Të gjithë qytetarët që kursejnë energjinë elektrike do të subvencionohen nga Qeveria e Kosovës.
Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Financave, Hekuran Murati, më 3 shtator.
Sipas ministrit Murati, kushdo që shpenzon më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njejtë të vitit të kaluar, do të do të subvencionohet.
“Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë orë në shtatorin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 100 kilovatëve, ose 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, ka thënë ai.
Kjo dhe masa të tjera, sipas kryeministrit Kurti, do të jenë ndihmë në kuadër të pakos për përballen me inflacionin, e cila është vazhdimësi e pakos për ringjalljen ekonomike.
Kurti tha se familjet me asistencë sociale do të mbështeten me dyfishim të shumës së asistencës për një muaj. Ndërsa me nga 100 euro në nëntor do të mbështeten studentët.
Sipas tij, nga shtatori pensionistët do të marrin nga 100 euro, me nga 50 euro zyrtarët publikë, ndërsa me nga 100 euro punëtorët e ndërmarrjeve publike.
Ndërsa për punëtorët e sektorit privat u tha se Qeveria do të subvencionojë për tre muaj ato biznese që i rrisin pagat e punëtorëve, pra gjysmën e rritjes së pagës së tyre për tre muaj.
Në total, Kurti tha se do të ndahen 150 milionë euro për pakon për përballen me inflacion.
Ai tha po ashtu se shpejt do të procedohet në Qeveri e Kuvend, Projektligji për punë publike i cili ka për qëllim kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore dhe punët përcjellëse.
Kurti: E papërgjegjshme kërkesa për rritje pagash, kur fëmijët na dalin analfabetë
“Në një Kosovë, në të cilën testet e PISA-s po na i nxjerrin ¾ e fëmijëve si analfabetë funksionalë ta shantazhosh Qeverinë, ta kërcënosh Qeverinë me rrënim të shtetit, se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi”.
Kështu ka thënë kryeministri Kurti kur është pyetur nga gazetarët për grevistët.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), më 25 gusht kanë hyrë në grevë me kërkesën për ndarjen e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Sipas Kurtit, duke nxjerrë analfabetë funksionalë e duke menduar veç për paga njerëzit po përfundojnë në asistencë sociale, e që sipas tij, kjo reflektohet në zhvillim ekonomik.
“Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor, por po shihni çka po ndodh, veç kërkesë për pare për të bankrotuar shtetin, për ta shkatërruar shtetin. Është papërgjegjësi totale”, tha Kurti.
Sipas tij, nuk ka munguar dialogu social me sindikatat, por ka thënë se si kryeministër takohet vetëm me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave dhe jo me krerë të degëve sindikale.
Për muajin gusht, Qeveria e Kosovës i ka ekzekutuar pjesërisht pagat, për shkak të vonesave në përditësimin e listave të pagave.
Pagat për muajin gusht janë ekzekutuar për punonjësit e Policisë së Kosovës, ata të sistemit të drejtësisë dhe të ministrive.
Më 29 gusht, ministri Murati kishte deklaruar se punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do të marrin pagë të plotë nga Qeveria e Kosovës.
Mosekzekutimi i pagave për punonjësit tjerë që janë në grevë, po konsiderohet joligjor dhe vendim që mund të radikalizojë formën e grevës.
Për shkak të mosekzekutimit të pagave, më 1 shtator, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Komentet