Kundërshtia e dy Marrëveshjeve fatale për Kosovën sheshoi kotësinë e një Kuvendi, që, kinse, përfaqëson interesat e popullit, sepse, normalisht, në vendet demokratike deputetët përfaqësojnë vullnetin e popullit! Kjo e “vërtetë” jo vetëm që është relative, por është tërësisht fiktive, e rrejshme, kur flasim për Parlamentin aktual të Kosovës. Që kur eksponentët e SHIK-ut imponuan që Kosova të jetë me një zonë zgjedhore, nuk mund të bëhet fjalë për zgjedhje të mirëfillta, për zgjedhje të njerëzve të denjë, aq më pak për deputetë që përfaqësojnë vullnetin e njëmendët të popullit.
Kosova me një zonë zgjedhore – projekt i SHIK-ut
Kush përfiton, “vërtet” nga Kosova me një zonë zgjedhore? Dhe, përgjigja e saktë është: SHIK-u, pasanikët dhe klanet vicioze të partive politike parlamentare. Arsyetimi:
1. – SHIK-u numëron 30 mijë anëtarë. Dhe, nga influenca që ka në të gjitha institucionet e shtetit, duke tenderuar e punësuar, kjo shifër shtohet në vijimësi. Dhe, votat e tubuara, duke pasur të drejtën e votimit për pesë deputetë, i futë në Parlament ajkën e krimit të SHIK-ut vrastar.
2. – Pasurimi kriminal i bandave fillon në qershor 1999, kur “komandantët” jallanë, të rrejshëm, pushtonin lokale, banesa, objekte, troje e toka të pasurisë shoqërore e shtetërore si dhe pronat private, madje duke përgjakur pronarët e tyre të ligjshëm!
3. – Klanet vicioze, në kryesitë e partive parlamentare, duke u ricikluar ndër vite, me pislleqët e tyre, duke u vënë të parët në listën zgjedhore, arrijnë të grumbullojnë shifrën e nevojshme për deputetë, duke u bërë robër të bindur të shefit të tyre partiak.
Është një kompromis, fatalisht, neveritës, më saktë, i poshtër, që të gjitha partitë parlamentare, përfshi këtu edhe Vetëvendosjen, janë dakorduar me këtë të keqe të madhe: Kosova me një zonë zgjedhore, gjë që ka prodhuar një Parlament nga më të përçudmit, më cinikët e paradoksalët në kontinent. Në Bundestagun, Parlamentin gjerman u shtrua pyetja: “Si kanë depërtuar në Parlamentin e Kosovës 27 deputetë kriminelë?! Për partitë banda, për partitë e krimit, ky përcaktim zgjedhor është i shpjegueshëm, i favorshëm. Por, pse partitë që nuk identifikohen me krimin e pranojnë, në heshtje, një vendim të tillë satanik, djallëzor?!!
Listimi i i kushtëzuar i kandidatëve për deputetë
Listimi, përzgjedhja emërore e kandidatëve për deputetë, nga ana e shefit të partisë, pa përfillur strukturat e partisë ose, ende më keq, duke bërë seleksionimin e kuadrit partiak, qysh në emërimin e Këshillit të Përgjithshëm. Themi emërim dhe jo zgjedhje, sepse votimi është listor dhe aklamativ, me ngritje gishtërinjësh, dorës, metodë tipike staliniste! Rrjedhimisht, thirrja se deputetët e Kosovës janë të “zgjedhurit e popullit”, është tërësisht e falsifikuar, e gënjeshtërtë. Ata janë deputetë, në pjesën më të madhe, të shefave të tyre dhe e kalkulimeve që përmendem më sipër.
Është pikërisht kjo arsyeja se deputetët nuk kanë asnjë fije pavarësie, janë robër të kryeshefit të partisë, i cili ua ka kushtëzuar kandidaturën me të qenurit këlyshër të bindur të tij. Andaj, ata, deputetët, duhet të veprojnë për interesa të shefit, qoftë edhe kundër interesave të Atdheut, qoftë edhe të aprovimit dhe të mbrojtjes të një tradhtie të hapur, siç janë Marrëveshjet aktuale: Bashkësia e Komunave Serbe (“Zajednica”) dhe Shënimi i Kufirit me Malin e Zi “(Demarkacioni”).
Ngjizja dhe mbrojtja e tradhtisë
Tashmë, Marrëveshjet bllokuese, copëtuese, zhbërëse të shtetit të Kosovës, janë nënshkruar, madje në prani të ndërkombëtarëve, të Qendrave të Vendosjes. Janë Marrëveshje tërësisht ilegale, të kundraligjshme. Janë shpërfillur, anashkaluar organi më i lartë legjislativ, siç është Kundi Popullor i Kosovë; është shpërfillur e injoruar populli i Kosovës. Këtë çorbë të thartuar e gatuan Hashim kryeministri, i akuzuari numër një për krimin e organizuar politik – vrasje seriale. Ndihmëse e parë e tij, në dialogun ilegal e djallëzor, të tradhtisë së madhe, ishte lëvriçka Edita Tashiri, e marrë nga rruga, e bërë ministreshë, pa fije përfaqësimi politik!
Paradoksalisht, këtij konspiracioni iu bashkua edhe Isa Mustafa! Fillimisht, ai tha një të vërtetë të madhe: “Unë nuk kam qenë pjesë e dialogut. Marrëveshjet i gjeta të gatshme”. Por, pavarësisht kësaj, nënshkrimi i Marrëveshjeve, madje, në cilësinë e kryeministrit, nuk e amniston atë.
Reagimi i kuadrove të SHIK-ut dhe të krimit, Rrustem Mustafa e Adem Grabovci, ishte i gatshëm: riformatim të qeverisë ose edhe zgjedhje të reja, bëri që Isa Mustafa “të zgjidhë uçkurin”. Ai ndërroi mendje, u bë palë në krim, duke mbrojtur me fanatizëm Marrëveshjet, gjegjësisht, tradhtinë. Ripohoi, garantoi, madje, përsëritshëm: “Hashimi President në prill 2016” dhe servilizma e panegjerizma hiç dinjitoze, duke u kthyer në një ordinier kontravers, krejt pacipshëm e pamoralshëm; zhgënjyes me tepri; karrierist i pangopshëm; dëmtues me fund i LDK-së; sjellje gjithë arrogancë ndaj idealistëve rugovianë, ndërsa “pulë e lagur”, në raport me partnerët prepotentë, mujëshorë e kriminelë të koalicionit qeverisës të PDK-së! Ai, në fushatën e ndyrë, mbrojtëse të tradhtisë, i aktivizoi edhe lakejtë e tij, të kalaveshur me privilegje hiç meritore!
Analogjia: Heqja e Autonomisë më 1989 me Marrëveshjet 2015
Ka një analogji faktike në mes të suprimimit të Autonomisë, në vitin 1989, me “Zajednicën” dhe Demakacionin 2015. Edhe atëherë sherbëtorët e Serbisë mbronin fort tezën se “me ndryshimet Kushtetuese, Kosova nuk humbet asgjë!” Bilëz, në këtë tradhti ndaj Koasovës, të zëshëm ishin edhe disa intelektualë, titullarë shkencorë!! Edhe sot Hashimi, së fundi, edhe Isa, sherbëhen me të njëjtin refren se “me Bashkësinë e Komunave Serbe, brenda Kosovës, shteti i Kosovës nuk humbet asgj!!” Madje, lakeu i Hashimit, shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci, thotë se “Marrëveshjet janë në interes të Kosovës!” Këtu kulmohet gënjeshtra, mashtrimi, tradhtia. Çfarëdo komenti do të ishte i tepërtë.
Analogjia tjetër: Të gjitha veprimet e Beogradit, në pavarësimin e serbëve të Kosovës, nga shteti i Kosovës, përkatësisht, 8 (tetë) komunat serbe, të cilat kulmohen me “Zajednicën”, janë identike me veprimet e Beogradit, për bashkimin e 14 komunave serbe, për të kulmuar me “Republika Srpska” të Bosnje – Hercegovinës. Ja, pra, “Zajednica” është bosnizimi i Kosovës.
Opinioni gjithëshqiptarë, javën e shkuar, e pa dhe u bindë në pushtetin faktik të “Zajednicës”:
1. – Bllokimi, kthimi prapa, i ministrit të Financave, Avdulla Hoti, që, pa dyshim, është dëshmuar për kompetencë dhe aftësi profesionale, në kufinjtë e “Zajednicës”, duke mos lejuar hyrjen e tij në territorin e “Zajednicës”, pra, të Serbisë, edhepse ai ishte në sherbim zyrtar, inspektimin e doganës;
2. – Ndalimi i ndërtimit të shtëpive të rrënuara të shqiptarëve dhe arrestimi i pronarëve të këtyre shtëpive, brenda territorit të “Zajednicës”, me urdhër të pushtetit të “Zajednicës”, nga njëra anë dhe,
3. – Nisma e pushtetit faktik të “Zajednicës”, për ndërtimin e komplekseve banesore për serbët, në Veriun, dikur të Mitrovicës, përkatësisht, të Kosovës, tani territor i “Zajednicës”, përkatësisht, i Serbisë, flet qartë se “Zajednica” është krijuar për interesin e Serbisë dhe kundër interesave të Kosovës. O njerëz të shitur: Tradhtia nuk ka brirë!!!
“ZAJEDNICA” BREZAVE SHQIPTARË UA LË BRENDA
KOSOVËS FUQINË POLITIKE E USHTARAKE SERBE
Tashmë, është faktuar se “Zajednica” pamundëson funksionimin e mirëfilltë të shtetit të Kosovës dhe janë shterrur argumentet për të kundërtën.
Ndërsa, Shënimi i Kufirit me Malin e Zi, “Demarkacioni”, kërkon qasje serioze historike e hatografike, për të ardhur tek e vërteta absolute. Të paktën, nga themelimi i shtetit shqiptar, pavarësia e Shqipërisë londineze, më 1912 e këtej, shqiptarët e Kosovës e dinin si kufi me Malin e Zi lartësinë e Çakorrit, duke përshkuar maje-malet deri ke Kulla e tutje. Por, tani që kufiri zbret nga Çakorri në Kuqishtë të Rugovës dhe nga Kulla në Radavc të Pejës, shqetësimi, frika, për humbje territoresh, përfshi bjeshkët, kullotat, stanët verore, është i madh, deri në pagjumësi.
Kufiri, i parë nga ana ushtarake, mbrojtëse, vendosja e një tanku armik në bregore, për neutralizimin e zjarrit të tij, duhet sakrifikuar 1.000 ushtarë. Ndërsa, për ta kapur një pozicin strategjik, si Çakorri, duhet sakrifikuar, të paktën, trefishin e shifrës të cituar.
Megjithatë, zëri i mëkur i AAK-së për “Zajednicën, në raport me Demarkacionin, është jo vetëm jo real, por edhe i pashpjegushëm. Me “Zajednicën” brezave shqiptarë u lihet fuqia politike dhe ushtarake serbe brenda Kosovës, brenda shtetit. Kurse Demarkacioni përcakton një kufi, qoftë edhe brenda Kosovës. Dhe, me kufi të kësaj natyre shqiptarët janë natyralizuar, janë mësuar, madje, në përmasa të shumëfishuara.
Çmontimi i tradhtisë – parësi pa çmim
Opozita e Bashkuar, pavarësisht përbërjes hetorogjene dhe mjaft errëtake si dhe populli i hutuar, i përgjumur, i mefshtë e hiç dinjitoz në heshtje, kur duhet ngritur zëri deri në kupë të qiellit, kundër tradhtisë, që gatuajnë me Serbinë, ndoca bijë bastardë të saj, ndodhën para një sfide unike: çmontimin e Marrëveshjeve ogurzeza, për të sotmen dhe të ardhmen e brezave shqiptarë, thënë troç – çmontimin e tradhtisë.
1. – PDK-ja e Hashimit, krerët e saj e pohojnë dhe e përsërisin hapur: “Të gjithë deputetët tanë do t`i votojnë Marrëveshjet, ashtu siç i kemi nënshkruar”!
2. – “Krerët e LDK-së thonë se “Marrëveshjet janë të studiura dhe të pranueshme, prandaj deputetët tanë do t`i votojnë ato!”
Deklarimet e tilla të zyrtarëve të lartë të pozitës nuk janë një “lapsus lingua” dhe as të rastësishme. Kjo tregon se Parlamneti i Kosovës është blegërimë delesh. Kur barinjtë fillojnë t`i ndajnë qengjat nga delet, në pranverë, për t`i pavarësuar nga nënat e tyre, delet dhe qengjat, njëherësh, e përjetojnë rëndë këtë ndarje. Dhe, këtë ndjesi amësore – kafshërore e shprehin me blegërimë reciproke. Dhe, mjafton blegërima e një deleje të vetme, për ta shoqëruar, në blegërimë tufa e tërë. Me keqardhje të madhe, kjo po i ndodhë edhe Parlamentit të Kosovës dhe Kuvendeve Qendrore “Zgjedhore” të partive politike parlamentare të Kosovës. Në rastin konkret, deputetët e pozitës janë ftuar që të votojnë Marrëveshjet fatale në tufëzim, me blegërimë!
Numrat nuk i munguan as Serbisë
Deputeti dinjitoz ë LDK-së, Arben Gashi, djali i veprimtarit Xhemajl Gashi, i cili, së bashku me Ramadan Blakaj me shokë, ishin organizatorë të demonstratave të viti 1968 në Pejë; vëllai i Flamur Gashit, i cili, së bashku me djemtë demokratë të Shqipërisë, me “Radio-Kontaktin” e famshëm, i shërbyen demokracisë, në përballjen e egër me forcat errëtake të komunizmit stalinian, ua kujtoi krerëve të pozitës disa nene të Kushtetutës të Kosovës. I intervistuar nga moderatori Fidan Jupolli, i Televizionit simpatik “Rrokum Rroll”, Arben Gashi tha se deputetët e pozitës po ballafaqohen me presionin, trysninë e zyrtarëve të lartë, për të votuar kundër vullnetit të tyre. Me emër përmendi shefat e Grupit Parlamentar të PDK-së dhe të LDK-së. Për trysni të deputetëve, ndëshkimi ligjor është dënimi dhe qëndrimi në burg. Por, shefat e përmendur, kanë edhe kryeshefat e tyre, që janë kryetarët e partive përkatëse, të cilët e porosisin këtë trysni me bedel, ndërmjetës, siç janë shefat e grupit parlamentar. Dhe, kush t`i burgosë kryeshefat?!?
Isa Mustafën, në fillim, e kemi trajtuar si viktimë në këtë lojë konspirative të Hashimit me Serbinë. Por, Isa nuk e pranoi këtë cilësim dhe filloi të garojë me Hashimin, se kush është më bashkëpunëtor i zellshëm me Serbinë, për ratifikimin, vënien në zbatim të Marrëveshjeve sakatosëse të Kosovës!
Deklarimet janë të zëshme, sfiduese, cinike e provokative nga ana e koalicionit privat të pozitës, përkatësisht: Hashimit e Isës. “Numrat i kemi, për aprovimin e Marrëveshjeve”, – thonë ata. Numrat nuk i munguan as Millosheviçit – për suprimimin, heqjen e Autonomisë të Kosovës. Është e njohur “tirania e numrave”, në veçanti, në sistemin komunist, me Leninin – fashist teorik dhe Stalinin – fashist praktik.
Kërkojnë me ngulmë çmontimin e tradhtisë
Burgosja e Donikë Kadaj – Bujupaj, Abulenë Haxhiu, nëna me fëmijë si dhe e djemëve dhe e burrave, deputetë dhe veprimtarë të Opozitës të Bashkuar, pse ata duan dhe kërkojnë me ngulmë çmontimin e tradhtisë, tashmë të nënshkruar, nuk jep asnjë shans e mundësi për të biseduar të qetë e paqësisht. Dhe, këto burgosje bëhen nga ajo pozitë, që ka në mesin e saj vrasës dhe projektues e urdhër-dhënës të vrasjeve seriale të kundërshtarëve politikë. Dhe, mjerisht e çuditërisht, ata vazhdojnë të jenë në majat e shtetit dhe të pushtetit!!!
Dilemat shqiptare sërishmi në Kosovë. Çmontimi i tradhtisë – është detyrë parësore, pavarësisht çmimit. Qëllimi i justifikon mjetet. Edhe sikur të gjithë ata deputetë të pozitës, të cilët vazhdojnë të mbrojnë krimin e tradhtinë, të vërbohen nga gazi lotësjellës ose edhe të asfiksohen në pakthim në jetë, është e përligjur, kur në peshojë është qenia e Kosovës, shteti i Kosovës. Është pikërisht “tirania e numrave”, kultura e mangët politike, për të mos thënë hiçe, e popullit të Kosovës, që ka kushtëzuar një sjellje të vrazhdët të protestimit kundër tradhtisë.
Por, thyerjet vandale të xhamave masivë, të kushtueshëm, të institucioneve shtetërore, kur dihet se në Kosovën tonë ka familje që shtëpitë-kasolle i kanë dritarët me najlona, plastmasa; dëmtimet e ndryshme të pasurive shtetërore dhe të pronave private; vandalizmi i kulmuar me djegien e veturave, mund dhe djersë e popullit mjeran të Kosovës, na e kujton lëvizjen “Çartiste” në Angli, shekuj më parë, kur punëtorët, në shenjë proteste, për shrytëzimin e tyre të egër, i thyenin makineritë, në fabrikat ku punonin dhe prej të cilave jetonin, qoftë edhe varfërisht. Lëvizja “Vetëvendosje” lindi si një shpresë e pritur, me njerëz të rinj, vajza dhe djemë energjikë dhe luftarakë, me elementë të pakët korruptimi dhe inkriminimi, por, me sjellje thyerëse dhe kallëse aktuale, po zhgënjejnë shumë dhe rrezikohen me pensionim të parakohshëm politik!
Me gjithë respektin për liderin e demokracisë shqiptare, prof. dr. Sali Berishën, mendoj se sulmi verbal publik kundër Opozitës të Bashkuar, nuk ishte as adekuat dhe as i drejtë: “Dilni në mal, luftoni! Dhe, jo të hidhni gaz lotsjellës në sallën e Parlamentit. Ku është parë në botë një veprim i tillë!” Por, ne e pyesim prof.dr. Sali Berishën, i cili, pa dyshim, është një intelektual me dimension supërior në Shqiptari: Në cilin vend demokratik të botës ndodhë që një bandë vrastarësh serialë, makro hajna zyrtarë e multi milionerë, ta anashkalojnë Parlamentin dhe popullin, duke marrë vendime, krye në vete, që rezultojnë në tradhti të lartë ndaj popullit dhe kombit, siç është bërja hisedare e Serbisë në sundimin e Kosovës, rrjedhimisht, heqja dorë nga sovraniteti i Kosovës, për të cilin, sovranitet, u angazhua dhe e realizoi Bota Demokratike, me forcën e saj ushtarake NATO-paktin?!!
Marrëveshjet kriminale të mos identifikohen me LDK-në
Tashmë, dihet ardhja paradoksale e Isa Mustafës në krye të LDK-së. Vetë Kosova është djepi i paradokseve, prandaj, asnjë habi. Nuk i mungoi përkrahja e anëtarësisë të LDK-së, edhepse e dinin se është “mish i huaj” brenda partisë të Presidentit Rugova. Premtoi reforma në LDK-e, por kurrë nuk i bëri. Në vend të reformave, ai konsolidoi rreth vetës klanin e gatshëm, që kishte damkën e rëndë, të ndarjes të LDK-së dhe filloi spastrimin e partisë nga kuadrot idealistë rugovianë. Për t`i kompensuar humbjet seriale në zgjedhje, për të siguruar mbetjen në krye të LDK-së, në Kuvendin e 8 (tetë) “Zgjedhor”, shfrytëzoi karrieristët brenda partisë, hoqi maskën dhe hermetikoi sallën e Kuvendit, duke u vetëzgjedhur, sërishmi, kryetar i LDK-së. Ishte një nga “Kuvendet” më staliniste dhe më të turpshme në historinë çerek-shekullore të Kosovës.
Strukturat e LDK-së: Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm, deputetët e LDK-së, edhepse for të frikësuar, të tmerruar nga kryetari, tashmë, i shpërfytyruar, Isa Mustafa, duhet të këndellën, ta marrin vetën. Ata duhet ta kuptojnë përgjegjësinë, por edhe të jenë brenda hapësirës dhe kohës, se vampiri Isë, nuk do të jetë, pafundësisht, vendosës i fatit të tyre. Strukturat e LDK-së duhet të ndjehen të lehtësuara, sepse nuk janë vendimet e tyre reale, janë të anashkaluar, të mospërfillur, të përbuzur dhe klani tij aprovues, është brenda shifrës të gishtërinjëve të një dore. Strukturat e LDK-së nuk duhet të lejojnë që Marrëveshjet kriminale të identifikohen me Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse vendimet e Isa Mustafës janë personale, individuale, për qëllime karrieriste, e, ndoshta, edhe konspirative.
Komentet