Figurat opozitare çeçene, Akhmed Zakaev, dhe Dzhambulat Suleimanov, kanë mohuar përfshirjen në aksione në Kosovë të grupeve “të caktuara çeçene dhe çerkeze”, siç pretendoi më 21 gusht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 gusht deklaroi në Beograd se Serbia ka informacione se para përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës më 31 korrik, një grup çeçenësh dhe çerkezësh, të cilët janë kundërshtarë të regjimit të liderit çeçen Ramzan Kadyrov, kanë qëndruar në Kosovë.
Ai tha se detyra e tyre ishte të vëzhgonin situatën në veri të Kosovës dhe të rekrutonin ushtarë potencialë për të luftuar në Ukrainë.
“Qëndrimi i një grupi që përfshinte Ahmed Ruslanovich Bahayev, Idriz Arzasanov, H.A. dhe M.A, persona të lidhur me Dzhambulat Suleimanov dhe Akhmed Zakaev, kundërshtarë të njohur të Ramzan Kadyrov, është evidentuar”, tha Vuçiq.
Por, Akhmed Zakayev, kryeministër në mërgim i Republikës çeçene të Içkerisë, pavarësia e së cilës nuk njihet, i tha Shërbimit të Kaukazit Verior të Radios Evropa e Lirë se “nuk e kam idenë se për çfarë bëhet fjalë”.
Dzhambulat Suleimanov, që udhëheq Komitetin çeçen të Fondacionit Shtetëror “Tolam”, me seli në Evropë, tha të njëjtën gjë.
“Mendoj se ky është një provokim nga ana e Serbisë, aleates së Rusisë”, tha ai.
Ata po ashtu thanë se nuk i njohin personat që Vuçiqi i përmendi më 21 gusht.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një konference në Beograd po ashtu tha se këta persona më 3 gusht janë takuar me shtetasin turk D.I.H në Zubin Potok, në veri të Kosovës.
“Ata shprehën interesim për gatishmërinë e serbëve për t’iu kundërvënë autoriteteve në Prishtinë, se si dhe në çfarë mënyre mund të ofrojnë informacione për shërbimet e tjera të huaja të inteligjencës për të neutralizuar grupet e armatosura të serbëve në veri të Kosovës”, tha Vuçiq.
Sipas tij, këto grupe çeçenësh dhe çerkezësh kanë hyrë në Kosovë me një automjet me targa të Novi Pazarit, qytet në Serbi.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me pyetjen nëse kanë informacione për këto pretendime të Vuçiqit se tre personat me enti çeçene dhe çerkeze kanë hyrë në Kosovë. Por, nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.
Serbia dhe Republika ruse e Çeçenisë nuk kanë raporte intensive ekonomike dhe politike, por në fund të qershorit të vitit 2021, një delegacion i Forumit Mysliman Evropian, që udhëhiqet nga Abdul-Wahed Niyazov, i cili në Rusi konsiderohet si bashkëpunëtor i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin, kishte vizituar Novi Pazarin.
Ai kishte premtuar se me mjete të Republikës Çeçene do të ndërtohej Qendra arsimore islamike për mësimin e Kuranit. Ky institucion është thënë se do të emërohej pas Ahmad Kadyrov, babai i liderit aktual çeçen, Ramzan Kadyrov.
Abdul-Wahed Niyazov, së bashku me një delegacion të Forumit Mysliman Evropian, kishin vizituar Kosovën më 6 korrik të vitit 2021. Atëbotë, kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka pasur informata se me kë kanë afërsi anëtarë të caktuar të këtij delegacioni dhe as me pretendimet që Niyazov është i afërt me Kremlinin.
Komentet