve të kryeqytetit të Nju Jorkut. Një ditë, nga thellësia e një mauneje dëgjoj një psherëtimë dhe më pas një të sharë në gjuhën shqipe. Shante politikanët, qeveritarët e asaj kohe në Shqipëri, duke derdhur mllefin e lodhjes së përditshme. Zgjata kokën, i përshëndeta dhe i pyeta nëse mund të më ndihmonin. “O miku im, edhe ti këtu? Paske hequr dorë nga gazeta? Nejse, të marrtë për mbarë Amerika. Punë të tilla gjen sa të duash, por po më dëgjove mua, shko në shkollë. E di që nuk është e lehtë, por këtu nuk është Shqipëri, shkolla vlerësohet, në fund të fundit është jetë”. Duke u afruar njoha Velon, Veli Hysenllarin, një mikun tim nga Gjonomadhi, që diktatura i kishte vënë “njollën”, por që fati e kishte sjellë në Amerikë. Ai takim nuk më hiqet nga mendja edhe sot ndërsa pija një kafe me Jannet Mathews, që ka mbaruar gazetari dhe njihet si mike e shqiptarëve, ose më saktë, një kalabreze nga ana e nënës, por me gjak shqiptari.
“Është vështirë të ambientohesh kur lëviz nga një qytet në tjetrin, jo më të vish përtej kontinentit. Më vështirë kur nuk flet të njëjtën gjuhë, por ju shqiptarët jeni për t’u admiruar. Keni vullnet, kurajë dhe dëshirë të paimagjinueshme. Shiko Velon, është sipërmarrës në ndërtimin e shtëpive të reja, një punë që e kanë zili edhe amerikanët. Para pak ditësh në një ditëlindje takova Elfrida Kitën, ish-drejtoreshë e Financës në Ministrinë e Transportit. Nuk dinte anglisht. Filloi në një spital si pastruese. E pabesueshme, të jesh nënë, të jesh në punë dhe të gjesh kohën për gjuhën angleze. Sot ajo është një nga drejtuesit e Departamentit të Pagave në ‘Albany Medical Center’, një nga spitalet më të mëdha në verilindje të Amerikës me afro dhjetëmijë punëtorë. Por Elfrida ndihet krenare edhe për diçka tjetër. Djali i saj i vogël Endri, mbaroi studimet në Universitetin e Rochesterit për inxhinieri elektronike dhe tani është nga inxhinierët më të mirë në kompaninë prestigjioze “Akamoy Technology” Boston. Ndërsa Elona, nusja e djalit të madh, brenda një kohe të shkurtër pas ardhjes nga Shqipëria, mbaroi masterin në biznes administration dhe punon gjithashtu në një kompani të madhe në ‘Greater Area NY’. Ky është vetëm një shembull….”, vazhdon Jannet dhe në bllokun e saj të shënimeve kërkon shembuj të tjerë të ingranimit të shqiptarëve në jetën amerikane.
Dikur shumë prej tyre kanë qenë njerëz të zakonshëm në Shqipëri, që nuk binin në sy, por që këtu puna e tyre i ka bërë të njohur dhe me emër. Kur dikush më tha që rrugëve në Manhatan do të dëgjosh shqip në çdo dhjetë minuta nuk ishte ndonjë çudi e madhe, por që shqiptarët kanë zënë poste drejtuese në zemër të kryeqytetit botëror është impresionuese. Në “Globe Institut of Technology”, të flasin me respekt për Adrian Tahirin, shqiptarin që vjen nga Universiteti Europian i Tiranës. Aftësitë e veta si koordinator, por edhe ato si një mik i mirë i të gjithë personelit kanë bërë që të rrisin popullaritetin e tij dhe respektin për Shqipërinë. Para pak kohësh në rrjetin social ai kishte vendosur disa foto nga një vizitë e miqve të tij në burgun famëkeq të Spaçit. “Nuk kishte ku të shkonte më keq. Edhe kafshët nuk ndëshkohen në mënyrë të tillë. Tani kuptojmë ç’është dhimbja e çdo të thotë diktaturë….”. Na tërhoqi vëmendjen ky shënim poshtë fotove, lënë nga një punonjësi i këtij instituti. Duke qëndruar me Adrianin kanë mësuar si të duan Shqipërinë, i nxis ata që të vizitojnë vendin e shqiponjave, duke u bërë kështu një zëdhënës i turizmit shqiptar. Në Detroit kur industria e makinave shënoi krizën më të madhe dhe mijëra punëtorë humbën vendet e punës, Jimmy Lumani ngriti biznesin e tij, që njohu vetëm rritje. Dikur ka qenë një elektricist i thjeshtë, që askush nuk e njihte dhe sot atë e quajnë Ekrem Bardha i dytë për nga rritja e biznesit. E di që do të mërzitet, pasi nuk i ka shumë qejf gazetat, veç ajo që ka bërë ai, vlen më shumë se një shkrim. Në do të gjesh një copëz nga Korça, duhet të shkosh në uzinën e tij, ku më se 80% janë shqiptarë. Jimmy i ka provuar të gjitha në emigracion; të qenurit pa punë, punët e rëndomta e deri te suksesi. Më kujtohet vizita disa vite më parë në kompleksin e tij. Më tha që më priste, por një vizitë e papritur me biznesmenë japonezë bëri që ne të mos e takonim. Gjergji Filipi, një nga specialistët e fabrikës na çoi në zyrën e tij me shpresën që nuk do të vonohej. “E shikon atë kolltuk aty? Nganjëherë bëhet edhe krevat për mikun tuaj. Ndodh që edhe dy apo tri ditë nuk shkon në shtëpi. Kështu e ka biznesi, puna e ka lidhur këmbë e duar dhe punën ai e ka të shenjtë”. Jimmy nuk u kthye, na kërkoi falje, por ajo që pamë ishte më shumë se një bisedë me të. Ndërsa isha në Detroid, mu kujtua një emër tjetër; Kristian Dhima, modeling në ‘BMG’ Çikago. Fotografinë e tij si model e gjen në disa vende të preferuara në qendër të Çikagos. Shihet si një nga talentet me të ardhme në fushën e modelingut, aq sa konkurrentët e tij thonë se është e vështirë për aq kohë sa edhe Kristi është në garë. Por, ai nuk është vetëm një model, është edhe një student me kërkesa ndaj vetes. Kështu mund të përmblidhet me pak fjalë bekgroundi i tij. Është djali i ish-pedagogut të nderuar, Sokrat Dhima në Universitetin e Kamzës. Sokrati nuk ka shumë fjalë, si i thonë një fjale duhet ta paguash që të nxjerrë një fjalë. Por në këtë rast është ndryshe, “Kush e shan Amerikën e vraftë Zoti, është vendi që të jep atë që meriton. Ka hapësirë për ata që kërkojnë më të mirën, por të jep edhe shansin sipas aftësive dhe mundësive. Por nuk kuptoj një gjë, si ka mundësi që ne shqiptarët, të cilët e kemi filluar nga punët e rëndomta, të jemi të suksesshëm këtu dhe ‘të paaftë’ për vendin tonë?! Nejse…” dhe kyç gojën përsëri. Më pas shton, “të mos flasim për Kristin, ka edhe shumë të tjerë si ai, janë të shumtë edhe ata që mbarojnë me medalje. Uroj të ecin në këtë rrugë dhe në të ardhmen. Sokrati ka një dhimbje, njësoj si atë të Pandi Penos në Tampa, Florida. Ai flet e për anën tjetër të medaljes, flet për ata të rinj që hyjnë në punë të rëndomta dhe nuk shkulen dot prej tyre, ose më mirë gënjehen me ato pak dollarë që u duken shumë sot. Ka qenë mësues ndaj dhe dhimbjen e ndjen dyfish. – Do të doja të ishin të gjithë si Migena, vajza e tij, një farmaciste me emër në Largo, Florida që mbaroi studimet shkëlqyeshëm dhe sot është një nga specialistet më të mira në fushën e saj. Kam njohur e një djalë tjetër në Albany, Emiliano Maliqi që vazhdon për farmaci. E takoj shpeshherë si punonjës farmacie dhe herë si student. Xhepat i ka të mbushura me shënime të shumta. Punon e studion. Kjo është jeta e tij. I privuar nga jeta çlodhëse, nga diskot, filmat, kafenetë. Kërkon t’ua bëjë më të lehtë prindërve të tij, duke e përballuar vetë pjesën më të madhe të shpenzimeve. Dihet që studimet në degë të tilla janë të shtrenjta, ndaj ka privuar çlodhjen në fundjave. Edhe të shtunave dhe të dielave vetëm në punë dhe studime. Verën e kaluar kaloi pushimet në Shqipëri. “Mendoja se shokët e mi do të ishin të zënë, do ta kishin kohën të kufizuar, por nuk ndodhi kështu. Ata nga mëngjesi në darkë qëndronin me mua. I pyeta nëse punonin. – Ku të punojmë – m’u përgjigjën, – të shkojmë kamarierë për pesë mijë lekë? Ankoheshin për politikanët, parlamentarët e qeveritarët dhe harronin ato pak mundësi që kishin. Është më mirë të kesh ato pesë mijë lekë apo të mos kesh asgjë në xhep. Më erdhi keq edhe për diçka tjetër. Mendjen në Tiranë dhe në punë shteti. Kjo ishte jeta e tyre, flinin deri në drekë dhe më pas kafetë. Të interesuar më shumë për jetën e qejfit se sa për vështirësitë që ndesh në jetën amerikane. Më erdhi keq kur prisnin nga politika. Të më kuptosh, nuk dua të merrem me politikanët, të cilët nuk kanë një platformë të qartë në perspektivë për punësimin e të rinjve. Është kjo mendoj një nga arsyet që shumë shokë të mi kishin marrë arratinë….”.
E pyeta si dukej në shkollë.
– Mirë, dua të jem si Melsi Shkullaku.
Melsi është doktor kardiolog në Baltimore Maryland. Në Amerikë erdhi i vogël dhe u ndesh që në fillim me vështirësitë e jetës amerikane. Në një bisedë me të atin, Yllin, më kujton ditët kur trokiste nëpër zyra të ndryshme për të gjetur punë. Askush nuk e merrte, megjithëse ishte tornitor shumë i mirë. Përgjigja: Nuk di të flasë anglisht. Nuk e përbuznin punën, çfarëdo të ishte, vetëm mendja e tyre punonte që fëmijët në të ardhmen të mos trokisnin më në këto zyra. Mbas mbarimit të shkollës së mesme, vazhdoi në Siena Colege për biokimi dhe në përzgjedhjen e studentëve më të mirë për mjekësi, fitoi të drejtën e studimeve në Universitetin e Syracuzes NY. Pas mbarimit të studimeve, shumë spitale i ofruan punë, por ai zgjodhi Baltimoren. 17 vjet më parë prindërit e tij trokitin për një punë e sot djali i tyre përzgjedh spitalet më të mira. Nuk ka qenë e lehtë edhe për stomatologun Eduard Shkurti dhe bashkëshorten e tij Marselën, por ia dolën mbanë. Sot në Astoria të NY, ata kanë klinikën e tyre që qëndron hapur deri në mesnatë. Kanë punësuar edhe të tjerë.
“Askush nuk ka dëshirë të punojë deri në orën 11 të natës. Për më tepër që kemi e fëmijë të vogël, por kur vjen puna për shqiptarët, kemi një detyrim moral. Ata na besojnë ne, por edhe ne përpiqemi të jemi pranë tyre. E dimë sa e vështirë është të lësh ditën e punës, ndaj dhe takimet me ta i lemë pasdite e në disa raste e mbas orës 10 të mbrëmjes. Fitojmë të dyja palët, ne edhe ata”, na thotë Marsela. Këtë bisedë e bëmë në një festë familjare, ku Edi dhe Marsela u larguan më herët, pasi klientët e tyre kishin lënë takime në klinikë. “Jemi shumë të zënë, kjo është jeta amerikane ku duhet të sakrifikosh e gëzime të tilla”, na thonë duke u ndarë.
Doktorë, dentistë, farmacistë, biznesmenë, financierë, inxhinierë… janë degët ku janë diplomuar një armatë e tërë shqiptarësh. Në ushtrimin e profesionit të tyre ata shpalosin e virtytet më të mira të shqiptarëve. Tracy Cannabis është një publiciste e njohur, që në vitet e para të demokracisë ka vizituar Shqipërinë. Sapo mëson origjinën e vendit tim, fillon të flasë me pasion për njerëzit dhe natyrën shqiptare. Është mike e shtëpisë botuese “Onufri” dhe botuesit Bujar Hudhri, por sapo mëson që kam punuar në “Koha Jonë”, më përmend Ben Blushin dhe Armando Shkullakun, më flet e për rolin e padiskutueshëm të “Kohës” në vitet e para të demokracisë. Më pas ajo flet për ingranimin e shqiptarëve në jetën e përditshme amerikane. Për hir të së vërtetës, është më lehtë sot të emigrosh në Amerikë. Ka një komunitet të gjerë të kudondodhur. Në Albany, Elvira Braçe është bërë zëdhënësja e problemeve të shqiptarëve të porsaardhur. E takon çdo të diel në kishën e Shën Sofisë. Ka shpirt të madh dhe përpiqet t’i ndihmojë të gjithë për punë, siguracionin shëndetësor e të gjithë dokumentacionin e duhur për një emigrant. Në sajë të ndihmës së saj mbi 16 vetë janë punësuar në “Albany Medical Center”. Nuk dëshiron që shqiptarët të ndihen keq si para 15 vjetësh, kur endeshin rrugës për të kaluar vështirësitë e fillimit.
“Ka edhe kompani të tjera, por këtu mendoj që janë shanset më të mëdha kur mendon të punosh në sektorin e shëndetësisë. Një program i veçantë për infermierë, për teknologë dhe për më tepër, gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar punonjësit e këtij institucioni. E përse të mos përfitojnë edhe shqiptarët?”, na thotë Elvira, duke shtuar se nuk dëshiron të vuajnë dhe të kalojnë vështirësi si shqiptarët e parë që mbërritën këtu. Përpiqem të përpiloj në mendjen time një listë me emrat e atyre që punojnë në këtë qendër shëndetësore. Janë mbi 200 vetë dhe 12 vetë kanë përfituar nga programe të tilla. Ndërsa ecja me makinë në një nga rrugët e qytetit, nga pas dallova dritat e një makine policie. Qëndrova. Mendova se do të kisha shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Polici që afrohet më flet shqip. “Përshëndetje, si jeni. Nuk e dija që ishit ju, por me thënë të drejtën më pëlqeu shqiponja që keni vënë në makinë. E mora vesh që ishit shqiptar dhe kishit me vete një copëz Shqipërie”. Ishte Altin Myftari, një djalë nga Elbasani, që me punën e vet fitoi besimin jo vetëm të drejtuesve, por edhe të të gjithë banorëve. Sot ai është duke shërbyer në State-Trooper, por vendin e tij në Policinë e Shtetit e ka zënë vëllai i tij, Elvisi. Dy vëllezër në shërbim të rendit, por me sa duket edhe vëllai i tyre i vogël, pas mbarimit të studimeve të larta, kërkon të ndjekë të njëjtën rrugë.
Koha ka ndryshuar. Nëse do ta quaje rastësi kandidimin për një kryetar bashkie a për në Kongres, nuk është e tillë diplomimi dhe postet që ata kanë sot. Dhe janë të shumtë, aq shumë sa është e pamundur t’i përmendim në një shkrim. Një komunitet për t’u admiruar.
…U ndodha në Manhatan pak kohë më parë. Nga një lokal në afërsi të Times Square vjen një brohoritmë dhe më pas thirrjet “Shqipëria, Shqipëria”. Hyra brenda. Ishin dhjetëra shqiptarë që festonin kualifikimin e Kombëtares shqiptare në kampionatin europian të futbollit. Simbole të kombit tonë, flamuj, shalla të kuq dhe relike të tjera gjeje kudo. Sa mirë kur sheh një lidhje të tillë mendova e përsëri m’u kujtua pedagogu Sokrat Dhima me fjalët e tij. Interesant, fakti që ne shqiptarët që punojmë për të tjerët, nuk jemi në gjendje të bëjmë diçka për vendin tonë. Sa keq e sa dhimbje për tranzicion e tejzgjatur, që po vret dhe shpresën. I dhashë të drejtë, pa dashur të zbeh kënaqësinë që të japin arritjet e shqiptarëve kudo që janë përtej oqeanit.
Te gjithe spiune e bij te tyre kane qene bobe….