Presidenti rus Vladimir Putin, duke sfiduar mbarë botën demokratike, ka marrë në mbrojtje një diktator dhe një kriminel të nivelit botëror, siç është Bashar al-Asadi, vrasës gjakftohtë i popullit sirian. Analistë të ndryshëm pohojnë se për mbrojtjen e këtij krimineli me damkë, Putini niset nga disa motive. Disa mendojnë se ai, me fushatën siriane, kërkon të kompensojë disfatën që pësoi për gjunjëzimin e Ukrainës, në mënyrë që të dalë i larë para opinionit publik rus. Disa të tjerë janë të mendimit se Putini kërkon të rikthejë madhështinë e Bashkimit Sovjetik, si supefuqi botërore. Një palë e tretë arsyeton se Putini mundohet të sfidojë Perëndimin dhe në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat, sipas tij, kanë dështuar në luftën kundër shtetit islamik ISIS, i shpallur i jashtëligjshëm në Rusi. Prandaj, me këtë sfidë, justifikohet para popullit rus se është ai që po e lufton ISIS-n dhe jo Perëndimi. Por ndërhyrja e tij në Siri me bombardime nga ajri, me sigurimin edhe të lejes që i dha parlamenti rus për të futur edhe trupa tokësore për të mposhtur gjoja ISIS-in, në të vërtetë, ka për qëllim të neutralizojë dhe të mposhtë përfundimisht forcat e armatosura të opozitës siriane, të cilat kanë disa vjet që janë ngritur për përmbysjen e regjimit gjakatar të Bashar al-Asadit.
Po a ka vallë ndonjë arsye tjetër që Putini po e mbron me thonj e me dhëmbë nje kriminel dhe një diktator të regjur të Lindjes së Mesme? Mos vallë Putinin e joshin edhe më shumë miliardat e dollarëve që Bashar al-Asadi ka në zotërim, të cilat i ka siguruar përmes grabitjeve skandaloze të pasurive të popullit sirian?
Bashar al-Asadi figuron në listën e diktatorëve më të pasur të botës. Pasuria e familjes së tij “ka arritur në 122 miliardë dollarë. Kjo sasi dollarësh përbën më shumë se gjysmën e buxhetit të përgjithshëm të shtetit sirian, duke filluar nga vitit 1970 e deri tani. Si burim i pasurisë së tij shërben shitja e rezervave energjetike, e tokës dhe e licensave” (Citohet sipas: “Presidenti i Sirisë, i dyti në listën e diktatorëve më të pasur të botës pas Kadafit”. Marrë nga faqja e internetit “islam-today.ru”. 23 tetor 2012).
Pas ndërhyrjes së Putinit në Siri, gazetari i mirënjohur Evgjeni Kiselov (1956) ka deklaruar:
“Mua kjo më kujton historinë e futjes së trupave në Afganistan 36 vjet më parë. Në Afganistan regjimi sovjetik zuri qafën poshtë. Kam shumë shpresë se tani regjimi putinian ka për ta zënë qafën poshtë në Lindjen e Mesme” (Citohet sipas: “Kiselov: Putini është rrasur në një fole milingonash, Ukraina duhet ta presë rezultatin me durim” Marrë nga faqja e internetit “radio.vesti-ukr.com”. 30 shtator 2015).
Gazetari Evgjeni Kiselov ka shumë të drejtë. Edhe sikur Putini të kishte me të vërtetë si objektiv mposhtjen e ISIS-t, ai do të pësonte me siguri disfatë të padiskutueshme. Sepse ISIS-I nuk është ndonjë shtet i organizuar, me struktura dhe me objekte konkrete në terren, të cilat mund t’i sulmosh nga ajri apo t’i bombardosh nga toka. Ky i ashtuquajtur shtet, përfaqëson në vetvete një masë të madhe njerëzish kaçakë që sillen nëpër hapësira pa fund e pa anë, si puna e vrundujve të erës që s’dihet se nga fryjnë dhe ç’drejtime marrin. Sepse ata ku gdhihen nuk ngrysen. Pra, në këtë mes kemi të bëjmë me një masë gjigante njerëzish që s’janë gjë tjetër, veçse një vegulli që shfaqet dhe zhduket në horizonte të largëta.
Anton Gurakov, dikur gazetar i “Forbesit” në Ukrainë dhe tani i pasionuar pas udhëtimeve nëpër botë, thotë se “në luftë me një ushtri vegulluese, hesapet nuk pinë ujë, sepse vegullia nuk ka as aeroplanë, as topa, as tanke dhe as raketa. Por ama jeta e anëtarëve të saj nuk vlen asnjë kacidhe se ajo i përket ndonjë udhëheqësi, ndonjë binladeni…” (Citohet sipas: “Kompleksi i impotentit”. Marrë nga faqja e internetit “peaceinukraine.livejournal.com”. 07 tetor 2015).
Kur një shtet, për njërën apo tjetrën arsye, mendon të hyjë në një luftë me një objektiv të caktuar, pavarësisht se nga ç’motive niset, ai duhet të ketë parasysh dy gjëra;
Së pari, të shmangë në maksimumin e mundshëm humbjen e jetës së njerëzve.
Së dyti, të ketë të siguruar një prapavijë të fuqishme ekonomike. Sepse ekonomia e fuqishme është ajo që garanton arritjen e objektivave në frontin e luftimeve.
Në rastin luftës që Rusia po zhvillon në Siri, mund të thuhet me plot gojën se këto dy momente pasqyrojnë një gjendje me të vërtetë të vajtueshme. Sepse, në rastin e parë, autoriteteve shoviniste ruse, tradicionalisht, nuk u ka interesuar dhe nuk u intereson absolutisht jeta e njerëzve, të cilët për ta përfaqësojnë thjesht materiale inerte, që mund t’i konsumojnë kur t’u teket, sa herë t’u teket dhe si t’u teket.
Një nënë ruse revoltohet kundër autoriteteve ushtarake, të cilat të birin e saj duan ta dërgojnë në Siri si mish për top. Ajo proteston kundër ministrit të mbrojtes Sergej Shojgu:
“Cila është arsyeja që njerëzit po i degdisin atje, si bagëtinë në thertore?… Mos vallë njerëzit në vendin tonë nuk qenkan gjëja më e çmuar? Vetëm për t’i degdisur mendojnë. Mos vallë qënka e pamundur për të ndërmarrë ndonjë hap tjetër? Le të niset për atje vetë Shojgu”. (Citohet sipas: Mishel Prorok. “Nëna e një ushtari rus: le të shkojë vetë Shojgu të luftojë në Siri”. Marrë nga faqja e internetit “economics-prorok.com”. 18 shtator 2015).
Para pak kohësh, gazetari Artjom Djehtjarenko i pati marrë një intervistë historianit dhe politogut rus Andrea Zubov. Mes pyetjeve të shumta që i drejtoi gjatë intervistës, po ndalem vetëm në njërën prej tyre:
Pyetje: A mund të bëhen ndofarë parashikimesh për faktin se si mund të përfundojë operacioni i mundshëm tokësor rus në Siri?
Përgjigje: Këtë nuk mund ta parashikoj, por mendoj se ky është një gabim i madh. Ai do të sjellë si pasojë probleme brenda Rusisë, probleme të karakterit ndërkombëtar dhe vdekjen e njerëzve. Se jeta e njeriut është më kryesorja. Për fatkeqësinë tonë të madhe, autoritetet ruse nuk e vlerësojnë jetën e njeriut. Kjo traditë e ka zanafillën që nga koha e Bashkimit Sovjetik. Se Stalini thoshte: “gratë do të pjellin të tjerë”. Dhe ja, tani, kjo traditë e neveritshme vazhdon ende” (Citohet sipas: Artjom Djehtjarenko. “Historiani rus përmendi gabimet e Kremlinit në Siri dhe bëri parashikime për Donbasin”. Marrë nga faqja e internetit “apostrophe.com.ua”. 22 nëntor 2015).
Për rastin e dytë, pra, për gjendjen ekonomike të Rusisë, dëshmojnë faktet pak më poshtë, që janë me të vërtetë tronditëse dhe të bëjnë të vish në përfundimin se fushata e Kremlinit në Siri ka për të dështuar me turp.
Autorja e romaneve të gjinisë së fantastikës politike dhe e dedektivit politiko-ekonomik, e njohur në gazetari si vëzhguese politike dhe analiste ekonomike, zonja Julia Llatëjnjina (1966), komentatore e famshme e radistacionit “Jehona e Moskës”, deklaron:
“Në fillim po them dy gjëra fare të thjeshta. E para lidhet me faktin se në kohën e sotme madhështia nuk lidhet me përmasat e ushtrisë. Madhështia përcaktohet nga përmasat e ekonomisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë superfuqi jo sepse dërgojnë trupa diku. Ato janë superfuqi, sepse prodhojnë 25% të produktit botëror bruto. Vetëm shteti i Kalifornisë prodhon dy herë më shumë produkt të brendshëm bruto sesa Rusia tani. Kina, gjatë 20 viteve të fundit, fjala vjen, u bë superfuqi jo sepse ka pushtuar Korenë, Vjetnamin apo Kamboxhian. Ajo u bë superfuqi, sepse krijoi një ekonomi të lirë superbashkëkohore dhe shpëtoi nga varfëria 400 milionë njerëz”. Ja, për fat të keq, në botën e sotme, një vend që ndërmerr agresione, të pambështetura kurrsesi nga përmasat e ekonomisë së tij, nuk është superfuqi, ai është një vend-komit: një vend, në të cilin ekonomia është shkatërruar dhe që dobësinë e vetë ekonomike e kompenson me agresione. Unë kam përshtypjen se në Kremlin nuk e kuptojnë se çfarë bëjnë kur mburren se Rusia paska zënë vend përsëri nëpër faqet e para të gazetave. Sepse edhe Koreja e Veriut është e pranishme shpeshherë nëpër faqet e para të gazetave, por kjo nuk do të thotë se atë e respektojnë. Për më tepër, kjo nuk do të thotë se asaj ia kanë frikën. Atë, në të vërtetë, e përbuzin” (Citohet sipas: Julia Llatëjnjina. Komentatore e Radiostacionit “Jehona e Moskës”. Marrë nga faqja e internetit “echo.msk.ru”. 03 tetor 215).
I ftoj lexuesit e nderuar të njihen me të dhënat e mëposhtme, të nxjerra nga faqet e internetit. Të dhënat ishin shumë më të zgjeruara, por këtu po rendis vetëm ato që i vlerësova si më mbresëlënëse.
Sezoni bujqësor në pjesën më të madhe të territorit të Rusisë zgjat 2-3 muaj, ndërkohë që në Evropë dhe në SHBA vazhdon 8-9 muaj.
Rendimenti mesatar vjetor i prodhimit të drithrave në Rusi (në toka johumusore) është rreth 17 kv për hektar, kurse në Gjermani, në Francë dhe në Angli (në toka jo humusore) rendimenti është 70 kv për hektarë, në Suedi – 60, në Irlandë – 85 dhe në Ukrainë – 59.
Sasia e përgjithshme e qendrave të banimit është 157 189, nga të cilat 39 000 janë braktisur nga banorët e fshatrave dhe të qytezave, kryesisht në qarkun qendror federal, në veriperëndim, në veriun skajor, në Siberi dhe në Lindjen e Largët.
Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, nga harta e Rusisë janë zhdukur 12 000 fshatra dhe 290 qytete, kurse në veriun e vendit numri i popullsisë është shkurtuar më shumë se 40%.
Çdo ditë në Rusi vdesin rreth 100 njerëz nga mbipërdorimi i narkotikëve.
78,7% e rusëve e quajnë të papranueshëm bashkëpunimin me organet e ruajtjes së rendit.
Sipas statistikave, nje rus konsumon 18 litra pije alkoolike në vit. Sipas përfundimit që kanë nxjerrë ekspertët e OKB-së, konsumi vjetor prej 8 litra alkool për frymë të popullsisë, çon drejt degradimit serioz të popullsisë.
Vetëm 1% e ujit që konsumojnë rusët, përputhet me standardet botërore të cilësisë.
1,5% e popullsisë së Federatës Ruse zotëron 50% të pasurive kombëtare.
Për 30 000 banorë të pastrehë të qytetit të Peterburgut, ekzistojnë më pak se 300 vende nëpër strehimore.
Në Dumën e Shtetit dhe në Këshillin e Federatës numrohen 12 miliarderë, pasuria e përgjithshme e të cilëve arrin në 41 miliardë dollarë.
Në Rusi numërohen 62 miliarderë, me një kapital tërësor prej 297 miliardë dollarë. Miliarderët rusë paguajnë taksat më të ulëta në botë – gjithsej 13%, taksa këto që s’i kanë parë as në ëndërr kolegët e tyre në Francë dhe në Suedi (57%) dhe në Danimarkë (61%) apo në Itali (66%).
63% e rusëve me të ardhura mbi mesataren në shkallë vendi, do të dëshironin që fëmijët e tyre t’i vazhdojnë studimet dhe të punojnë jashtë vendit. 35% e tyre kanë qejf që fëmijët e tyre të jetojnë jashtë vendit përgjighmonë.
Jetëgjatësia mesatare e një mashkulli rus është 58,9 vjeç, e grave arrin deri në 72 vjeç, si në Guajanë dhe në Korenë e Veriut. Në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur, derisa paga mesatare mujore në Rusi është 6593 rubla (rreth 94 dollarë) dhe minimum jetik zyrtar kap shiftën prej 5559 rublash (afërsisht 79,5 dollarë). Numri i frymëve me të ardhura poshtë këtij niveli, arrin në 43 100 000.
Kufiri i varfërisë në SHBA është 18 310 dollarë në vit për një familje me tre veta, që do të thotë 1525,83 dollarë në muaj.
Pensioni mesatar në Rusi është 6627,76 rubla (94,5 dollarë mesatarisht). Pensioni minimal i pleqërisë është 2734,41 rubla (39.063 dollarë). Me një pension të tillë minimal vetëm sa mund të mbahet fryma gjalë.
67,4|% e rusëve, daljen në pension e konsiderojnë katastrofë.
85% e rusëve nuk shikojnë kurrfarë mundësie për të ndikuar mbi marrjen e vendimeve shtetërore
77% e rusëve janë të mendimit se nuk janë gati të marrin pjesë në jetën politike të vendit. 62% e tyre kanë njoftuar se për gjithçka shpresat i kanë varur te vetvetja dhe mundohen t’i shmangin kontaktet me çdolloj strukturash të pushtetit. Vetëm 3% e tyre kanë deklaruar se qëllimet e veta i arrijnë gjithmonë, duke hyrë në kontakt me pushtetin.
66,6% e rusëve e ndiejnë veten me turp për vendin e tyre.
Numri i përgjithshëm i popullsisë në Rusi, sipas të dhënave të fundit, arrin afërsisht në 130 milionë frymë.
Në numrin e përgjithshëm të popullsisë, 56% e përbëjnë pensionistët dhe njerëzit në moshën para pensionit. Pra, 73 080 000 frymë.
99 086 000 njerëz mbahen me buxhetin e shtetit dhe me pjesën e popullsisë me aftësi paguese. Mbeten edhe 34 414 000 njerëz. Këta përfaqësojnë njerëzit e biznesit të vogël, të mesëm dhe fermerët. Një gjendje e tillë, pjesërisht, shpjegohet me faktin se prodhimi i brendshëm bruto i Rusisë, është shumëfish më i madh sesa prodhimi ekonomik i qarkut të Los Anxhelosit.
Vetëm 20% e popullsisë së vendit, situatën brenda vendit e konsideron të qetë dhe të mbarë. Më shumë se gjysma e qytetarëve (59%) janë të bindur se Rusia po ndjek një rrugë të gabuar dhe vetëm 18% të të anketuarve thonë se besojnë në drejtësinë e kursit të politikës. Gjendjen e vet ekonomike e vlerësuan të mirë 18% e të anketuarve, 54% e quajtën të rëndë, por të durueshme, 17% deklaruan se durimi i mëtejshëm është i pamundur, 11% shpresojnë në përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike në të ardhmen, 29% janë të mendimit se ajo vetëm do të keqësohet, 19% e rusëve janë gati të marrin pjesë në protesta masive, 14% janë gati të hidhen në greva. Veprimtarinë e qeverisë nuk e përkrahin 68% e të anketuarve.
78% e rusëve mendojnë se Moska jeton në kurriz të zonave të tjera. 74% e tyre ushqejnë urrejtje për moskovitët. 44% e të pyeturve këtë urrejtje e vlerësojnë “të madhe” dhe “shumë të madhe”. Me fjalë të tjera, moskovitët në Rusi urrehen nga 2/3 e bashkëqytetarëve. Tani në Moskë i bie një hektar për 160 banorë, duke marrë parasysh nivelin maksimalisht të lejueshëm në vendet e qytetëruar që arrin në 140 banorë.
Rrjeti rrugor në qytete, të krahasuar me Moskën, zë 20-30% të të gjithë territorit. Në Moskë – vetëm 8,7%. Moska përfshihet në pesëshen e qyteteve të botës me bllokimin më të rëndë të trafikut, kurse moskovitët vlerësohen si shoferët më agresivë dhe më inatçorë të botës.
Sipas të dhënave të revistës RBK Nr. 11, 2007, në përbërjen etnikokombëtare të Moskës, rusët përbëjnë 31% të popullsisë.
Në Moskë, faktikisht, numrohen 14 milionë banorë, nga të cilët rusë janë vetëm 4 340 000. Pra, në kryeqytetin e shtetit rus, rusët janë pakicë kombëtare.
Në Rusi, më shumë se 23 milionë njerëz janë të fesë islame dhe zyrtarisht e quajnë veten myslimanë. Gjatë 15 viteve të fundit, numri i myslimanëve në Rusi është rritur 40%. Në Moskë banojnë më shumë myslimanë sesa në Baku, kryeqytetin e Azerbajxhanit, kurse tatarë ka më shumë se në Kazan, kryeqytetin e Tartarisë. Aty nga mesi i këtij shekulli, në çdo katër banorë të Rusisë, njëri do të jetë mysliman.
Udhëheqësit myslimanë kanë bërë thirrje për të hequr nga stema e Rusisë simbolikën ortodokse. Nëse numri i myslimanëve do të rritet me ritmet e sotme, atëherë komuniteti mysliman mund të shtrojë çështjen për legalizimin në vend të postit të zëvendëspresidentit që është i besimit islam.
Për zhvillimin e islamit, në Rusi, në vitin 2007, nga buxheti i shtetit ishin caktuar 800 milionë rubla (mbi 11 milionë dollarë).
Ortodoksët e vërtetë në Rusi nuk përbëjnë më shumë se 4,5% të popullsisë, domethënë jo më shumë se 6 milionë njerëz. Jo më rrallë se një herë në muaj kishën ortodokse e frekuentojnë 8% e famulltarëve, jo më rrallë se një herë në vit – 18%, më rrallë – 15%, kurse 59% nuk e frekuentojnë fare.
Në Rusi janë të regjistruara 2338 shtëpi fëmijësh. Në to trajtohen 55 126 fëmijë jetimë. Për profilaksinë e fëmijëve të braktisur ishin parashikuar 60 milionë rubla (857 142 dollarë). Për sterilizimin e qenve endacakë në Moskë, shpenzohen 87 milionë rubla (1 242 857 dollarë). Pra, harxhohen 13 000 rubla (185,7 dollarë) për një qen, që do të thotë 27 milionë rubla (385 714 dollarë) më shumë sesa për fëmijët emdacakë.
Më shumë se 40% e produkteve që tregtohen në Moskë janë të falsifikuara.
Në ditët e sotme, pothuajse 70% e produkteve ushqimore prodhohen të pakontrolluara nga askush. Pra, jo sipas standardeve shtetërore, çka lë shteg për të prodhuar ushqim jocilësor.
Në Rusi janë të regjistruar zyrtarisht më shumë se 12 milionë invalidë, më shumë se 4 580 000 alkoolistë, më shumë se 2 870 000 narkomanë, 978 000 të sëmurë psikikë, rreth 890 000 të sëmurë me tuberkuloz, jo më shumë se 22 400 000 të sëmurë me tension gjaku, jo më pak se 2 380 000 të sëmurë me virusin me deficit imun.
Në Rusi, në vitin 2007, pjesa e shpenzimeve shtetërore për nevoja sociale (arsim, shëndetësi, shërbimet komunale, sport etj.) zinte 15% të buxhetit, ndërkohë që në vendet e zhvilluara ishte70,3%, në vendet e Amerikës Latine – 64,1%, në vendet e Azisë – 54,9%, në vendet e Afrikës – 50,1%.
Në Rusi, në vitin 2007, pjesa e shpenzimeve shtetërore për mbajtjen e aparatit shtetëror, të organeve të sigurisë dhe të mbrojtjes, zinte 42,2 të buxhetit,
ndërkohë që në vendet e zhvilluara zinte 11%, në vendet e Amerikës Latine – 19,2%, në vendet e Azisë – 27,5%, në vendet e Afrikës – 25,7%.
Në Rusi çdo vit prodhohen 100 milionë medikamente të falsifikuara.
Vlera e ilaçeve në Rusi është 3-4 herë më e lartë sesa çmimet e kontrolluara ndërkombëtare për preparate analoge.
Më 1 janar të vitit 2008, borxhi i jashtëm i Rusisë u rrit në 38,7%, duke kapur shifrën prej 550,1 miliardë dollarë, çka është e barabartë me volumin e rezervave të arit të vendit.
16% e qytetarëve i mbajnë paratë poshtë dyshekut, kurse më shumë se 60% e popullsisë, përgjithësisht, nuk kanë kursime.
Çdo 24 orë, në Rusi, nga përdorimi i herioinës, vdesin 84 veta të moshës për t’u thirrur për kryerjen e shërbimit ushtarak, në një vit vdesin 30 000 veta.
Vetëm gjatë tre muajve të vitit 2013, nga Rusia u larguan për të jetuar jashtë përgjithmonë 565 369 veta.
Në Rusi, vëllimi i ryshfeteve që jepen çdi vit nëpër gjykata, kap shifrën prej 210 milionë dollarë. Rusia zë vendin e 43-të për shkallën e korrupsionit të sistemit gjyqësor. Tregues të tillë janë karakteristikë për Venezuelën, Kilin, Kongon, Marokun dhe Senegalin.
Rusët japin çdo vit 3 miliardë dollarë ryshfete në instanca të ndryshme të strukturave shtetërore.
25% e rusëve janë të interesuar për ruajtjen e frymës së korrupsionit të shoqërisë.
Në Rusi, çdo ditë, 300 njerëz zhduken pa lënë gjurmë. Në vitin 2008, 5000 njerëz humbën pa lënë gjurmë. Ministria e Punëve të Brendshme, vitet e fundit, është munduar që ta mbajë të fshehtë një informacion të tillë. Numri i krimeve të tilla është 18 herë më i lartë sesa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 19-20 herë më i lartë sesa në vendet e Bashkimit Evropian (Citohet sipas: “Ca të vërteta tronditëse për Rusinë”. Marrë nga faqja e internetit “oblicomorale.blogspot.com”. 03 mars 2014).
Por prit se ka dava Janina. Rusinë, si një fuqi në rënie, e presin të tjera surpriza, të cilat dikujt mund t’i duken të pabesueshme. Kina, si një superfuqi botërore, po ia merr truallin ca nga ca në Siberi dhe një ditë të bukur ka për të trokitur në shpatet e maleve të Uralit, çka do të shënojë edhe shkërmoqjen e saj si supershtet me shtrirje që nga Balltiku deri në Paqësor dhe krijimin e disa shteteve brenda saj. Por për këtë do të flasim një herë tjetër.
Santa Barbara, Kaliforni
18 dhjetor 2015
Komentet